LDK mes dy zjarreve: Politologu tregon faktorët që përcaktojnë fatin e Abdixhikut
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se do të ofrojë dorëheqjen nga posti i kryetarit.
Ai ka theksuar se ndihet i obliguar moral dhe politik të marrë përgjegjësinë për situatën brenda partisë.
“E kam obligim moral, politik të sjelljes time që të marrë përgjegjësinë dhe organizimin politik të LDK-së, përmes ofrimit te Kuvendi i LDK-së së dorëheqjes si kryetar i LDK-së dhe më pas Kuvendi le të vendosë përmes votës se a e pranojnë apo jo këtë dorëheqje. Po ashtu secili ka të drejtën e garantuar që deri atëherë të shtrojë kandidaturën individuale për kreun e LDK-së”, ka thënë ai.
Dorëheqja e tij do të vihet përpara Kuvendit të LDK-së, i cili do të vendosë përmes votës nëse e pranon apo jo.
Lidhur me këtë, politologu Fahredin Majkovci, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se deklarata e Abdixhikut për dorëheqje pasqyron krizën e thellë politike brenda LDK-së.
ImageFahredin MajkovciFoto galeri
Ai ka theksuar se LDK, dikur partia me mbështetje të madhe, prej vitit 2006 ka pësuar rënie të vazhdueshme elektorale, duke humbur besimin e qytetarëve.
“Deklarata e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për ofrimin e dorëheqjes, por edhe mundësinë e qëndrimit në krye të partisë nëse ajo nuk pranohet, pasqyron situatën e vështirë politike në të cilën ndodhet LDK-ja.
Si partia më e vjetër dhe ndër më me peshë në vend, LDK që nga viti 2006 është përballur me rënie të vazhdueshme elektorale. Nga rreth 360 mijë vota dikur, në gjashtë vitet e fundit ka rënë nën 200 mijë vota, duke humbur gradualisht besimin qytetar.
Edhe gjatë lidershipit të Abdixhikut ka pasur pritje të mëdha që nuk janë përmbushur, ndërsa rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit e ka thelluar krizën e brendshme. Në këto rrethana, dorëheqja ka qenë e pritshme dhe do të përfaqësonte një akt përgjegjësie politike, si hap i domosdoshëm drejt reflektimit dhe reformimit të LDK-së”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Majkovci ka shtuar se për LDK-në më e rëndësishme se dorëheqja është nevoja për reformë të thellë dhe rikthim të besimit qytetar.
“Dilema kryesore për LDK-në nuk është vetëm pranimi apo jo i dorëheqjes së kryetarit, por nevoja urgjente për analizë të thellë, reformë reale dhe rikthim të besimit qytetar, nëse synon të rifitojë rolin e saj historik në skenën politike të Kosovës”, ka theksuar ai.
Tutje, Majkovci ka zbuluar se nga çka varet shkarkimi i Abdixhikut.
“Mundësia që Lumir Abdixhiku të shkarkohet nga kreu i LDK-së varet nga disa faktorë kyç, si të brendshëm ashtu edhe të jashtëm.
Në aspektin e brendshëm, vendimtare janë qëndrimet e strukturave partiake. Aktualisht, shumica e tyre duket se janë të prirura të i japin mbështetje Abdixhikut për të vazhduar në krye të partisë, pavarësisht rritjes së zërave kritikë dhe pakënaqësive që po artikulohen gjithnjë e më hapur brenda LDK-së pas rezultateve zgjedhore.
Një çështje tjetër thelbësore është mungesa e një alternative të qartë.
Shtrohet pyetja nëse LDK sot ka një personalitet, brenda apo jashtë strukturave aktuale, që do të mund të sillte frymën e ndryshimit, reformimit dhe rritjes elektorale. Për momentin, nuk duket se ekziston një figurë e tillë që do ta bënte të pashmangshëm ndryshimin e lidershipit.
Sa i përket faktorëve të jashtëm, pozicionimi i LDK-së në procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe qëndrimi ndaj një koalicioni eventual me Lëvizjen Vetëvendosje do të jenë vendime përcaktuese.
Të dyja këto çështje kërkojnë përgjigje të shpejta dhe të qarta, pasi do të ndikojnë drejtpërdrejt jo vetëm në orientimin politik të LDK-së, por edhe në fatin politik të kryetarit të saj”, ka përfunduar Majkovci.
