Kur mediat shqiptare e shndërrojnë kombin në garë mahallash
Në hapësirën mediatike shqiptare, veçanërisht në Prishtinë, po ndodh diçka që nuk mund të quhet më as rastësi, as pakujdesi, as “gjuhë neutrale”.
Pse e them këtë e pse mendoj kështu?
E them këtë dhe mendoj kështu sepse fjala “shqiptar” po largohet me qëllim e vetëdije nga titujt e gazetave, nga debatet, nga analizat politike, sikur të ishte një fjalë e rrezikshme e ideologjisë naziste, një fjalë që duhet fshehur për të mos prishur rehatinë diplomatike apo për të mos shqetësuar axhenda ideologjike që nuk e duan një identitet të qartë shqiptar. Në vend të saj, po na servohet një identitet i rremë, administrativ, pa kujtesë historike: “kosovar”.
Kjo nuk është thjesht zgjedhje gjuhësore; është zgjedhje politike. Dhe është e dëmshme, shumë, shumë e dëmshme.
Mjafton të shikohen titujt e përditshëm të mediave në Prishtinë dhe Tiranë: “Qeveria e Kosovare përballet me sfida”, “Shoqëria kosovare reagon”, “Qytetarët kosovarë të pakënaqur”, “Kosovarët dhe shqiptarët” etj., etj. Shqiptarët po zhduken nga fjalia; po zhduken nga publikja shqiptare. Sikur shqiptarët të mos ekzistonin në Kosovë. Sikur gjuha shqipe të ishte thjesht mjet i përkohshëm i huazuar për komunikim, jo shenjë përkatësie kombëtare e identitare.
Të nderuar lexues,
Në të njëjtën kohë, këto media mezi presin gara brendakombëtare: garën “derbi” Shqipëri-Kosovë. Krahasime të përditshme për paga, korrupsion, drejtësi, mikpritje, sinqeritet, bujari, njërzillëk, “evropianizëm”, të bëra me seriozitet të rremë, sikur të flitej për dy shtete rivale gjeopolitike; jo për dy pjesë të një kombi të ndarë me dhunë ushtarake, politike e historike. Shqipëria kundër Kosovës; ky është problemi i madh për median shqipe. Prishtina kundër Tiranës, ky është problemi i analistëve shqiptarë. Një teatër që po i shërben klikimeve, por hiq interesit kombëtar.
As Shqipëria, as Kosova nuk janë mjaftueshëm të forta për këtë shëtije. Veçmas, janë politikisht dhe ekonomikisht të dobëta. Së bashku, përfaqësojnë një faktorë të respektueshëm në Ballkan. Por ky fakt nuk po hyn në studio televizive. Sepse bashkimi nuk prodhon konflikt të shpejtë, ndërsa përçarja po.
Këtu ndërhyn ajo që filozofi gjerman Jürgen Habermas do ta quante deformim i sferës publike. Habermasi paralajmëroi se kur debati publik kolonizohet nga pushteti dhe tregu, media pushon së qeni hapësirë e arsyes kritike dhe shndërrohet në instrument menaxhimi.
Pikërisht kjo po ndodh sot në mediat shqiptare: gjuha nuk përdoret për të ndriçuar realitetin, por për ta vizatuar politikisht një “realitet” të ri; fjala shqiptar shmanget jo sepse është e gabuar, por sepse është e fuqishme, me rrënjë mijëravjecare dhe kujtesëmbajtëse.
Sipas Habermasit, demokracia vdes jo kur ndalohet fjala, por kur ajo bëhet e papërdorshme. Kur identiteti shqiptar trajtohet si rrezik për “stabilitetin”, atëherë stabiliteti nuk është më demokraci, por fabrikë e frikës; është përdhunim.
Edhe Benedict Anderson do ta shihte këtë proces me shqetësim. Kombet, thoshte ai, janë komunitete të imagjinuara, të ndërtuara dhe të mbajtura gjallë përmes rrëfimit të përbashkët që media e riprodhon çdo ditë.
Çfarë ndodhë kur ky rrëfim fragmentohet e falsifikohet? Kur Shqipëria dhe Kosova, këto shtëpi natyrore shqiptare, paraqiten si realitete konkurruese?
Çka ndodhë nëse publikja shqiptare dominohet sall nga gara, gara me Shqipërinë, me krahasimet, krahasimet sall me Kosovën dhe vëtëm me konkurrencën me qëllime djallëzore mes Shqipërisë e Kosovës?
Ndodh shpërbërja e komunitetit shqiptar, sepse media në këtë rast nuk e pasqyron ndarjen, ajo e prodhon ndarjen, ajo e ushqen copëtimin dhe konfliktin.
Paçka, Pierre Bourdieu do ta quante këtë marifet si dhunë simbolike; imponim i një mënyre të të menduarit që paraqitet si neutrale, por që në fakt shërben për ta çarmatosur një shoqëri. Publikut nuk i thuhet “mos u quaj shqiptar”. I thuhet diçka më e sofistikuar: “mos e thekso”. “Mos e komplikoni”. “Nuk është momenti”. Dhe kështu, vetë-censura bëhet ligj.
Në këtë proces, pushteti politik është bashkëfajtor. Në Kosovë dhe në Shqipëri, fjala shqiptar përdoret vetëm deri në ditën e zgjedhjeve. Sapo merret pushteti, ajo zhduket nga fjalori zyrtar. Fjala shqiptar zëvendësohet me gjuhë teknokratike, me fraza boshe për “realitete të reja” dhe “procese integruese evropiane”. Kombi shqiptar bëhet i papërshtatshëm. Shpesh, shumë shpesh “të vjen marre” me u ndje shqiptar, me valvitë flamurin e kombit shqiptar; sepse kjo bigbrother mendësi të sheh si “të shkretë”, “të prapambetur” e “si katundarë”.
Tani unë pyes, ne pyesim, shqiptarët pyesin:
A po i sfidojnë këto dukuri negative mediat shqipe? Përkundrazi, i normalizojnë. I shesin si pjekuri politike. Si “evropianizëm”. Në të vërtetë, kjo është ideologji e frikës së vogël. Frikë nga identiteti. Frikë nga përgjegjësia historike. Frikë nga një publik, e nga një komb, që fillon të pyesë pse është i ndarë, pse është i dobët, pse vendoset për të pa të.
Kjo është gjeo-politikë e nivelit të ulët, por me pasoja afatgjata. Sepse kombet nuk zhduken vetëm me tanke. Zhduken edhe kur mediat u mësojnë njerëzve të kenë turp nga identiteti i tyre.
E them pa dorëza: ky drejtim është i rrezikshëm. Jo sepse fjala shqiptar përjashton të tjerët, por sepse fshirja e saj e zbrazë shoqërinë nga boshti i vet; e një shoqëri pa bosht është e manipulueshme; është depresive.
Një komb pa vetëdije është terren i lirë për interesa të huaja dhe elitat provinciale pa krye .
Në një botë ku të gjithë po forcojnë identitetet e tyre për të mbijetuar në konkurrencë globale, vetëm mediat shqiptare besojnë se shpëtimi vjen nga zbehja dhe katapultimi nga vetvetja.
Konsekuent deri në fund e tek pyetja që të gjithë duhet ta dëgjojmë: nëse mediat dhe politikanët tanë vazhdojnë të tutën nga fjala “shqiptar”, nga kombi i vet, nga historia dhe identiteti i përbashkët, atëherë kush dreqi do ta mbrojë këtë komb kur vetë ata që duhet të jenë gardianët e tij nuk kanë guxim ta thonë as emrin e tij? #MekuliPress.com
