Voca: Qeveritë e kaluara ishin servile, Kurti tregoi se sovraniteti nuk ndërtohet duke shtyrë vendimet
Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku Albin Kurti doli si kandidati me numrin rekord të votave në nivel vendi, duke u konfirmuar si figura më e fuqishme politike në Kosovë, është hapur debati për sfidat që e presin mandatin e tij të ri, veçanërisht në raport me aleatët perëndimorë dhe menaxhimin e fuqisë së brendshme politike.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Dr. Mirsad Voca, vlerëson se ky rezultat e konsolidon qartë pozitën e Kurtit në planin e brendshëm, por njëkohësisht e vendos atë përballë një prove të njohur për Kosovën: mënyrën se si legjitimiteti i fuqishëm qytetar përkthehet në marrëdhënie funksionale dhe të qëndrueshme me partnerët perëndimorë.
Sipas Vocës, raporti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian mbetet dimension kyç për pozicionimin ndërkombëtar të Kosovës. Ai thekson se përplasjet gjatë mandatit të kaluar janë interpretuar shpesh si shenja konfrontimi, por ky vlerësim, sipas tij, është i pjesshëm.
“Në shumë raste, dallimet nuk ishin ideologjike apo strategjike, por lidhen me qasjen ndaj çështjeve konkrete të sundimit të ligjit dhe sovranitetit shtetëror, veçanërisht në veri të Kosovës”, vlerëson Voca.
Ai nënvizon se qasja e Albin Kurtit ndaj komunave me shumicë serbe nuk ishte konfrontuese në kuptimin klasik, por qartësisht shtetndërtuese. Sipas tij, për herë të parë pas shumë vitesh, autoriteti i shtetit u shtri realisht në gjithë territorin e Kosovës, duke u përballur me struktura kriminale që kishin mbijetuar falë kompromisieve të tepruara të qeverive të mëparshme.
“Pikërisht aty ku qeveritë e kaluara, shpesh në emër të ‘stabilitetit’ dhe nën presion diplomatik, kishin zgjedhur një qasje servile ndaj ambasadave të huaja, problemet reale u shtynë dhe status quo-ja u ngrirë. Ky model nuk prodhoi normalizim dhe dobësoi sovranitetin funksional të shtetit”, thekson ai.
ImageMirsad VocaFoto galeri
Nga kjo perspektivë, Voca vlerëson se rezultatet e arritura në komunat me shumicë serbe, e bëjnë të vështirë argumentimin se qasja e Kurtit ka qenë e gabuar.
“Përkundrazi, ajo tregoi se sundimi i ligjit dhe integriteti territorial nuk mund të ndërtohen përmes shtyrjes së vazhdueshme të vendimeve”, shprehet ai.
Megjithatë, eksperti thekson se bashkëpunimi me aleatët perëndimorë mbetet thelbësor për Kosovën. Sipas tij, sfida për qeverinë e re nuk është të heqë dorë nga qasja shtetndërtuese, por ta integrojë atë në një kornizë më të menaxhuar diplomatike.
“Bashkëpunimi nuk duhet të nënkuptojë delegim të vendimmarrjes së brendshme. Nëse Kosova trajtohet si partnere e barabartë dhe si shtet sovran, atëherë duhet t’i lejohet të adresojë krimin e brendshëm, përfshirë në veri, sipas ligjit dhe Kushtetutës së saj, duke respektuar standardet dhe vlerat perëndimore”, thekson Voca.
Në këtë kontekst, ai vlerëson se raporti me aleatët ndërkombëtarë përbën një nga sfidat më të mëdha për Kurtin në mandatin e ri.
“Jo sepse Kosova ka humbur mbështetjen perëndimore, por sepse kjo mbështetje kërkon menaxhim politik më të pjekur dhe komunikim më të strukturuar. Sovraniteti dhe bashkëpunimi nuk janë kundërthënie. Një shtet funksional, me institucione që veprojnë në gjithë territorin, është në interes të Kosovës, por edhe të vetë aleatëve të saj perëndimorë”, përfundon Voca për “Bota sot”.
