Shumicë absolute, por jo qeverisje automatike/ Eksperti tregon sfidat që e presin Kurtin
Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor dhe fitores së qartë të Lëvizjes Vetëvendosje me shumicë absolute në Kuvend, vëmendja është zhvendosur te procesi i formimit të institucioneve të reja dhe sfidat që e presin qeverinë Kurti.
Përkundër mandatit të fuqishëm elektoral, Kosova po hyn në një fazë delikate, ku përvoja e bllokadave të mëparshme institucionale mbetet një barrë serioze për funksionimin e shtetit dhe ritmin e reformave.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Dr. Mirsad Voca, vlerëson se formimi i qeverisë Kurti nuk ka pengesa formale, pasi Vetëvendosje ka fituar qartë 51 për qind të votave, duke siguruar shumicën absolute parlamentare.
Sipas tij, megjithatë, shumica numerike nuk përkthehet automatikisht në funksionim të shpejtë institucional.
“Përvoja e deritanishme tregon se shumicë e qartë nuk garanton automatikisht funksionim të shpejtë të institucioneve, për shkak të tensioneve politike dhe ngërçeve të trashëguara nga periudha e mëparshme. Nëse ka gatishmëri për bashkëpunim institucional dhe fleksibilitet politik, qeveria mund të formohet shpejt, por çdo vonesë do të ndikojë në ritmin e reformave dhe perceptimin publik”, thekson Voca.
Ai shton se skenari që e pret Kosovën varet drejtpërdrejt nga aftësia e qeverisë së re për të kaluar nga logjika e fushatës zgjedhore në logjikën e qeverisjes.
Sipas Vocës, një qeveri që mbështetet vetëm në legjitimitetin elektoral, pa ndërveprim institucional dhe pa koordinim me partnerët ndërkombëtarë, rrezikon të futet shpejt në cikle të reja krizash politike.
“Në të kundërt, një qasje institucionale dhe gjithëpërfshirëse mund të krijojë stabilitet minimal dhe të rikthejë funksionalitetin e shtetit, duke hapur rrugën për normalizimin e qeverisjes dhe rindërtimin e besimit institucional”, vlerëson Voca.
Sa i përket sfidave kryesore, Voca thekson se polarizimi i thellë politik dhe kriza e besimit institucional janë pengesat më të mëdha që e presin qeverinë e re.
“Funksionimi efektiv i institucioneve, ndërtimi i bashkëpunimit me opozitën dhe shoqërinë civile, si dhe rifitimi i besimit të partnerëve ndërkombëtarë, do të jenë faktorë kyç për suksesin e qeverisjes. Besimi publik nuk është dëmtuar nga legjitimiteti i Vetëvendosjes, por nga vonesa dhe bllokada pothuajse njëvjeçare, që pengoi funksionimin normal të shtetit dhe ritmin e reformave”, thekson ai.
“Jo të gjitha pasojat e bllokadës institucionale mund të kompensohen shpejt, por një qeveri me stabilitet politik, qartësi programore dhe performancë konkrete mund të rikthejë gradualisht kredibilitetin e Kosovës, të përshpejtojë reformat dhe të forcojë funksionimin e institucioneve, duke u ofruar qytetarëve rezultate të prekshme dhe duke afirmuar më tej pozicionin e vendit në arenën ndërkombëtare”, përfundon Voca për “Bota sot”.
