OPINIONTË FUNDIT

Arrestohen tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës, njëri u kap në flagrancë me ryshfet

Artikulli i përditësuar (13:35) – Prokuroria Themelore në Prishtinë në një komunikatë për media ka bërë të ditur se tre zyrtarët e arrestuar të Komunës së Prishtinës dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

Ndër tre personat e arrestuar, A.G., është zënë në flagrancë për “marrje të ryshfetit. Sipas Prokurorisë, qëllimi i tij ka qenë që ta ndihmojë të dëmtuarin të realizojë një pagesë për punët të cilat i kishte kryer sipas kontratës me Komunën.

“Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, janë shoqëruar tre persona, ndër të cilët zyrtari i komunës, A.G., është arrestuar në flagrancë për veprën penale ‘’Marrje e ryshfetit’’ sipas nenit 421 të KPRK-së, me qëllim qe të ndihmojë të dëmtuarin të realizoj një pagesë për punët të cilat i kishte kryer sipas kontratës me komunën”, thuhet në njoftim.

KOHA ka mësuar se bëhet fjalë për një shumë rreth 2 mijë euro, me të cilën zyrtari u kap në flagrancë.

Atyre u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Artikulli i përditësuar (12:41) – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar për KOHËN se janë arrestuar tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës, e se njëri prej tyre është zënë në flagrancë.

“Janë shoqëruar tre persona për marrje ryshfeti. Janë zyrtarë të Komunës së Prishtinës, derisa njëri prej tyre është zënë në flagrancë”, ka thënë ai për KOHËN.

Siç ka bërë të ditur Gashi, aksioni është ndërmarrë pas hetimeve të fshehta të zhvilluara së fundmi.

Arrestohen dy zyrtarë të Komunës së Prishtinës

Dy zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë arrestuar të martën, nën dyshimin për marrje ryshfeti, ka mësuar KOHA.

KOHA ka mësuar se D.G. dhe B.S. janë zyrtarë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike.

Burimet kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për ryshfet nga një pronar i një kompanie lidhur me një tender.

KOHA ka kontaktuar Policinë e Kosovës. Sapo të ketë njoftim zyrtar, artikulli do të përditësohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *