Kurti: Poezia shqipe është dëshmi e qëndrueshmërisë së gjuhës dhe e dinjitetit kulturor
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se së bashku me deputeten Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka takuar një grup krijuesish shqiptarë nga Mali i Zi, të cilët po marrin pjesë në edicionin IV të Festivalit Poetik të Prishtinës, që po mbahet nga 21 deri më 25 janar 2026, nën organizimin e ObserverKult.
Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se në takim me krijuesit Ali Daci, Nikollë Berishaj, Ismet Kallaba, Mark Lucgjonaj, Flutur Mustafa-Pllana dhe Ardita Rexha, është diskutuar për bashkëpunimet kulturore dhe për rolin e letërsisë në forcimin e lidhjeve mes hapësirave shqiptare, me theks të veçantë në prezantimin e letërsisë shqipe nga Mali i Zi brenda programit të festivalit.
“Poezia shqipe nga Plava e Gucia, Ana e Malit dhe Kraja, Tuzi e Ulqini, është dëshmi e qëndrueshmërisë së gjuhës dhe e dinjitetit kulturor, një mënyrë për ta ruajtur kujtesën dhe për ta shtrirë praninë tonë shpirtërore ndër breza, duke e bërë vargun urë nga një vendbanim te tjetri, nga një kujtim te një e ardhme e përbashkët”, ka shkruar Kurti.
