Burgu për djemtë, mandati për baballarët: Kur etja për pushtet nuk kursen as gjakun tënd
Kishim menduar se fundi i maskaradës me vjedhjen e votave do të ishte thjesht humbja e mandateve për manipuluesit. Por, aksioni i fundit i Prokurorisë dhe Policisë në Prizren ka zbuluar një dimension shumë më të errët dhe tragjik të kësaj babëzie për pushtet.
Nuk bëhet fjalë më vetëm për numra. Bëhet fjalë për pranga. Dhe ato pranga nuk po u vihen “arkitektëve” të vjedhjes që rrinë në krye të sofrës, por ushtarëve të vegjël dhe, ç’është më e dhimbshmja, fëmijëve të tyre.
Lajmi, i raportuar gjerësisht, se mes personave të ndaluar për manipulimin industrial të votave në Prizren është edhe djali i Nait Hasanit, shënon pikën më të ulët morale ku mund të bjerë një politikan.
Sipas të dhënave, Nait Hasanit i janë fshirë mbi 3,400 vota pas rinumërimit. Këto vota nuk “erdhën” vetvetiu. Dikush rrezikoi lirinë për t’i shkruar ato në formularë. Dhe sot krijohet bindja e plotë se për të siguruar karrigen e babait, është dashur të sakrifikohet e ardhmja e djalit nëpër dyer të policisë e gjykatave.
Kjo situatë ngre një pyetje që çdo prind, çdo qytetar i ndershëm, duhet t’ia bëjë vetes: Sa e sëmurë duhet të jetë etja për pushtet, saqë nuk e ke problem ta përfshish as fëmijën tënd në krim, vetëm që ti të quhesh deputet?
Në shkrimin tim të kaluar, ngrita dyshimin logjik se kush është në gjendje të vjedhë votat sot, mund të ketë tradhtuar shokët (Zahirin) dje. Mbështetja masive dhe reagimet që mori ai shkrim dëshmuan se kjo nuk ishte thjesht një akuzë, por një e vërtetë e hidhur që qytetarët e kishin kuptuar prej kohësh.
Por sot, faktet flasin edhe më rëndë: Kush është në gjendje të çojë djalin e vet drejt bankës së të akuzuarve për një mandat, a ka ndonjë gjë të shenjtë që nuk do ta shkelte?
Por Nait Hasani nuk është i vetmi në këtë skemë të “sakrifikimit të të tjerëve”.
Aksioni i shtetit ka çuar në pranga rreth 109 komisionerë dhe persona të përfshirë. Në mesin e të arrestuarve përmendet edhe Granit Paçarizi, një mbiemër që lidhet direkt me “rekordmenin” tjetër të votave të avulluara, Fetah Paçarizin (të cilit i mungojnë rreth 6 mijë vota pas rinumërimit).
Kjo ngre dyshime të forta se manipulimi në Prizren ka funksionuar si një “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, ku krerët e listave – Nait Hasani, Fetah Paçarizi, Kujtim Gashi e të tjerë – kanë pritur rezultatet në rehatinë e zyrave të tyre, ndërsa kanë dërguar njerëzit e thjeshtë, militantët, e madje edhe familjarët, për ta bërë punën e pistë.
Dhe pikërisht këtu qëndron dështimi i sistemit tonë në krahasim me botën demokratike.
Në çdo shtet normal perëndimor, si në SHBA apo në vendet e BE-së, drejtësia nuk do të mjaftohej kurrë me arrestimin e “ushtarëve”. Aty ndiqet parimi i thjeshtë: nëse 109 veta vjedhin vota për ty dhe ti je përfituesi i vetëm, atëherë ti je kreu i organizatës, jo spektator i pafajshëm.
Në Amerikë, komisionerët do të ktheheshin në dëshmitarë për të prangosur urdhërdhënësit e vërtetë. Te ne, fatkeqësisht, pasojat ligjore duket se janë projektuar vetëm për të vegjlit dhe për djemtë e sakrifikuar, ndërsa “peshqit e mëdhenj” vazhdojnë të bëjnë moral mbi gërmadhat e drejtësisë që shkelën vetë.
Sot, 109 familje në Prizren janë në ankth për gjyqet që i presin të afërmit e tyre. Për kë u vunë në pranga dhe po zvarriten prokurorive këta njerëz? Për të fryrë egot e disa figurave të harxhuara politike, të cilët kur vjen puna te përgjegjësia, fshihen prapa heshtjes.
Kjo është shkolla e vjetër e politikës së nëntokës – ajo shkollë që gjithmonë ka vepruar me parimin: “Të tjerët le të digjen, rëndësi ka që unë të mbetem në këmbë.”
Nait Hasani mund të ketë ëndërruar mandatin e deputetit, por çmimi që po paguan është shumë më i lartë. Ai humbi votat e vjedhura, humbi fytyrën para qytetarëve, dhe tani, po e vulos dështimin e tij duke parë familjarët të përballen me ligjin për fajin e ambicieve të tij.
Për 109 të akuzuarit dhe familjet e tyre, ky është një mësim i hidhur: Mos u bëni “mish për top” për baballarët e politikës. Sepse në fund, kur bien maskat dhe hapen kutitë, gjyqet dhe pasojat penale mbeten për djemtë e shërbëtorët, ndërsa turpi – dhe vetëm turpi – u mbetet urdhërdhënësve.
