Kosova në pritje/ Rinumërimi i votave “kërcënon” konstituimin e institucioneve?
Gjatë vitit 2025, në Kosovë u mbajtën dy raunde zgjedhjesh për udhëheqjen e vendit (pa përfshirë zgjedhjet lokale): raundi i parë më 9 shkurt dhe raundi i dytë më 28 dhjetor.
Pas zgjedhjeve të shkurtit, nuk u arrit të krijohej Qeveria e re, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti, nuk arriti të siguronte numrat e mjaftueshëm për formimin e saj.
Edhe pas zgjedhjeve të fundit në dhjetor, procesi i riumërimit të votave vazhdon, për shkak të dyshimeve për manipulim në disa vendvotime. Kjo ka krijuar një situatë të pasigurt politikisht, e cila mund të ndikojë drejtpërdrejt në funksionimin e institucioneve të vendit.
Një nga pyetjet kryesore tani është se çfarë do të ndodhë me postin e presidentit në rast se formimi i Qeverisë zvarritet edhe më tej. Mandati 5-vjeçar i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, përfundon më 7 prill 2026.
Ekspertët shprehen se rinumërimi i votave pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit mund të shtyjë formimin e institucioneve për disa javë, duke rrezikuar krijimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.
Mehmeti paralajmëron: Rinumërimi i votave mund të vonojë formimin e institucioneve
Opinionisti Gani Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se rinumërimi i votave mund të shtyjë krijimin e institucioneve për 2–3 javë, por gjithçka varet nga serioziteti i KQZ-së.
Ai ka deklaruar se është bërë një vit pa institucione të konstituuara dhe se problemi kryesor është zgjedhja e kryetarit të Kosovës, e cila sipas Kushtetutës duhet bërë një muaj para përfundimit të mandatit.
“Si pasojë e rinumërimit të votave në tërë vendin, krijimi i institucioneve do të shtyhet me 2 a 3 javë. Mirëpo, kjo varet kryesisht nga KQZ se sa do të angazhohet seriozisht në rinumërimin e votave sa më shpejt.
Koha është në zgripc dhe KQZ do duhej ta merrte me shumë seriozitet punën e rinumërimit. Po bëhet një vit pa konstituim të institucioneve, dhe askush nuk e ka pritur se do të vijë kaq ngushtë se duhet sa më shpejt të formohen institucionet e Republikës së Kosovës. Problemi kryesor tani po sillet rreth kryetarit të Kosovës, mbasi sipas Kushtetutës, gjithsesi u dashka të bëhet zgjedhja një muaj më parë se t’i dalë mandati. Ndryshe, siç po flitet, u dashka të shkohet sërish në zgjedhje!!! Po, si do të shkohet në zgjedhje, si do të shpërbëhet Kuvendi, që nuk është ende i konstituuar?!
Është njëfarë lëmshi këtu, që, sipas mendimit tim, vetëm partitë tona politike do ta zgjidhnin, por më parë ato do duhej të mendojnë për zgjedhjet e institucioneve se sa për partitë e tyre.
E, që ato të mendojnë për formimin e institucioneve më parë se të shkohet në zgjedhje, duhet të bijnë në një gojë për zgjedhjen e kryetarit të Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas tij, institucionet e Kosovës priten të konstituohen deri në fillim të marsit ose fund të shkurtit.
“Mendoj se deri në fillim të marsit ose nga fundi i shkurtit, do të konstituohen institucionet, si Kuvendi ashtu edhe Qeveria. E, me krijimin e këtyre, do mund ta zgjidhnin edhe kryetarin e Kosovës dhe t’u iket zgjedhjeve, sepse nuk do të ishin në favorin e asnjë partie, po u shkua sërish në zgjedhje. Madje, nga zhgënjimi i votuesve, po u shkua në zgjedhje, nuk do dalin në votim as 30 për qind. Pra, kjo do të ishte pasojë e mos-krijimit të institucioneve, e ne do vonohemi edhe për shumë çështje ndërkombëtare, të cilët bëjnë thirrje që sa më parë të kemi institucionet”, ka theksuar ai.
Tutje, Mehmeti ka shtuar se moskrijimi i institucioneve është pjesërisht përgjegjësi e KQZ-së dhe e komisionerëve që kanë lejuar parregullsi në numërimin e votave.
Ai ka paralajmëruar se vonesa në zgjedhjen e kryetarit mund të çojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe shtyrje të mëtejshme të formimit të institucioneve, pasi marrëveshja midis partive për dy të tretat e votave për presidentin mund të vonohet.
ImageGani MehmetiFoto galeri
“Me moskrijimin e institucioneve përgjegjës do të ishte edhe KQZ, sepse është dashur të organizojë me qindra ekipe për rinumërimin e votave, për të zënë afatet e kërkuara që assesi të mos shkohet në zgjedhje. Përgjegjës mbeten edhe komisionerët e numërimit të votave që kanë lejuar vjedhjen e votave e bartjen e tyre tek deputetë të tjerë, sepse, po të mos shkohej në rinumërim, institucionet do të arriheshin të formoheshin me kohë.
Nëse zvarritet çështja e kryetarit të Kosovës, rrezikohet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, që askush nuk do dëshironte, sepse pasojat do të ishin tepër të mëdha dhe do të shtyhej tepër shumë sërish krijimi i institucioneve. Dhe, sërish, pas secilës palë të zgjedhjeve, do të mbetet pikëpyetje zgjedhja e kryetarit, sepse sa do të binin në ujdi partitë politike për të siguruar dy të tretat e deputetëve për ta zgjedhur. Kam frikën se ky proces do të shtyhej dhe nuk do i dihej fundi”, është shprehur Mehmeti.
Burjani: Formimi i institucioneve, prioritet i menjëhershëm
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politikë dhe juridike, Blerim Burjani ka thënë se vonesa në formimin e qeverisë pritet të zgjasë deri në javën e dytë të shkurtit, kur pritet të përfundojë numërimi i votave dhe të konstituohet Kuvendi.
ImageBlerim BurjaniFoto galeri
“Vonesa është deri në javën e dytë të shkurtit. Besoj se deri atëherë përfundon numërimi i votave dhe konstituohet Kuvendi, ndërsa qeveria mund të themelohet deri në fund të shkurtit.
Tentativa e Kurtit mund të jetë që qeveria dhe presidenti të zgjidhen bashkë, si paketë, ose ndaras”, ka thënë ai.
Në fund, Burjani ka apeluar se është urgjente të formohen sa më parë institucionet dhe se presidenti duhet të jetë një figurë me kredibilitet.
“Koha nuk ka për të humbur; duhet sa më parë të formohen të gjitha institucionet. Edhe pse zgjedhja e presidentit është sfidë, duhet të propozohet një president jashtë politikës. Pra, një individ me kredibilitet”, ka përfunduar Burjani.
