Zhvillimet e fundit në LDK, ja çfarë paralajmëron Voca
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Dr. Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për zhvillimet në Lidhjen Demokratike të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Ai është shprehur se se dorëheqja e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut është një akt personal dhe vullnetar që nuk kërkon miratim nga askush
Voca ka shtuar se e ardhmja e Abdixhikut dhe LDK-së varet nga mënyra se si dorëheqja menaxhohet: nëse formalizohet, mund të nisë riorganizimi i partisë; nëse jo, mund të thellojë ndarjet dhe konfuzionin brenda partisë.
ImageEksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Dr. Mirsad VocaFoto galeri
“Deklarata e Lumir Abdixhikut krijon më shumë paqartësi sesa qartësi politike. Dorëheqja, në thelb, është akt individual dhe vullnetar, dhe si e tillë nuk kërkon „pranim“ nga askush. Nëse nje kryetar partie vendos të largohet, askush nuk mund ta detyrojë të qëndrojë në atë pozitë. Kjo është e vërtetë si në aspektin politik, ashtu edhe në parim institucional.
Formulimi se „nëse dorëheqja nuk pranohet, do të detyrohem të qëndroj“ e zhvendos debatin nga përgjegjësia politike te një situatë artificiale procedurale. Në praktikë, kjo e dobëson aktin e dorëheqjes si mjet reflektimi dhe hapjeje politike, duke e kthyer atë në një instrument presioni ndaj strukturave të partisë.
Sa i përket fatit të Abdixhikut, gjithçka varet nga mënyra se si ai e menaxhon këtë moment. Nëse dorëheqja formalizohet, ajo do të hapte rrugë për një proces të brendshëm riorganizimi dhe reflektimi në LDK. Nëse jo, rrezikon të thellojë konfuzionin dhe ndarjet e brendshme, duke e dobësuar më tej kohezionin partiak”, ka thënë ai.
Po ashtu, Voca ka theksuar se shkarkimi formal i kryetarit të LDK-së është i mundur vetëm sipas statutit, por politikisht do të tregonte krizë udhëheqjeje.
“Mundësia e shkarkimit nga posti i kryetarit është formalisht e mundur vetëm përmes mekanizmave statutorë të LDK-së, por politikisht ajo do të ishte simptomë e një krize më te thellë udhëheqjeje. Në këtë fazë, më e rëndësishme se emri i kryetarit është qartësia e procesit sepse LDK-ja ka nevojë për vendime të pastra, transparente dhe të kuptueshme për opinionin publik.
Problemi nuk është nëse Abdixhiku „lejohet” të japë dorëheqje, por nëse LDK-ja është e gatshme ta shfrytëzojë këtë moment për reflektim real dhe rikthim të qartësisë politike”, ka përfunduar Voca.
