Nga Brukseli i bllokuar te Uashingtoni i vendosur: A po ndryshon fati i dialogut Kosovë–Serbi?
Ndërsa procesi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian shihet gjithnjë e më shumë si i bllokuar dhe pa rezultate konkrete, në Uashington po shfaqen sinjale për një rifokusim amerikan në Ballkanin Perëndimor.
Përfshirja e Kosovës dhe Serbisë në dokumentin e Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së konsiderohet një përpjekje e drejtpërdrejtë e Kongresit amerikan për të ushtruar presion politik ndaj dy vendeve, me synimin që dialogu të dalë nga ngërçi aktual dhe të avancojë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Sipas ish-zyrtarit të lartë amerikan Charles Kupchan, ky dokument sinjalizon rritje të shqetësimit në Uashington për stabilitetin e rajonit dhe një përpjekje për ta shtyrë administratën Trump që të angazhohet më aktivisht në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, proces që presidenti amerikan do të dëshironte ta shndërronte në një nga arritjet kryesore të politikës së tij të jashtme.
“Në Kongres, si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senat, ka shumë ligjvënës që e njohin mirë Ballkanin. Prandaj kemi një draft të hartuar posaçërisht për këtë rajon. Ndryshe nga administrata Biden, administrata Trump nuk ka qenë e fokusuar në sigurinë evropiane, dhe ky është një përpjekje e Kongresit për ta shtyrë Shtëpinë e Bardhë – përfshirë edhe sekretarin Rubio – që ta marrë seriozisht këtë axhendë”, thekson ai.
E për këtë, njohësit folën mbi atë se sa janë reale shanset që dialogu Kosovë–Serbi të ringjallet këtë vit dhe a mund të marrë ai një drejtim të ri nëse Shtetet e Bashkuara rikthehen në rolin udhëheqës.
Azemi: Kosova në orbitën e doktrinës Trump
E për këtë çështje për “Bota sot” foli publicisti Emin Azemi.
Si fillim, ai tha se me zhvillimet e fundit gjeopolitike, bota po hyn në një epokë të re.
Ai vlerëson se tani presidenti Trump do i diktoj disa rregulla të lojës, megjithëse nuk beson se Kosova do jetë në agjendën e tij në muajt në vijim.
“Në kohën kur zhvillimet në botë po ndodhin me një ritëm të pazakont dhe dalngadalë po hyjmë në një epokë të re, me një rend të ri botëror, ku Doktrina Trump si duket do t’i diktoj disa rregulla të lojës, shumëçka që mund të parashikojmë, përfshi edhe kontekstin e quajtur Kosovë, do të varet nga parametrat e sipëpërmendur.
Nuk mendoj se Uashingtoni do të ketë kohë të merret me Kosovën në muajt në vijim, pavarësisht dokumentit që ju citoni, i cili sigurisht që do të jetë i zbatueshëm, por në disa rrethana krejt tjera. Kjo edhe për shak të angazhimeve dhe objektivave tepër serioze që Presidenti Trump ia ka parashtru vetes, që si emërues të përbashkët kanë rinkonfigurimin e interesave amerikane në të ashtuquajturën Hemisfera Perendimore, ku gjithsesi bën pjesë edhe (mos)aneksimi i Grenlandës, si dhe vazhdimi i aksioneve të mundshme në shtetet tjera të Amerikës Latine (Meksikë, Kolumbi etj.) si reprizë e asaj që ndodhi në Venezuelë”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Azemi nuk përjashtoi mundësinë që të ketë zhvillime të tjera e të cilat natyrshëm do nxisnin edhe ndryshime në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
Sa i përket dialogut mes palëve, ai konsideron se Kosova është në një pozicion më të mirë, duke përmend edhe pozitën e keqe të Vuçiqt në sytë e BE-së dhe SHBA-së, pas arrestimit të Maduros.
“Tani kur jemi dëshmitarë të këtyre zhvillimeve dramatike, nuk mund të flasim më për situata të reja me terma të rinj diplomatik e gjeopolitik. Shumëçka që pritet të ndodhë, madje edhe në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, do të varet nga ky dimensionim global i interesave amerikane dhe nga një rigurpim eventual i fuqive të tjera (Rusi, Kinë) si kundërvënie ndaj këtyre interesave.
Ne nuk duhet të harrojmë se konflikti në Ukrainë nuk ka përfunduar, në Lindje të Mesme kemi një situatë të brishtë, as luftë-as paqe, ndërkohë që situata në Iran duket se po merr dinamikë gjithnjë e më të fortë, me tendencë që atje gjednja të përshkallëzohet në luftë civile. Epilogu mund të jetë rënia e Ajatollahëve, por me një çmim që askush nuk mund ta parashikoj tani për tani.
Kur flasim për dialogun Kosovë-Serbi dhe mundësinë e “ringjalljes” së tij, siç e thuani ju, duhet pasur parasysh të gjitha këto rrethana të sipërpërmendura. Nëse deri dje BE-ja ishte nxitëse dhe formatuese e dialogut Kosovë-Serbi, sot kur po flasim për këtë temë, gjërat kanë filluar të zhvendosen dhe të shikohen në një prizëm tjetër. Vuçiqi, përfundimisht, nuk është më ai “qengji i butë” i Perendimit, për faktin se ai nuk mundi t’i fesh “brirët” që i dolën pas kapjes së Maduros, ku dolën në shesh lidhjet që kishin patur në mes veti këta dy personazhe me ambicje të përbashkëta mafioze-antimaerikane. Pra, tani lirisht mund të flasim për raporte të ftohura në mes të Vuçiqit dhe Uashingtonit dhe për distancim të butë të Brukselit ndaj regjimit të Beogradit. Për rrjedhojë, pozita e Kosovës në këtë konfigurim të ri situatash, nuk qëndron keq, aq më tepër që shteti i Kosovës viteve të fundit ka dëshmuar në praktikë se është i aftë të mbrohet nga diversienet serbo-ruse mbi sovranitetin e saj”, shtjelloi ai.
ImageEmin AzemiFoto galeri
Ndër të tjera, publicisti shtoi se, Trump nuk do rri duarkryq ndaj zhvillimeve në Ballkan, derisa nënvizoi se interesat afatgjate të Kosovës do të jenë ngushtësisht të lidhura me ligjin e miratuar së fundi në Kongres.
“Përfundimisht administrata e Presidentit Trump nuk do të qëndroj duarkryq kundrejt zhvillimeve rajonale në Ballkanin Perendimor, përfshi edhe Kosovën, por nuk mund të presim presione të natyrave të mëparshme, kur situatën e menaxhonte Riçard Grenell, i cili doli të jetë një lobues serb në dëm të interesave të Kosovës.
Nëse i referohemi dokumentit të Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Kosova nuk do të jetë e përjashtuar nga Doktrina Trump. Përkundrazi, interesat afatgjate të Kosovës do të jenë ngushtësisht të lidhura me këtë doktrinë dhe kjo na jep të kuptojmë se shqiptarët si komb promaerikan të ndodhur në vijën diferencuese në mes të interesvave ameriane dhe ruse në Ballkan, do të ndërtojnë një pozicion që do t’iu garantonte atyre ardhmëri dhe prospritet”, përfundoi Emin Azemi për “Bota sot”.
Nimani: Një përfshirje më aktive e SHBA-së mund ta rrisë kredibilitetin e procesit të dialogut
Kurse, Artan Nimani vlerëson se përfshirja e Kosovës në ligjin e ri të SHBA-së, nuk është rastësore.
Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi, për politikën amerikane është i një rëndësie të veçantë.
“Përfshirja e Kosovës në dokumente strategjike si Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së nuk është rastësore dhe as simbolike. Ajo tregon se Uashingtoni vazhdon ta shohë Ballkanin Perëndimor, dhe veçanërisht raportin Kosovë–Serbi, si çështje me ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin euroatlantik. Në këtë kuptim, vlerësimi i z. Kupchan për një “presion konstruktiv” është realist: SHBA synon të shtyjë palët drejt përgjegjësisë politike, funksionalitetit institucional dhe rikthimit të dialogut në një fazë më serioze”.
ImageArtan NimaniFoto galeri
Krahas kësaj, Nimani në prononcimin për “Bota sot” u shpreh se ka gjasa që të “ringjallet” dialogu mes dy palëve, nëse SHBA ka një përfshirje më të madhe.
“Sa i përket mundësisë së “ringjalljes” së dialogut gjatë këtij viti, ajo ekziston, por nuk është automatike. Një përfshirje më aktive e SHBA-së mund ta rrisë kredibilitetin e procesit, veçanërisht në një moment kur BE-ja perceptohet si e fragmentuar, me mungesë të qartësisë strategjike dhe instrumenteve efektive të presionit. Megjithatë, dialogu nuk mund të ecë përpara pa stabilitet politik të brendshëm, vullnet real për kompromis dhe koordinim të ngushtë transatlantil”, nënvizoi ai.
Në vazhdim, foli edhe për mundësinë e një marrëveshje finale mes Kosovës e Serbisë, derisa përmendi disa pika kyçe që ajo duhet të përmbajë.
“Në lidhje me një marrëveshje finale me njohje reciproke, kjo mbetet objektivi strategjik më i drejtë dhe më i qëndrueshëm për Kosovën, por edhe më i vështiri për t’u arritur. SHBA-ja mund të luajë rol kyç si garantuese politike dhe sigurie, por marrëveshja nuk mund të imponohet. Ajo duhet të ndërtohet mbi parime të qarta: sovranitetin e Kosovës, funksionalitetin e shtetit dhe integrimin euroatlantik të rajonit. Pa këto elemente, çdo marrëveshje do të ishte e përkohshme dhe e brishtë”.
Në fund, Nimani shtoi se, “nuk kemi të bëjmë me dështim total të BE-së, por me nevojën për një fazë të re ku SHBA dhe BE veprojnë së bashku, me role të qarta. Vetëm një qasje e tillë mund ta nxjerrë dialogun nga stagnimi aktual dhe ta orientojë drejt një zgjidhjeje përfundimtare”.
