Kurti përkujton 20-vjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës: Arkitekt i pluralizmit dhe ndërkombëtarizimit të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 20-vjetorin e vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës, duke e cilësuar atë si Presidentin e Parë të Kosovës, lider të shquar politik, intelektual të angazhuar dhe studiues të spikatur të letërsisë.
Në një shkrim përkujtimor, Kurti ka theksuar se periudha e pluralizmit politik, demokratizimit dhe ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës është e lidhur pazgjidhshmërisht me emrin e Ibrahim Rugovës. Ai rikujtoi se Rugova ishte kryetar i parë dhe më jetëgjatë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga themelimi i saj në dhjetor të vitit 1989 deri në vdekjen e tij më 21 janar 2006.
Sipas Kurtit, Rugova udhëhoqi Kosovën në një nga periudhat më të vështira të saj, në kohën e regjimit të apartheidit të vendosur nga Serbia, duke u zgjedhur President i Republikës së Kosovës më 24 maj 1992. Ai nënvizoi se, ndonëse Republika e Kosovës nuk njihej ndërkombëtarisht, përveç Shqipërisë, Rugova arriti të imponohej si President dhe të takonte liderë botërorë, përfshirë edhe Presidentin amerikan Bill Clinton.
Kryeministri vuri në pah urtësinë, konsistencën dhe përkushtimin e Rugovës ndaj rezistencës paqësore, duke theksuar se këto vlera i hapën Kosovës dyert e forumeve ndërkombëtare dhe e orientuan qartë vendin drejt Perëndimit. Ai kujtoi gjithashtu se Rugova ishte President i Kosovës si para ashtu edhe pas çlirimit, duke mbetur në detyrë deri në vdekjen e tij.
Në shkrim u përmend edhe jeta personale dhe akademike e Rugovës, nga lindja e tij në Cerrcë të Istogut në vitin 1944, humbja e babait në rrethana të rënda historike, deri te formimi i tij si studiues i gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe puna shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Kurti theksoi se trashëgimia politike e Dr. Ibrahim Rugovës është e pranishme në të gjitha institucionet kryesore të Kosovës dhe se ai ka zënë një vend të veçantë në historinë politike dhe kulturore të vendit.
“Ibrahim Rugova mbetet figurë themelore e shtetndërtimit të Kosovës”, thuhet në përmbyllje të shkrimit përkujtimor të Kryeministrit.
Shkrimi i plotë:
Në 20 vjetorin e vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës
Në ditën kur janë bërë dy dekada nga dita e vdekjes së tij, e përkujtojmë Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e Parë të Kosovës, liderin e shquar politik, intelektualin e angazhuar dhe studiuesin e spikatur të letërsisë.
Në historinë e shtetndërtimit të Kosovës, periudha e pluralizmit partiak, e demokratizimit dhe e ndërkombëtarizimit të çështjes së vendit tonë, është e lidhur pashqitshëm me emrin e Ibrahim Rugovës. Ai ishte kryetari i parë dhe më jetëgjatë i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 dhe deri kur ai vdiq më 21 janar 2006. Andaj, i tërë roli dhe kontributi politik i Dr. Rugovës ishte i prejardhur dhe i artikuluar bashkë me një plejadë njerëzish me profile të ndryshme profesionale, që veçanërisht gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, u angazhuan publikisht dhe politikisht përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i qëndruan pranë Kryetarit Rugova.
Në një kohë tejet të vështirë kur Serbia kishte vendosur një regjim apartheidi në Kosovë, Ibrahim Rugova u vendos në krye të një shteti juridikisht dhe politikisht unik, duke u votuar e zgjedhur President i Kosovës më 24 maj 1992, asaj Republike të Kosovës që e kishin shpallur delegatët e saj më 7 shtator 1990 në Kaçanik, një vit e gjysmë pasi Serbia ia kishte suprimuar autonominë Kosovës, më 23 mars 1989. Pikërisht atëherë kur më së shumti Serbia këmbëngulte që nuk ka një Republikë të Kosovës dhe kur askush përveq Republikës së Shqipërisë nuk e njihte ekzistencën e saj, Ibrahim Rugova si President i Republikës së Kosovës, arriti të imponohej si i tillë duke u takuar edhe me liderë botërorë deri te Presidenti i ShBA-së, Bill Klinton.
Urtësia e tij në mendim dhe veprim, si dhe konsistenca e tij në rrugën e rezistencës paqësore, i hapën rrugë Kosovës në shumë forume dhe tryeza diskutimi. Ibrahim Rugova ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës drejt Perëndimit dhe për ndërkombëtarizimin e drejtë të çështjes së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të para të dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Ai ishte Presidenti i Parë i Republikës së Kosovës, republikës sonë të parë, të shpallur për rezistencë, por ishte edhe Presidenti i Parë i Kosovës pas çlirimit të saj. Më 21 janar 2006, Ibrahim Rugova vdiq duke qenë ende në detyrën e Presidentit të Kosovës. Vetë institucioni i Presidencës së Republikës së Kosovës, është i shenjuar nga personaliteti i tij dhe ushtrimi i gjatë i atij funksioni prej Presidentit Rugova.
Ibrahim Rugova ka lindur në Cerrcë të Istogut, në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore, më 2 dhjetor 1944, në një kohë kur po riokupoheshim në emër të çlirimit e kur Serbia po e operacionalizonte projektin e saj për pushtimin e Kosovës. Ai nuk e njohu fare babain e tij Ukën, meqë pikërisht në atë kohë të trazuar, si luftëtar vullnetar për mbrojtjen e Kosovës nga formacionet çetnike serbe, ai u zhduk së bashku me babain e tij prej shërbimit të fshehtë jugosllav, më 10 janar 1945.
Pas përfundimit të shkollimit fillor në Istog dhe atij të mesëm në Pejë, Ibrahim Rugova studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës, duke i ndjekur të gjitha nivelet e studimit deri më 1984, kur doktoroi. Ai punoi si hulumtues i letërsisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku botoi dhjetëra studime, artikuj dhe libra studimorë. Ky studiues i letërsisë dhe i gjuhës, u fut në skenën politike në moshën 45 vjeçare, bashkë me kujdesin e tij për gjuhën dhe fjalën e shkruar.
Trashëgimia politike e Dr. Ibrahim Rugovës, është e kudondodhur gjithandej universit të politikëbërjes në Kosovë: nga LDK-ja te Kuvendi dhe Presidenca e Kosovës dhe nga bashkëpunëtorët e dikurshëm të tij, te trasuesit e rrugës së tij politike. Dr. Ibrahim Rugova, ka zënë vend më vete në historinë e politikës dhe kulturës në Kosovë.
Mes kujtimesh dhe nderimesh për Dr. Ibrahim Rugovën, të parin President të Kosovës, në historinë e shtetndërtimit të saj.
