Ministria me njoftim pasi s’iu pagua rrezikshmëria policëve, tregon kur do dalin shtesat
Ministria me njoftim pasi s’iu pagua rrezikshmëria policëve, tregon kur do dalin shtesat
Nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Financave kanë bërë me dije se sot janë ekzekutuar pagat në bazë të Ligjit të ri të Pagave.
Një çështje që ka ngjallur interesim në publik është ajo e shtesave. Lajmi.net raportoi pak më herët se policëve nuk u është paguar rrezikshmëria dhe një pjese të madhe u ka dalë rroga më e vogël se e muajve të kaluar, shkruan lajmi.net.
Nga Ministria e Brendshme kanë bërë me dije se nuk është arritur të finalizohet lista dhe të dhënat për shtesat, andaj këto të fundit do të dalin në pagën e muajit mars.
Kjo i bije që në pagën e marsit, do të dalin edhe shtesat e muajit shkurt, edhe ato të muajit mars, bashkë me pagën bazë.
Njoftimi i plotë nga Ministria e Punëve të Brendshme:
Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë të gjithë zyrtarët publikë të Republikës së Kosovës, se sot do të disbursohen pagat e para sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik Nr. 08/L-196, i cili ka hyrë në fuqi me datën 5 shkurt 2023.
Komisionet për përcaktimin e shtesave të parapara me këtë ligj dhe aktet nënligjore që derivojnë prej tij, tashmë janë themeluar dhe janë duke mbledhur të dhënat nga institucionet përkatëse lidhur me zyrtarët që mund/do të përfitojnë këto shtesa, përfshirë këtu komisionet për shtesën për kushte specifike të punës, shtesën për kushte tregu dhe shtesën për ekspertët.
Përkundër punës intensive të komisioneve për përcaktim të shtesave, procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar, andaj njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars.
Pra, me përfundimin e mbledhjes së të dhënave nga ana e komisioneve dhe finalizimit të listave me zyrtarët që do të përfitojnë këto shtesa, të njëjtët do të marrin bashkë me pagën dhe shtesën e muajit mars edhe shtesën përkatëse për muajin shkurt.
Ftojmë të gjitha institucionet që të dërgojnë të dhënat e kërkuara nga komisionet përkatëse pa vonesë, në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më parë. /Lajmi.net/