OPINIONTË FUNDIT

Shala: Binomi historik i Republikës së Dardanisë

Binomi historik i Republikës së Dardanisë, i cili do të hyjë në histori për fitoren e madhe ndaj Serbisë, e cila u bllokua tërësisht nga Kryeministri Albin Kurti në ndërhyrjen në punët e një shteti sovran, duke e larguar definitivisht nga ndikimi dhe përzierja në punët e brendshme të Dardanisë, duke ia shporrur bandat terroristo-kriminale, disa duke i vrarë e disa të tjerë duke i arrestuar kur tentuan ta sulmojnë fqinjën për të zhvilluar një luftë mes dy komuniteteve me qëllim të aneksimit të veriut, anipse nuk u ngop me gjenocidin e ushtruar ndaj popullit shqiptar, pasi ish-udhëheqja ia kishin premtuar.

Serbisë iu rritën apetitet dhe shpresat se veriu më lehtë do të aneksohej, pasi disa qarqe udhëheqëse dhe të dërguar evropianë ishin në anën e tij, bashkë me disa media të cilat, siç u shpreh analisti i shquar serb Nenad Çanak publikisht, Serbia ka shpenzuar mbi 1.6 miliardë për këto dhe për kolaboracionistët, të njohur tani për opinionin gjithëshqiptar. Por, fatmirësisht, në krye të shtetit erdhi binomi i dërguar nga Perëndia, Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani, duke i kryer detyrat e tyre sipas Kushtetutës së vendit, të cilët në bashkëpunim dhe bashkërendim, në interes të popullit dhe shtetit, ishin në nivelin më të lartë të përgjegjësisë, nga i cili rrjedhi edhe suksesi i merituar.

Presidentja Vjosa Osmani, si një diplomate e shkëlqyer, e aftë dhe e qartë në paraqitjet dhe kërkesat e saj, me atë anglishte brilante sa që edhe vetë amerikanët e mburrën, sepse studioi, ligjëroi dhe tani po ua lehtëson dhe sqaron gjërat, ndikoi që populli, si gjithmonë, por tani edhe Presidenti më i fuqishëm në botë, u dakordua dhe e pranoi se Republika e Dardanisë duhet të jetë në mesin e shteteve më të respektuara si shtet me popullin shqiptar, i cili si asnjë shtet apo komb në botë njihet si më proamerikani në botë.

Pranimi i Dardanisë (Kosovës) në Bordin e Paqes të Presidentit të Paqes, të themeluar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, është meritë e Presidentes Vjosa Osmani, por edhe çlirimi i veriut dhe ndryshimi i gjendjes në veriun e vendit janë meritë e Albin Kurtit, kur para botës paraqitej si gjendje e papërmirësuar në aspektin e bashkëjetesës, të cilën e pengonin grupi i kryekriminelit Milan Radoiçiq nën përkrahjen dhe përgatitjen e logjistikës së okupimit.

Vendimi i Presidentit Trump që Dardania të përzgjidhet në mesin e shteteve më të besueshme është, a nuk është, obligim moral shtetëror e nacional që, në shenjë respekti ndaj superfuqisë, mikut, shpëtimtarit dhe gardianit të pavarësisë, sovranitetit, prosperitetit dhe zhvillimit të demokracisë, a mendon dikush që të hezitojë jo vetëm të qëndrojë në sallë me rastin e zgjedhjes së znj. Vjosa Osmani, por edhe me mburrje ta votojë për mandatin e ardhshëm në krye të shtetit? Unë, edhe në një shkrim të mëhershëm, e kam cekur se znj. Vjosa Osmani konsiderohet si “fëmijë i Amerikës”.

Prandaj, binomi historik i liderëve të Republikës së Dardanisë, për herë të parë unik dhe i suksesshëm, Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani, bëhet edhe obligim i yni ndërkombëtar si gatishmëri për bashkëpunim të sinqertë në interes të shtetit dhe popullit, i cili, përmes zgjedhjeve plebishitare, i kurorëzoi me votën që ndikoi edhe te Amerika, e cila me këtë veprim u bind se udhëheqja në krye të shtetit është e ndershme, e gatshme dhe e përgjegjshme për të marrë obligime të karakterit ndërkombëtar, pasi kurrë nuk kanë qenë klientelistë të asnjë rryme apo shteti që ishte ose është antiamerikan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *