Nga dorëheqja te votëbesimi i Lumir Abdixhikut, Zeqiraj analizon krizën e LDK-së
Opinionisti Idriz Zeqiraj kritikoi fuqishëm Lidhjen Demokratik të Kosovës, duke thënë se degradimi i saj ka nisur shumë herët.
Zeqiraj akuzon ish kreun e LDK-së Isa Mustafën për kapjen e kryesisë së partisë, krijimin e klaneve, ndryshimin e statutit për të forcuar pushtetin e tij dhe shuarjen e aktivave rugoviane të LDK-së.
Sipas tij, si rezultat, partia ka pësuar rënie të thellë të anëtarësisë dhe degradim të strukturave të saj, duke u larguar nga vlerat origjinale të Rugovës.
“Stërkeqja e LDK-së është e hershme. Porosia e kryetarit historik të LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, se “njerëzit e shantazhuar, nuk duhet lejuar të ngritën në pozita drejtuese, sepse janë të dëmshëm për Kosovën, u shpërfill deri në harresë.
Është fatale për një parti politike, kur kreun e saj ia “dhuron” kundërshtari politik. Kështu i ndodhi LDK-së, kur me skuthëri bizantine, Isa Mustafa uzurpoi postin e kryetarit. Si mjeshtër i hileve dhe intrigave, konsolidoi një klan brenda kryesisë të LDK-së. Teza e parë e tij ishte: “Do ta krijojmë një Lidhje të re demokratike!” Dhe, vazhdoi të lansohet dhe afishohet kudo në mjediset e LDK-së. LDK-ja në Mërgatë ishte e para që nuk e pranoi dhe e denoncoi si devijim nga rruga rugoviane.
Ndërrimi i statutit të LDK-së, ishte përgatitje që kryetari i partisë të kalaveshej me kompetenca tej mbretërore. Tkurrja e kompetencave të strukturave të partisë, shpërfillja e kryesisë dhe forcimi i rrethit vicioz rreth kryetarit. Shuarja e Aktivave të LDK-së, ishte fillimi i çmontimit të rugovizmit në LDK-e. Anashkalimi i debatit brenda partiak, që nga kryesia, strukturat e partisë, e deri në bazën e Degëve, Nëndegëve, e degradoi deri në degjenerim LDK-në, dikur famëmadhe të Presidentit Rugova.
Aklamacioni, votimi i hapur, e zëvendësoi votimin e fshehtë në të gjitha nivelet e kuvendeve zgjedhore, garantoi riciklimin e kryetarit të LDK-së në qendër dhe bazë. Kështu rrjedha e anëtarësisë, me rënie të lirë, nga 47 %, zbriti në 9.8 dhe jo 12%, siç u tha rrejshëm, sepse në koalicion ishte Pacolli me disa partiza të vogla”, ka thënë ai.
ImageOpinionisti Idriz ZeqirajFoto galeri
Po ashtu, Zeqiraj komenton se Kuvendi i 10-të i Jashtëzakonshëm i LDK-së zgjodhi Lumir Abdixhikun kryetar, i cili fitoi ndaj Lutfi Hazirit dhe përpiqej të balanconte klanet brenda partisë.
Ai fillimisht premtoi reforma dhe punoi intensivisht në terren, por pengesat e klanit Mustafa dhe lidhjet me PDK-në bënë që LDK-ja të pësojë humbje të thellë.
“Kuvendi i 10-të i Jashtëzakonshëm i LDK-së, prodhoi Lumir Abdixhikun kryetar. Në përballje me Lutfi Hazirin, tashmë, i konsumuar si nënkryetar i dytë, në ekipin e Mustafës, fitoi bindshëm. Kryetari i ri, përveç disa klanorëve të Isës, seleksionoi edhe disa nga kundërshtarët e klanit, si balancim. Kjo ngjalli dyshime, madje edhe habi, sepse ngjasonte me kryetarët pararendës, me goditjen e rugovistëve të devotshëm, të përkushtuar.
“Do vazhdojmë zgjedhjet me statutin në fuqi”, – tha në fillim të Kuvendit zgjedhor kryetar Lumiri. Kjo la shije të hidhur. Edhe pse premtoi reforma në LDK-e, të cilat, realisht, nuk i la në gjysmë. Ai me kryesinë e tij, e shpalli “Kryetar Nderi” Isa Mustafën “për merita drejtuese të LDK-së”, të cilën e solli në 9.8 %. Një ish ministër i dinjitetshëm, më tha: “Në vend që ta largonin zvarrë nga salla, turma e delegatëve po e përcjellin me duartrokitje!”
Duhet pranuar se kryetari Lumir Abdixhiku punoi shumë, lëvizi në qytete e fshatra, me fjalime me elokuencë dhe përgatitje solide intelektuale. Por, klani Mustafa, fort i varur nga PDK-ja, e sabotoi mjaftueshëm, duke vazhduar zanatin, si patericë e PDK-së. Neutraliteti, asnjanësia e kryetarit Lumir, bllokada 9 mujore e krijimit të institucioneve shtetërore, iu faturua, madje meritueshëm, LDK-së. Kjo solli edhe humbjen e thellë të saj.
Reagimi i parë i Abdixhikut, pas rezultatit mjeran zgjedhor, ishte premtimi i vakët i dorëheqjes nga posti i kryetarit, duke e relativizuar se për këtë do të vendosin strukturat e partisë. Por, tani, pas caktimit të datës të Kuvendit të partisë, nuk përmendet dorëheqja, por bëhet fjalë për një votëbesim të Kuvendit, për vazhdimin e mandatit të kryetar Lumirit. Ose edhe dorëheqje të deklaruar, me të drejtë të konkurrimit të serishëm për kreun e LDK-së. Pra, shprehja “dorëheqje e parevokueshme” nuk është thënë asnjëherë nga ai”, ka shtuar ai.
Tutje, Zeqiraj thotë se Lumir Abdixhiku fillimisht pranoi përgjegjësinë për humbjen e LDK-së, por ndikimi i rrethit të tij e detyroi të ndryshojë qëndrim nga dorëheqja në votëbesim të paafatuar.
Ai kritikon këtë si zgjidhje të mjegullt dhe thekson nevojën për analizë dhe qartësim të shkaqeve të krizës për të rikuperuar dhe riorganizuar partinë.
“Kryetari Lumir Abdixhiku reagimin e parë e bëri me mendjen e tij, konform realitetit faktik, sepse përgjegjësia kryesore bie mbi të parin e fajësisë. Ndërsa ndryshimi i qëndrimit është i imponuar nga shokët që e rrethojnë, sepse janë palë në bashkëfajësi. Dhe, mbrojtja në grup, gjithsesi, është më e sigurtë, se sa individualisht.
Ndryshimi nga dorëheqja në një votëbesim të pa afatizuar, është mjegullnajë dhe jo zgjidhje. Përfitimi në kohë duhet përdorur me racionalitët, për një këndellje, përmes analizës, duke vënë pikën mbi -i-. Shkaqet që gremisën LDK-në, duhet qartësuar në funksion të riorganizimit, për të mos përsëritur një gjëmë tjetër në LDK”, ka shtuar ai.
Më tej, Zeqiraj thekson se votëbesimi ndaj Abdixhikut duhet të shoqërohet me krijimin e një komisioni zgjedhor nga niveli i Nëndegëve deri te kryetari, me kufizim të mandatit në dy për të parandaluar karrierizmin dhe klanet.
Ai nënvizon rëndësinë e vendimeve kolegjiale për stabilitetin e partisë dhe lidh këtë me paralajmërimin për rreziqet politike që kërcënojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Votëbesimi duhet të shoqërohet me krijimin e një Komisioni përgatitor të zgjedhjeve të përgjithshme, që nga Nëndegët e deri tek kryetari i LDK-së. Duke parë babëzitjen karrieriste të klaneve në LDK-e, por edhe mendësinë provinciale ballkanike, në përgjithësi, dhe shqiptare, në veçanti, afati duhet të kufizohet në dy mandate, nëse mandati i parë i kryetarit është i suksesshëm.
Pra, ndryshimi nuk është vendim personal i Lumirit, por, kryesisht, vendim i shumicës të kryesisë aktuale. Dhe, vendimi kolegjial, kolektiv, është gjithmonë më racional, më i studiuar se ai individual. Përmes mbrojtjes grupore, kryesia mbron edhe partinë nga rrëshqitja drejt humnerës. Ndarjen e Kosovës, me kamuflimin e këmbimit të territoreve Kosovë-Serbi, Kancelarja Angela Merkel e ilustroi me një shprehje gjermane “është shpat i rrëshqitshëm”. Dhe, këtë ua tha tre banditëve: Hashim Thaçit, Edvin Ramës, Aleksander Vuçiq, të cilët “me thika” mbi hartën e shpalosur të Kosovës, në këndin e një salle ndërkombëtare, e luten Kancelaren t`ia bëjë “aminin” ndarjes, por ajo i refuzoi me përbuzje dhe neveritshëm”, ka pëfunduar Zeqiraj.
