OPINIONTË FUNDIT

Rrezikohen zgjedhjet e reja? Haziri jep alarmin pas deklaratave të Kurtit për presidentin

Deklaratat e sotme të kryeministrit Albin Kurti lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentes apo presidentit të ri të Kosovës, në prill të vitit të ardhshëm kur i përfundon mandati presidentes Vjosa Osmani, kanë rihapur debatin politik për rrezikun e një krize të re institucionale dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Në këtë kontekst, analisti politik Nexhat Haziri vlerëson se partitë politike duhet me çdo kusht t’i shmangin zgjedhjet e reja, duke theksuar se Kosova nuk e ka luksin të futet sërish në cikle të shpeshta zgjedhore dhe kriza të vazhdueshme politike.

“Unë mendoj se partitë politike duhet t’i shmangin zgjedhjet me çdo kusht. Kosova nuk e ka komoditetin të thellohet në krizë institucionale e politike dhe daljen ta shohë vetëm përmes zgjedhjeve çdo tre-katër muaj”, thekson Haziri.

ImageNexhat HaziriFoto galeri
Sipas tij, përveç kostos së lartë financiare, zgjedhjet e shpeshta dëmtojnë rëndë edhe besimin e qytetarëve ndaj klasës politike dhe e dëmtojnë imazhin e Kosovës në sytë e ndërkombëtarëve.

“Kjo na nxjerr si një shoqëri e paaftë për të ndërtuar demokraci dhe shtet funksional, gjë që është shumë e dëmshme për vendin”, shprehet analisti.

Haziri vlerëson se përgjegjësia kryesore në këtë proces i takon kryeministrit Kurti, si lider i partisë më të madhe parlamentare, por edhe partive të tjera politike, të cilat sipas tij duhet të arrijnë konsensus për të evituar zgjedhjet.

“I takon Kurtit, si lider i partisë më të madhe, por edhe partive të tjera parlamentare, që përmes një konsensusi të shmangin zgjedhjet duke u pajtuar për një kandidat konsensual”, thotë Haziri, duke shtuar se një qasje e tillë është edhe në interes të faktorit ndërkombëtar në Kosovë.

Ai rikujton se edhe më herët ka deklaruar se Kosovës i duhet një presidente apo president konsensual, i cili do t’i shërbente më së miri demokracisë dhe funksionimit kushtetues të institucioneve.

“Një president apo presidente konsensuale do t’i bënte mirë demokracisë dhe funksionimit demokratik e kushtetues të institucioneve, sidomos në një periudhë kur vendin e presin vendime të mëdha dhe të vështira”, thekson ai.

Sipas Hazirit, Kosova në periudhën e afërt do të përballet me çështje shumë të ndjeshme politike dhe shtetërore, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, obligimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit, si dhe procesin e ardhshëm të demarkimit të kufirit me Serbinë.

“Këto janë obligime që duhet të përmbushen për të ecur drejt integrimeve euro-atlantike”, nënvizon Haziri.

Ai paralajmëron se shkuarja eventuale sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare do të kishte një kosto shumë të lartë për Kosovën.

“Një skenar i tillë do ta dëmtonte Kosovën dhe perspektivën e saj në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar”, përfundon analisti Nexhat Haziri për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *