OPINIONTË FUNDIT

Siguria në vitin 2025: Veprimet e institucioneve parandaluan rreziqe serioze destabilizuese

Viti 2025 për Kosovën ishte një periudhë e vështirë për sigurinë kombëtare, për shkak të një ambienti strategjik të paqëndrueshëm, tensioneve politike dhe kërcënimeve hibride, sidomos në komunat me shumicë serbe.

Institucionet treguan aftësi efektive në menaxhimin e situatave kritike, duke kryer aksione që çuan në konfiskimin e armëve dhe parandalimin e incidenteve potencialisht destabilizuese. Megjithatë, sfidat e natyrës strategjike tregojnë se forcimi i sigurisë është një proces i gjatë dhe i ndjeshëm.

Ekspertët e sigurisë kanë vlerësuar vitin 2025 si një periudhë testuese, jo për shkak të konflikteve të hapura, por për shkak të presioneve strategjike, tensioneve politike dhe kërcënimeve hibride. Sfidat më të mëdha lidhen me ambientin e jashtëm të sigurisë dhe situatën në veri të vendit.

Nga këndvështrimi operativ dhe institucional, viti mund të konsiderohet i suksesshëm, ndërsa sfidat strategjike për një siguri të qëndrueshme mbeten të pranishme.

Racaj: Siguria e Kosovës në vitin 2025: Stabilitet i menaxhuar në një mjedis të brishtë strategjik

Gjeneral Major, Prof. Dr. Muhamet Racaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se viti 2025 ka qenë një vit testues për sigurinë e Kosovës, jo për shkak të konfliktit të hapur, por për shkak të presioneve të vazhdueshme strategjike, tensioneve politike dhe kërcënimeve hibride.

Sipas tij, sfida kryesore mbetet mjedisi i jashtëm i sigurisë, veçanërisht raportet me Serbinë dhe situata në veri, që kërkojnë vigjilencë dhe bashkëpunim me NATO-n dhe KFOR-in.

ImageProf. Dr. Muhamet RacajFoto galeri
“Viti 2025 ka qenë një vit testues për arkitekturën e sigurisë së Republikës së Kosovës. Jo për shkak të shpërthimit të ndonjë konflikti të hapur, por për shkak të presionit të vazhdueshëm strategjik, të karakterizuar nga tensione politike, kërcënime hibride, sfida rajonale dhe kufizime të brendshme institucionale. Në këtë kontekst, siguria e Kosovës nuk ka qenë e qetë – por ka qenë e menaxhuar.

Nga një perspektivë profesionale dhe shkencore e sigurisë, duhet theksuar se sfida kryesore e Kosovës edhe gjatë vitit 2025 mbetet mjedisi i saj i jashtëm i sigurisë, i kushtëzuar nga mosnjohja e pavarësisë nga Serbia dhe përpjekjet e vazhdueshme për të minuar sovranitetin dhe funksionalitetin e shtetit, veçanërisht në pjesën veriore të vendit. Tensionet periodike, provokimet politike dhe prania e strukturave paralele kanë krijuar një gjendje të përhershme rreziku latent, i cili kërkon vigjilencë të lartë institucionale dhe bashkëpunim të ngushtë me NATO-n dhe KFOR-in.

Në planin e sigurisë së brendshme, Kosova gjatë vitit 2025 ka ruajtur rendin publik dhe funksionimin institucional. Kjo dëshmon se mekanizmat e sigurisë kanë qenë operativë dhe efektivë në parandalimin e destabilizimit. Megjithatë, ruajtja e rendit nuk duhet të ngatërrohet me konsolidimin e plotë të sigurisë. Siguria e qëndrueshme kërkon jo vetëm reagim, por edhe parandalim strategjik, ndërtim kapacitetesh dhe vizion afatgjatë”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Racaj ka zbuluar se në vitin 2025 kërcënimet hibride dhe kibernetike kanë qenë sfidë serioze për sigurinë e Kosovës, ndërsa forcimi digjital mbetet i pamjaftueshëm

Sipas tij, qeveria ka menaxhuar sigurinë, por më shumë përmes kontrollit të krizave sesa konsolidimit strategjik afatgjatë.

“Një dimension gjithnjë e më i rëndësishëm i sigurisë së Kosovës në vitin 2025 ka qenë kërcënimi hibrid dhe inteligjent, përfshirë aktivitetet e ndikimit, dezinformimin, spiunazhin dhe sulmet kibernetike. Në këtë drejtim, përpjekjet për të forcuar sigurinë digjitale janë një hap i duhur, por ende të pamjaftueshme përballë kompleksitetit të kërcënimeve moderne. Siguria sot nuk matet vetëm me armë dhe trupa, por me aftësinë për të mbrojtur informacionin, institucionet dhe besimin qytetar.

Transformimi dhe ndërtimi i kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka qenë një tjetër element i rëndësishëm gjatë vitit 2025. Ky proces, megjithëse i ndjeshëm politikisht dhe i kundërshtuar nga Serbia, përbën një të drejtë legjitime të një shteti sovran për të ndërtuar mekanizma mbrojtës. Megjithatë, ky transformim duhet të vazhdojë me maturi strategjike, koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë dhe pa u shndërruar në instrument të retorikës ditore politike.

Në vlerësimin e përgjithshëm, qeverisja Kurti gjatë vitit 2025 ka arritur të mbajë sigurinë nën kontroll, duke shmangur përshkallëzime serioze dhe duke ruajtur funksionalitetin institucional të shtetit. Kjo është një arritje e rëndësishme në një mjedis të pasigurt rajonal. Por nga këndvështrimi strategjik, duhet pranuar se siguria e Kosovës ka qenë më shumë produkt i menaxhimit të krizave sesa rezultat i një konsolidimi të plotë strategjik”, ka vlerësuar Racaj.

Tutje, Gjeneral Majori ka shtuar se Kosova ka kapacitet për t’u përballur me sfida, por sfidë kryesore mbetet konsolidimi strategjik i sigurisë, që kërkon vizion shtetëror, unitet politik dhe partneritet të qëndrueshëm me NATO-n.

“Mungesa e progresit të dukshëm në dialogun me Serbinë dhe paqëndrueshmëria politike e brendshme kanë kufizuar aftësinë për të kaluar nga stabiliteti i përkohshëm në siguri afatgjatë. Pa një vizion gjithëpërfshirës shtetëror për sigurinë kombëtare, i cili tejkalon ciklet politike, Kosova rrezikon të mbetet në një gjendje sigurie të brishtë, të varur nga faktorë të jashtëm.

Në përfundim, viti 2025 dëshmon se Kosova ka kapacitet për të përballuar sfidat e sigurisë, por gjithashtu tregon qartë se sfida kryesore e së ardhmes nuk është mbijetesa, por konsolidimi strategjik i sigurisë kombëtare. Kjo kërkon unitet politik, institucione të forta, partneritet të qëndrueshëm me NATO-n dhe një qasje profesionale, larg improvizimit dhe retorikës ditore.

Siguria e Kosovës nuk ndërtohet brenda një viti dhe as nga një qeveri e vetme. Ajo është proces shtetëror, përgjegjësi kombëtare dhe obligim strategjik”, ka përmbyllur Racaj.

Gecaj vlerëson vitin 2025 si test të rëndësishëm për sigurinë e Kosovës

Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj ka deklaruar se viti 2025 ka sjellë sfida serioze të sigurisë në Kosovë, por falë veprimeve të koordinuara të institucioneve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, situata është menaxhuar me sukses, duke parandaluar rreziqe destabilizuese.

ImageHysen GecajFoto galeri
“Gjatë vitit 2025, siguria e Republikës së Kosovës është përballur me sfida reale, veçanërisht në pjesën veriore të vendit, ku prania e strukturave ilegale, armatimi i paligjshëm dhe ndërhyrjet politike nga jashtë kanë vazhduar të testojnë kapacitetet e shtetit.

Megjithatë, duke u bazuar në veprimet konkrete të ndërmarra nga institucionet e sigurisë, ky vit mund të vlerësohet si relativisht i suksesshëm në aspektin operativ dhe institucional. Aksionet e shpeshta dhe të koordinuara të Policisë së Kosovës, të mbështetura nga institucionet e drejtësisë dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, kanë rezultuar me zbulimin dhe konfiskimin e armëve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme ushtarake, duke parandaluar potencialisht skenarë seriozë destabilizues”, ka cilësuar ai.

Tutje, Gecaj ka theksuar se operacionet e sigurisë kanë forcuar zbatimin e ligjit dhe sovranitetin e Kosovës, veçanërisht në zonat e ndjeshme.

Ai ka shtuar se, ndonëse sfidat mbeten, viti 2025 dëshmoi seriozitetin dhe profesionalizmin e institucioneve në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit.

“Këto operacione dëshmojnë se shteti i Kosovës ka rritur ndjeshëm kapacitetin e zbatimit të ligjit dhe shtrirjen e sovranitetit, sidomos në zona që historikisht kanë qenë të ndjeshme. Megjithatë, sfidat nuk janë eliminuar plotësisht. Ato mbeten të ndërlidhura me faktorë politikë, sigurorë dhe gjeopolitikë, çka kërkon vigjilencë të vazhdueshme dhe qasje të kombinuar: ligjore, politike dhe diplomatike.

Në përfundim, viti 2025 nuk ka qenë një vit pa rreziqe për sigurinë e Kosovës, por ka qenë një vit në të cilin institucionet kanë dëshmuar seriozitet, profesionalizëm dhe vendosmëri, duke forcuar rendin kushtetues dhe besimin e qytetarëve në kapacitetin e shtetit për të garantuar siguri dhe stabilitet”, ka përfunduar Gecaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *