OPINIONTË FUNDIT

Viti 2025 në Mitrovicë – Qetësi dhe përmirësime në siguri, por sfidat vazhdojnë, Veton Elshani flet për “Bota sot”

Viti 2025 ka qenë i qetë sa i përket sigurisë në Mitrovicë të veriut.

Për situatën atje, në një intervistë për “Bota sot”, ka foli zëdhënësi i Policisë, Veton Elshani.

Ai tha se që nga rasti në Basnjkë, siguria në veri të Mitrovicës ka qenë e qetë, dhe ka pasur vetëm përmirësime.

Si sfidë, Elshani thotë se janë ende strukturat paralele, të cilat ende funksionojnë në veri të vendit dhe presioni i shtetit serb që ushtron mbi qytetarët serbë atje.

Derisa, bashkëpunimin me KFOR-in dhe EULEX-in është efektiv, duke thënë se kemi mësuar shumë nga ata.

Elshani thotë se Policia e Kosovës është këtu për të gjithë, pa dallim religjioni apo etnie, për të shërbyer dhe mbrojtur, duke shtuar se edhe në rast problemi në veri, jemi të përgatitur dhe të gatshëm të përballemi me çdo sfidë, pa nevojë për shqetësime.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Elshani, si ka qenë ky vit për gjendjen e sigurisë në Mitrovicë?

Veton Elshani: Ky vit ka qenë vit i punës dhe i sukseseve. Kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me qytetarët, e po ashtu kemi pasur edhe tri palë zgjedhje që e kanë bërë punën tonë më sfiduese, por gjithsesi të suksesshme.

“Bota sot”: A ka pasur përmirësim apo përkeqësim muajt e fundit?

Veton Elshani: Që nga shtatori i vitit 2023, kur patëm rastin në Banjskë dhe ra heroi ynë Afrimi, kemi pasur vetëm përmirësime.

“Bota sot”: Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet Policia e Kosovës në këtë pjesë të vendit, duke marrë parasysh specifikat politike dhe etnike?

Veton Elshani: Strukturat paralele, të cilat ende funksionojnë në veri të vendit (në fushat e edukimit dhe shëndetësisë), dhe presioni që shteti i Serbisë ushtron ndaj qytetarëve të veriut përmes këtyre institucioneve.

“Bota sot”: Sa efektiv është bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe EULEX-in në garantimin e rendit dhe sigurisë në veri?

Veton Elshani: Është edhe efektiv, edhe efikas. Bashkëpunimi me KFOR-in është në nivelin më të lartë që nga ardhja jonë këtu tri vite më parë, dhe e konsiderojmë si partner në kuptimin e plotë të fjalës. Po ashtu, edhe EULEX është prezent në rolin e këshilltarit, dhe kemi mësuar shumë nga ata.

“Bota sot”: Si është bashkëpunimin ndihen qytetarët të sigurt, sipas vlerësimeve dhe ankesave që merr Policia nga terreni?

Veton Elshani: Kemi një bashkëpunim në rritje me qytetarët, të cilët na raportojnë vazhdimisht rastet. Konsiderojmë se ata ndihen të sigurt, dhe ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta.

“Bota sot”: Cilat janë masat konkrete që Policia po ndërmerr për parandalimin e tensioneve dhe provokimeve, sidomos në periudha të ndjeshme politike?

Veton Elshani: Kemi në vazhdimësi plane operacionale, sidomos që nga sezoni veror e këtij viti e deri në momentin që po bisedojmë. Për ne është me rëndësi që ta zbatojmë ligjin njësoj për të gjithë qytetarët që jetojnë këtu apo e frekuentojnë veriun e vendit, dhe deri tani kemi treguar në shumë raste se kjo qasje jep rezultate.

“Bota sot”: A ka ndikim propaganda ose dezinformimi në rritjen e pasigurisë, dhe si po përballet Policia me këtë fenomen?

Veton Elshani: Ne kemi mësuar shumë në veri të vendit dhe jemi përballur me sfida të shumta, duke përfshirë edhe dezinformatat që na vijnë ose që qarkullojnë. Në vazhdimësi përpiqemi që, duke qenë llogaridhënës dhe transparent, të fitojmë besimin e mediave (të cilin konsiderojmë se e kemi arritur) dhe përmes tyre të dërgojmë mesazhet tek popullata.

“Bota sot”: A ka zona apo pika të ndjeshme që vazhdojnë të mbesin problematike për sigurinë…?

Veton Elshani: Strukturat paralele vazhdojnë të mbeten sfidë për ne, sepse duhet të gjejmë rrugë për rreth tyre, në vend që t’i konsiderojmë ilegale dhe t’i shuajmë tërësisht. Duke pasur parasysh se kemi pasur me dhjetëra të tilla dhe i kemi menaxhuar, konsiderojmë se këto janë sfida të pranueshme për ne dhe jemi në gjendje t’i përballemi atyre.

“Bota sot”: Cili është mesazhi juaj për qytetarët e Mitrovicës së Veriut, pavarësisht përkatësisë etnike, lidhur me sigurinë dhe rolin e Policisë së Kosovës?

Veton Elshani: Policia e Kosovës është këtu për të gjithë njësoj. Ne jemi këtu për të shërbyer dhe për të mbrojtur, duke u munduar të bëjmë më të mirën për të gjithë njerëzit në veri të vendit, pa dallim religjioni apo etnie.

Mesazhi për popullatën është se, edhe në rast të problemeve në veri të vendit, Policia e Kosovës është e përgatitur dhe e gatshme të përballet me çdo sfidë, dhe nuk ka nevojë për shqetësime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *