TË FUNDIT

​Hapet Instituti për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta në Dubravë

​Hapet Instituti për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta në Dubravë

Pavijoni D në Dubravë është shndërruar në Institutin për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta. Muralet e këtij pavijoni janë ngjyrosur nga dora e vet të burgosurve, në të cilin do të trajtohen 80 persona me probleme mendore, përdorues të substancave narkotike dhe personave të shtyrë në moshë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se është hera e parë që po bëhet një institucion i tillë në kuadër të qendrave korrektuese.

“Prej momentit kur kam marrë detyrën si ministre e Drejtësisë ka qenë trajtimi i të burgosurve, ka qenë pikërisht mungesa e një institucioni të veçantë profesional, me staf shëndetësor e korrektues ku do të trajtohen këta persona. Për shkak të kësaj jo rrallë herë kemi pasur situata të tentimit të vetëvrasjes në institucionet korrektuese dhe kjo në masë të madhe na ka shtyrë që të punojmë seriozisht për inaugurimin e këtij institucioni. Qeveria e Kosovës në momentin kur ka parë që ka pasur plane ideore për ta adresuar këtë institucion, ndonëse këto kanë qenë nga viti 2014 por asnjëherë qeveritë e kaluara nuk e kanë trajtuar me seriozitet, por ne kemi marrë përsipër që t’i adresojmë të gjitha nevojat të cilat kanë qenë për inaugurimin e këtij institucioni. Qeveria e Kosovës ka mbështetur deri në rreth gjysmë milioni euro për investimet këto”, ka thënë Haxhiu për Kosovapress.

Derisa ka folur për kapacitetet, Haxhiu shtoi se nevojat janë edhe më të mëdha bazuar në numrin e të burgosurve.

“Ky institucion do të ketë deri në 81 persona ku do të marrin shërbimet. Sigurisht që nevojat janë edhe më të mëdha, bazuar në statistikat që i kemi të të burgosurve në institucionet korrektuese, por unë mendoj që është një fillim i mbarë dhe është një vëmendje që shteti e kthen tek personat që kanë nevojë dhe që duhet të trajtohen pavarësisht që janë të dënuar në institucionet korrektuese, me vendime të gjykatave”, ka shtuar ajo.

Zëvendësuesi i zëvendësdrejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani tha se themelimi i këtij instituti ishte paraparë me ligj qysh në vitin 2014.

“Në këtë institucion janë financuar afër 500 mijë euro. Kryesisht do të vendosen personat me nevoja të veçanta, përfshirë personat të cilat kanë probleme mendore, rastet të cilët janë përdorues të drogave, po ashtu edhe personat e shtyrë në moshë të cilët kanë problem me ecjen, shikim, dëgjim. Më në fund po trajtohet dinjitetshëm një prej kategorive më të ndjeshme të shoqërisë sonë”, tha Dibrani.

Dibrani theksoi se nga sot do të fillojë vendosja graduale e personave, ku vetëm në pavijonin D janë kapacitet për 60 persona. Ndërkaq 20 të tjerë do të vendosen në pavijonin 7, i cili do të jetë aneks i këtij instituti.

“Po ashtu janë punësuar afër 50 persona, por natyrisht që këtu do të punojnë stafi tjetër me përvojë. Për fillimin e punës këtu ne kemi realizuar vizita studimore ku kemi marrë praktikat më të mira të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve të Evropës. Ky do të jetë shembull, model në Evropën Juglindore”, shtoi ai.

Instituti për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta është mbëahtetur edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa në ceremoninë hapëse i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *