Alma Lama: LDK në krizë identiteti, Kosova në udhëkryq diplomatik
Ish-diplomatja Alma Lama ka folur për “Bota sot” lidhur me sfidat aktuale diplomatike të Kosovës dhe raportet e saj me BE-në dhe SHBA-në, duke i cilësuar zhvillimet e fundit si alarmante për të ardhmen e vendit.
Sa i përket takimit të Osmanit me Trumpin, ajo thotë se Kosova është shtet i ngritur nga SHBA-ja dhe, pavarësisht liderëve politikë të momentit, ftesa për iniciativa të tilla ka marrë dhe do të vazhdojë të marrë.
Derisa, për manipulimin e votave ajo thotë se kjo është skemë kriminale e transferimit të votave nga një kandidat te një tjetër.
Lama thotë se Kosova sot përballet me izolim diplomatik si nga SHBA-ja ashtu edhe nga BE-ja. Me SHBA-në raportet janë ftohur (dialogu strategjik i pezulluar, kontakte të kufizuara), ndërsa me BE-në mbetet nën sanksione dhe e reduktuar vetëm në dialogun me Serbinë.
Situata rëndohet edhe nga tensionet SHBA–BE dhe pasiguria globale, që e vë Kosovën në pozitë delikate nëse detyrohet të zgjedhë mes aleatëve.
Sa i përket zgjedhjes së Presidentit, ajo thotë se kjo çështje kërkon marrëveshje politike për 80 vota dhe se Vjosa Osmani ka nevojë për mbështetjen e VV-së, minoriteteve dhe të paktën një partie shqiptare. Deri tani nuk ka mbështetje publike nga Kurti apo partitë tjera, ndaj procesi mbetet i hapur dhe varet nga vendimi i Kurtit.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Si e vlerësoni rolin e diplomacisë shqiptare dhe ndërkombëtare në stabilizimin e skenës politike në Kosovë?
Alma Lama: Nëse e keni fjalën për diplomacinë e Shqipërisë në raport me Kosovën, mendoj se ajo nuk ka ndonjë rol në politikën e brendshme. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ndërkombëtarët, pasi përfaqësuesit diplomatikë të disa shteteve të fuqishme në Kosovë ka kohë që nuk përzihen në politikën e brendshme, duke ua lënë hapësirën përfaqësuesve politikë që të rriten dhe të ndërveprojnë në përputhje me normat demokratike dhe sipas Kushtetutës së Kosovës.
Për hir të së vërtetës, jo rrallë sjellja e klasës politike në Kosovë ka dëshmuar papjekuri dhe destruktivitet të lartë. Si shembuj përmend protestat e dhunshme dhe hedhjen e gazit lotsjellës ne parlament, me kauza të rreme si demarkacioni dhe Asociacioni, si dhe situatën e bllokimit njëvjeçar të krijimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ndërkombëtarët ndërhyjnë vetëm në çështje që lidhen me cenimin e sigurisë dhe mosrespektimin e të drejtave të minoriteteve, siç i kemi parë gjatë gjithë kohës për shkak të tensioneve në veri, ku kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës.
“Bota sot”: Cilat janë sfidat kryesore diplomatike me të cilat përballet Kosova sot në raport me BE-në dhe SHBA-në?
Alma Lama: Kosova përballet me sfida të shumëfishta për shkak të pozicionit të saj delikat, si një shtet i brishtë që ka nevojë jetike si për përkrahjen e SHBA-së ashtu edhe të BE-së, pesë vende të së cilës refuzojnë ta njohin shtetësinë e Kosovës.
Sfida më e madhe, me të cilën lidhet drejtpërdrejt fati i Kosovës, është se si do të jetë e ardhmja pas tronditjeve të mëdha të rendit botëror, kur aleancat e mëparshme duket se nuk do të jenë më të rëndësishme dhe SHBA ka acaruar raportet me BE-në, sidomos pas pretendimeve të presidentit Trump ndaj Grenlandës, duke rrezikuar kështu vetë ekzistencën e NATO-s dhe një reagim të BE-së ku SHBA konsiderohet më shumë si rrezik sesa si aleat.
Këto zhvillime nuk varen nga Kosova, por çdo lloj çarjeje mes partnerësh do të implikonte edhe rajonin tonë, si në fushën e sigurisë ashtu edhe të ekonomisë, veçanërisht nëse Kosovës do t’i duhej të zgjidhte mes BE-së dhe SHBA-së. Kjo do të ishte një situatë shumë problematike dhe kërkon mjeshtëri të lartë diplomatike për t’iu qasur.
Aktualisht, Kosova ka raporte jo të mira me SHBA-në për shkak të sjelljes së kryeministrit dhe presidents, si pasojë dialogu strategjik është pezulluar dhe ka pasur edhe masa të tjera, ku zyrtarët e Kosovës nuk priten nga Departamenti i Shtetit. Ndërsa në raport me BE-në, Kosova zhvillon takime vetëm sa i përket dialogut dhe ende mbetet nën sanksione.
Pra, gjendja – për dikë që kupton marrëdhëniet ndërkombëtare – është alarmante dhe duhet të ndryshohet me shpejtësi për t’iu përgjigjur krizave të mundshme gjeopolitike.
“Bota sot”: Si e patë takimin e Osmanit me Trumpin? A mendoni se ka ndryshuar qasja e Trump ndaj Kosovës?
Alma Lama: E pashë si një takim protokollar, ku Kosova ishte e ftuar si shtet për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes – një bord ku u bashkuan shtete që kanë raporte të afërta ose varësi nga SHBA-ja, por që u refuzua nga vendet e BE-së.
Kosova natyrisht nuk mund ta refuzonte, por interpretimet brenda vendit më shumë i ngjanin një fushate elektorale sesa realizmit politik dhe racional. Kosova është shtet i ngritur nga SHBA-ja dhe, pavarësisht liderëve politikë të momentit, ftesa për iniciativa të tilla ka marrë dhe do të vazhdojë të marrë.
Lajm do të ishte sikur Kosova të mos kishte marrë ftesë – jo fakti që e mori. Lajm do të ishte gjithashtu nëse presidentja e Kosovës do të mund të realizonte një takim dypalesh me presidentin amerikan, ku të diskutonte çështje konkrete, përfshirë, për shembull, kërkesën që SHBA të ndihmonte që disa nga vendet nënshkruese të Bordit të Paqes ta njohin Kosovën.
Presidenti amerikan ka mundësi të jashtëzakonshme të ndikojë në një gjë të tillë, nëse kerkesa do të futej në axhendën e tij.
“Bota sot”: Manipulimi me vota brenda partive ishte një skandal që tronditi opinionin publik. Si e patë ju këtë situatë?
Alma Lama: Manipulime të votave brenda subjekteve politike ka pasur në çdo palë zgjedhje. Unë personalisht, në zgjedhjet e vitit 2021, ku kam qenë edhe vetë kandidate, kam marrë vesh për skema të tilla në disa komuna, mirëpo ligji e bënte shumë të vështirë për një kandidat që t’i drejtohej gjykatës.
Mendoj se këtë herë rinumërimi i votave nxori në pah atë që ka ndodhur përherë: skema kriminale të transferimit të votave nga një kandidat te një tjetër, ku njerëz të fuqishëm të partive dirigjojnë me para dhe influencë këtë proces dhe ndikojnë që në parlament të hyjnë njerëzit që duan ata e jo zgjedhesit.
Uroj që pas këtyre zgjedhjeve kjo skemë kriminale të mos përsëritet, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse ndëshkohen komisionerët dhe të gjithë ata që kanë bashkëpunuar në këtë krim.
“Bota sot”: Si e shihni situatën aktuale brenda LDK-së dhe sfidat me të cilat po përballet partia?
Alma Lama: Mendoj se LDK po kalon një krizë të thellë identiteti dhe lidershipi. Identiteti, sepse duket se ka humbur qëllimin e ekzistencës së saj dhe ka humbur referencat me trashëgiminë e saj historike dhe politike. Kjo lidhet edhe me mungesën e një lidershipi adekuat.
Lidershipi aktual nuk kishte rrënjë në filozofinë politike të kësaj partie, nuk e çmonte trashëgiminë e saj historike dhe nuk arriti ta lexojë si duhet rrezikun që vjen nga kundërshtarët, sidomos nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila po ia gërryen elektoratin, duke e manipuluar dhe keqperdorur.
Mendoj se, që të mbijetojë si parti, LDK duhet të zgjedhë një lidership të ri, i cili duhet të pozicionohet qartë sa i përket qeverisjes, koalicioneve dhe çështjeve nacionale si dialogu, Asociacioni dhe raportet me SHBA-në dhe BE-në. Pozicioni asnjanës, siç e kemi parë vitin e fundit, është dëmtues. Po kështu është e rendësishme që LDK të përshtatet me kohën në metoda dhe përmbajtje, por duke mos e mohuar të kaluarën dhe kontributin e saj shtetformues.
“Bota sot”: Po kandidaturën e Hotit për kryetar, si e vlerësoni?
Alma Lama: Ish-kryeministri Hoti besoj se është kandidati më serioz i kësaj partie. Ai ka pasur pozicione të qarta politike, ka bërë opozitë të vërtetë në Parlament ndaj Qeverisë Kurti dhe ka përvojën dhe integritetin profesional. Megjithatë, LDK është parti e pasur me shumë figura intelektuale dhe gara duhet të jetë e hapur për kryetar.
“Bota sot”: Jemi pas një procesi zgjedhor ku LVV doli fituese. Si prisni të duket Qeveria e re? A mund të bëhet pa koalicion paszgjedhor?
Alma Lama: Termi “fitues absolut” është i gabuar. Lëvizja Vetëvendosje do të ketë nevojë për votat e minoriteteve për ta formuar qeverinë, pasi nevojiten minimumi 61 vota. Me minoritetet mund ta bëjë qeverinë dhe nuk ka nevojë për partitë shqiptare në koalicion qeverisës.
“Bota sot”: A prisni që Vjosa Osmani të marrë mbështetjen e nevojshme për rizgjedhje në postin e presidentes?
Alma Lama: Sa i përket zgjedhjes së presidentit, kërkohet marrëveshje politike për të siguruar 80 vota. Znj. Osmani ka nevojë për mbështetjen e të gjitha votave të VV-së, minoriteteve dhe të paktën një partie shqiptare.
Deri tani nuk kemi dëgjuar që VV-ja apo z. Kurti t’i ketë dhënë mbështetje publike, ashtu siç nuk ka pasur deklarime as nga subjektet e tjera politike. Nuk e di çfarë është diskutuar në takime të brendshme, por mendoj se zgjedhja e presidentit mbetet ende çështje e hapur.
Gjithçka do të varet nga interesi i Kurtit: nëse do të vazhdojë krizën politike apo do të bashkëpunojë me opozitën për të gjetur një kandidat konsensual, dhe shmangur zgjedhje te tjera.
