OPINIONTË FUNDIT

Flet Adem Salihaj pas rezultatit të LDK-së në zgjedhje: Këta persona duhet të japin dorëheqje

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje doli e para me 49.34% të votave, duke ruajtur përparësinë e saj të fortë. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) u rendit e dyta me 20.98%, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mori vetëm 13.57% të votave, duke shënuar një rezultat të dobët për partinë tradicionale.

Pas këtyre rezultateve, ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj në një prononcim për “Bota Sot” kritikoi ashpër LDK-në, duke theksuar se rezultati ishte i pritshëm për shkak të papërgjegjshmërisë së lidershipit.

Ai ka vlerësuar se Vetëvendosja mbeti besnike kauzave të saj dhe luftoi për realizimin e tyre, ndërsa LDK dhe partitë e tjera dështuan për shkak të kauzave të dëmshme.

“Rezultati i LDK-së në këto zgjedhje ishte plotësisht i pritshëm, sepse lidershipi i saj ka qenë i papërgjegjshëm. Në mënyrë të veçantë qëndrimet e kryetarit dhe nënkryetares lidhur me çështje të rëndësishme, veçanërisht me veriun dhe Listën serbe, kanë qenë arsyet kryesore të rënies së LDK-së.

Vetëvendosja u qëndroi besnike kauzave dhe luftoi me këmbëngulje për realizimin e tyre. LDK, por edhe partitë tjera patën disa kauza të dëmshme dhe dështuan”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ai ka shtuar se në LDK duhet të ndryshojë shumë gjëra, por kryesisht lidershipi, pasi me lidershipin aktual partia do të vazhdojë të dobësohet.

Sipas tij, dorëheqje duhet të japin jo vetëm kryetari Lumir Abdixhiku, por e gjithë kryesia, për shkak të mbështetjes së tyre të njëzëshme ndaj politikave të gabueshme të kryetarit dhe nënkryetares Hykmete Bajrami.

“Në LDK duhet të ndryshojnë shumë gjëra, por, para së gjithash duhet ndërruar lidershipin e saj, sepse me këtë lidership, ajo do të bjerë edhe më poshtë.

Pra, dorëheqje duhet dhënë jo vetëm Lumir Abdixhiku, por e gjithë kryesia e LDK-së, sepse të gjithë kanë qenë njëzëri në përkrahje të politikave të gabueshme të kryetarit dhe nënkryetares Hykmete Bajrami”, ka përfunduar Salihaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *