Kur shpifja e maskuar si patriotizëm, e dhunon të vërtetën
Këtë herë, qytetarët e Kosovës janë përfundimisht dëshmitarë të një të vërtete tragjikomike, më të qartë se kurrë më parë:
Kur kundërshtarët politikë e quajnë Albin Kurtin “Albin Serbia”, vetëm pse ai e trajton krimin e organizuar shtetëror serb me të njëjtin seriozitet me të cilin Kryeministrat e shteteve të civilizuara i kanë trajtuar krimet naziste të ushtrisë së Hitlerit, ata nuk e godasin atë — por e qëllojnë vetveten në këmbë.
Siç do ta thoshte Friedrich Nietzsche:
“Ai që godet verbërisht rreth vetēs , përfundon i therrur nga shpata e vet.”
Do të përpiqem ta analizoj sjelljen e tyre nga disa këndvështrime.
KËNDVËSHTRIMI HISTORIK
Historikisht, kjo është sjellje tipike e elitave të kalbura që ngatërrojnë drejtësinë me tradhtinë dhe dinjitetin me servilizmin.
Ashtu siç kryeministrat e Izraelit nuk u quajtën kurrë nga hebrenjtë “shërbëtorë të Gjermanisë Naziste” pse i ndoqën kriminelët nazistë në mbarë botën, as Kurti nuk bëhet “Albin Serbia” pse e quan dhe trajton krimin e organizuar shtetëror serb të luftës dhe paqes ashtu siç e meriton.
Këtu vlen paralajmërimi i Hannah Arendt:
“E keqja më e madhe kryhet nga ata që nuk mendojnë kurrë për atë që bëjnë.”
KËNDVËSHTRIMI POLITIK
Politikisht, kjo nuk është thjesht marrëzi — është vetëvrasje elektorale.
Kush e përmbys të vërtetën, e përmbys vetveten, sepse i shkatërron themelet e legjitimitetit të vet.
Siç e shpjegon Max Weber:
“Politika kërkon pasion për të vërtetën dhe sy për realitetin.”
Këta nuk e kanë as njërën, as tjetrën.
KËNDVËSHTRIMI FILOZOFIK
Filozofikisht, kemi të bëjmë me mendje që nuk e kanë kapërcyer kurrë fazën primitive të moralit.
Për ta, e mira është ajo që u shërben interesave personale, ndërsa e keqja është gjithçka që rrezikon privilegjet e tyre.
Kjo është pikërisht ajo që Immanuel Kant e quante rrënim moral:
“Kur interesi zëvendëson arsyen, morali pushon së ekzistuari.”
Parimi nuk negociohet — prandaj ata nuk e kuptojnë.
KËNDVËSHTRIMI PSIKOLOGJIK
Psikologjikisht, kemi rastin klasik të inferioritetit të maskuar si arrogancë.
Frikë e thellë nga një figurë që nuk blihet, nuk shantazhohet dhe nuk frikësohet.
Siç e formuloi Alfred Adler:
“Arroganca është gjithmonë britma e një inferioriteti të plagosur.”
Prandaj shpifin — sepse argumenti kërkon fakte dhe guxim, ndërsa nofka është dëshmi e frikës dhe e mungesës së fakteve.
KËNDVËSHTRIMI EDUKATIV
Nga aspekti edukativ, kjo klasë politike është prodhim i një sistemi që ka diplomuar mediokritetin dhe ka ndëshkuar mendimin kritik.
Diagnoza e Theodor W. Adorno është e pamëshirshme:
“Gjysmë-arsimimi është armiku më i madh i arsimit.”
Ata dinë të flasin, por jo të mendojnë. Të sulmojnë, por jo të argumentojnë.
KËNDVËSHTRIMI ETIK DHE MORAL
Etikisht, absurdi arrin kulmin kur këta “shtetformues” imagjinarë dalin në zgjedhje me lista që duken si katalogë të Aleksandar Vuçiqit, Aleksandar Rankoviqit dhe Slobodan Milosheviqit.
Të besosh se me figura të tilla politike dhe mediatike si Sali Rexhaj, Pal Lekaj, Lutfi Haziri, Baton Haxhiu, Berat Buzhala, Lirim Mehmetaj , Hykmete Bajrami, Artan Behrami, Ardian Kastrati etj…mund ta mposhtësh Albin Kurtin, nuk është gabim politik — është verbëri morale.
Siç paralajmëronte Søren Kierkegaard:
“Më e frikshme se e keqja është aftësia e njeriut për ta justifikuar vetveten.”
IRONIA FINALE
Ironia përfundimtare është kjo:
E vetmja gjë që këta kanë mësuar nga gabimet e panumërta të së kaluarës është si t’i japin vetes autogola më shumë, më shpejt dhe më spektakolarisht.
Sepse, siç do ta përmblidhte Georg Wilhelm Friedrich Hegel:
“Historia përsëritet: herën e parë si tragjedi, por herën e dytë vetëm si farsë qesharake.”
Mirëpo, historia nuk i ndëshkon gjithmonë budallenjtë me burg.
Ndonjëherë i ndëshkon edhe duke i lënë të lirë — që të duken qesharakë si gorillat e filmit “Planeti i Majmunëve”.
