Si u shmangën atentatet ndaj Ibrahim Rugovës pas luftës? Rrëfen ish-pjesëtari i Mbrojtjes së Afërt të Presidentit
Sot janë mbushur 20 vjet nga vdekja e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Presidenti Rugova në 20 vjetorin e vdekjes u përkujtua dhe u vlerësua si një fugurë e pazëvendësushme historike e politike në Kosovë.
Vitet e para të pasluftës ishin mjaft sfiduese edhe për sa i përket situatës së sigurisë në vendin tonë.
Presidenti Rugova ishte cak i disa tentimatentateve, derisa bashkëpunëtorë të ngushtë të tij, si Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Smail Hajdaraj, Shaban Manaj, Ukë Bytyçi etj, u vranë vetëm pikërisht për motive politike.
Ish-pjesëtari i Njësisë së Mbrojtjes së Afërt, Fidair Berisha, ka folur për gazetën “Bota sot” rreth sigurisë së Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në periudhën e pasluftës, duke theksuar rreziqet e shumta dhe përgjegjësinë e madhe që kishte kjo detyrë.
ImageFidair BerishaFoto galeri
“Pas periudhës së pasluftës, në Kosovë ndodhën disa atentate ndaj figurave politike dhe publike, dhe ndaj këtij rreziku nuk ishte imun as Presidenti historik Ibrahim Rugova. Në këtë kontekst, u pa e domosdoshme që sigurinë e Presidentit ta merrte në dorë shteti me mekanizmat e vet të sigurisë, duke ngarkuar Policinë e Kosovës, konkretisht Njësinë për Mbrojtje të Afërt,” shprehet Berisha.
Ai tregon se si pjesëtar i Policisë së Kosovës pati fatin të jetë pjesë e kësaj njësie elitare:
“Si pjesëtar i Policisë e Kosovës, pata fatin të jem pjesë e kësaj njësie, një detyrë që kërkonte përgatitje superiore, përkushtim të lartë, vigjilencë të vazhdueshme dhe koordinim të ngushtë me strukturat e tjera të sigurisë. Angazhimi ynë përfshinte planifikimin e detajuar të çdo lëvizjeje të presidentit, sigurimin e aktiviteteve zyrtare dhe vlerësimin e rreziqeve të mundshme në çdo moment.”
Berisha thekson momentin e besimit institucional nga ana e Presidentit Rugova: “Pas disa atentateve dhe kërcënimeve serioze ndaj jetës së tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ia besoi sigurinë personale pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Ky akt besimi nuk ishte vetëm një vendim personal, por edhe një tregues i rëndësishëm i konsolidimit të institucioneve të sigurisë në Kosovë. Bashkëpunimi ynë kontribuoi në ruajtjen e stabilitetit institucional dhe në garantimin e ushtrimit të lirë të funksionit të tij në një periudhë sfiduese për shtetin.”
Duke folur për përgjegjësinë profesionale dhe morale të kësaj detyre, ai shton:
“Detyra e mbrojtjes së Presidentit Rugova përfaqësonte një përgjegjësi të lartë profesionale dhe morale. Aktivitetet e punës në këtë detyrë kërkonin vigjilencë të lartë, përkushtim maksimal dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Fakti që gjatë kësaj periudhe nuk pati asnjë tentim atentati është dëshmi e efektivitetit të njësisë dhe e besimit që Presidenti Rugova kishte ndaj pjesëtarëve të Njësisë për Mbrojtje të Afërt.”
Berisha nënvizon se Mbrojtja e Afërt ishte shumë më tepër se siguri fizike:
“Mbrojtja e Afërt nuk ishte vetëm mbrojtje fizike; ajo përfaqësonte edhe një përgjegjësi institucionale dhe morale për të garantuar që figura më e lartë e shtetit të ushtronte detyrën e tij në një ambient të sigurt. Kjo detyrë vazhdoi deri më 21 janar 2006, datë kur Presidenti Rugova u nda nga jeta.”
Në fund, ai përmbyll: “Përvoja ime në këtë detyrë mbetet një nga momentet më të rëndësishme dhe të paharrueshme në karrierën time, duke konkluduar se mbrojtja e institucioneve dhe figurave të larta është jo vetëm një detyrë, por edhe një nder dhe akt patriotik.”
