Halilaj paralajmëron revolucion politik: Diaspora nuk do të jetë më thjesht votuese!
Diaspora ka dëshmuar në shumë momente se është një pjesë thelbësore e Kosovës, jo vetëm përmes mbështetjes ekonomike, por edhe përmes përfshirjes së saj në proceset politike.
Në zgjedhjet e fundit, pjesëmarrja e diasporës ishte më e lartë dhe ndikimi i saj u reflektua ndjeshëm në rezultatet përfundimtare.
Mirëpo, a ka ardhur koha që diaspora të ketë ulëse të veçanta në Kuvendin e Kosovës, duke kaluar nga një rol thjesht votues në një përfaqësim të drejtpërdrejtë institucional?
E për këtë çështje për “Bota sot” foli avokati Gazmend Halilaj, i cili e vlerësoi lartë rolin e diasporës në Kosovë dhe tregoi se sa është e realizueshme juridikisht një gjë e tillë.
Së pari, ai potencoi se diaspora e ka ndihmuar shtetin tonë jo vetëm me remitanca, por edhe me mbështetje në proceset demokratike.
ImageGazmend HalilajFoto galeri
“Diaspora e Kosovës, prej dekadash, ka qenë një shtyllë e rëndësishme e qëndrueshmërisë ekonomike, sociale dhe politike të shtetit. Kontributi i saj nuk është kufizuar vetëm në remitenca financiare, por ka përfshirë edhe mbështetje të drejtpërdrejtë për proceset demokratike, veçanërisht në zgjedhje. Rritja e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhjet e fundit ka dëshmuar qartë se ajo nuk është më një faktor periferik, por një aktor me peshë reale në formësimin e vullnetit politik”.
E kur jemi të mundësia e ndarjes së disa ulësve në Kuvend për mërgatën, Halilaj tha se kjo është e mundur, vetëm se duhet një konsensus të gjerë politik dhe shoqëror.
Sipas tij, një vendim i tillë është në interes të Kosovës, ku ta shndërronte diasporën nga një trup votues episodik në një subjekt politik të integruar.
“Në këtë kontekst, shtrohet me të drejtë pyetja nëse modeli aktual i përfshirjes së diasporës – i kufizuar kryesisht në të drejtën e votës – është i mjaftueshëm. Nga këndvështrimi juridik dhe kushtetues, ideja e ulëseve të veçanta për diasporën në Kuvendin e Kosovës nuk është e pamundur, por do të kërkonte ndryshime të qarta kushtetuese dhe ligjore, si dhe një konsensus të gjerë politik dhe shoqëror.
Rëndësia e një përfaqësimi të drejtpërdrejtë institucional të diasporës do të qëndronte në faktin se interesat e saj specifike – çështjet e shtetësisë, votimit, investimeve, arsimit dhe lidhjes me institucionet e Kosovës – do të artikuloheshin në mënyrë të strukturuar dhe të vazhdueshme brenda Kuvendit. Kjo do ta forconte demokracinë përfaqësuese dhe do ta shndërronte diasporën nga një trup votues episodik në një subjekt politik të integruar”, tregoi ai.
Më tej, avokati foli se sa është e realizueshme një gjë e tillë, derisa përmendi modelet ndërkombëtare.
Madje, potencoi se ulëset për diasporë, duhet shihen si reflektim i realitetit demografik dhe politik të Kosovës dhe jo privilegj.
“Sa i përket realizueshmërisë, një nismë e tillë është e mundur vetëm nëse ndërtohet mbi parimin e barazisë së votës, transparencës dhe shmangies së keqpërdorimit politik. Modelet ndërkombëtare tregojnë se përfaqësimi i diasporës funksionon kur ai shoqërohet me kritere të qarta, numër të kufizuar ulësesh dhe mekanizma të fortë llogaridhënieje.
Në përfundim, debati për ulëset e diasporës në Kuvend nuk duhet parë si privilegj, por si reflektim i realitetit demografik dhe politik të Kosovës. Nëse synojmë një demokraci më gjithëpërfshirëse dhe më funksionale, atëherë përfshirja institucionale e diasporës është një temë që meriton diskutim serioz dhe pa paragjykime”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.
1 koment
