Rinumërimi i votave po mbaron – Drenori tregon nëse Vetëvendosja ka numrat për të qeverisur
Analisti politik, Xhavit Drenori, në një prononcim për “Bota sot”, deklaroi se rinumërimi i votave ka përfunduar pothuajse në total (më pak se 15% mbetet) dhe pritet të mbarojë deri më 31 janar.
Për shkak të kësaj, hapësira për ankesa thuajse nuk ekziston, ndaj ai pret që certifikimi i rezultateve të bëhet shpejt, brenda javës së parë të shkurtit.
“Çështjen që e keni ngritur ju unë besoj shumë si pasojë e dinamikës, meqë ka mbetur më pak se 15% pa u rinumëruar dhe, kah fundi i kësaj jave, ashtu siç e ka planifikuar edhe KQZ-ja, deri më 31 janar do të përfundojë ky proces. Meqë votat janë rinumëruar, hapësira për ndonjë ankesë të bazuar thuajse mungon. Duke u nisur nga ky fakt, besoj se certifikimi i rezultateve do të jetë i shpejtë, pra në javën e parë të shkurtit, diku brenda javës së parë, dmth nga data 5 deri më 7, më së largu. Kjo për arsye se pritet pak kohë për ankesat, të cilat në ZAP i marrin 48 orët e tyre, dhe pastaj eventualisht, në qoftë se ndonjë përfundon në Gjykatën Supreme”, theksuar Drenori.
Gjithashtu, ai tha se procesi po shkon drejt përfundimit dhe nuk ka arsye për vonesa në thirrjen e seancës konstituive.
“Prandaj, mendoj që procesi po shkon drejt fundit dhe nuk ka asnjë arsye që të prolongohet procesi i thirrjës së seancës konstituive dhe tashmë subjekti politik i parë, Vetëvendosje, ka numrin e nevojshëm, në bashkëpunim me disa deputetë të minoriteteve jo-serbe, zgjedhin kryetarin e Kuvendit, zgjedhin trupat e tjerë të Kuvendit siç janë nënkryetarët dhe grupet e tjera. Pastaj procedohet edhe zgjedhja e Qeverisë, e cila gjithashtu nuk ka problem me numra”, ka theksuar ai.
Në fund, Drenori shtoi se nuk pritet që procesi të zgjasë më shumë se gjysmën e shkurtit, kur të dy institucionet do të konstituohen.
“Prandaj nuk pres që të shkojë më tepër se gjysma e muajit shkurt, kur të dy institucionet do të konstituohen, duke i hapur kështu rrugë edhe kalimit të ligjit për buxhetin dhe ligjeve të tjera që na presin me karakter ndërkombëtar, marrëveshje të ndryshme ndërkombëtare dhe financat lëshohen nga programet e ndryshme ndërkombëtare, të cilat realisht kanë munguar për shkak të mungesës së ligjeve përkatëse”, ka përfunduar Drenori.
