Vëllezërit e plaçkës, Adem Grabovci dhe Ramush Haradinaj!
Tek Dostojevski, e vërteta nuk shfaqej përmes parullave ideologjike, por përmes dokumenteve, dëshmive dhe kontradiktave të brendshme të personazheve. Për ta kuptuar këtë tragjedi kosovare, nuk mjafton metafora:
Dokumenti duhet vendosur në zemër të rrëfimit, që populli ta kuptojë se sa e madhe ishte pasuria e Ramush Haradinajt atëherë – dhe sa e pafundme është sot.
Në qershor të vitit 2009, Adem Grabovci, atëkohë zëvendësministër i infrastrukturës dhe funksionar i lartë partie, i dërgoi publikisht një letër Ramush Haradinajt.
Sot ajo letër duket si një aktakuzë – jo e shkruar nga prokuroria, por nga një pjesëtar i kastës mafioze politike, të cilës të dy i përkisnin.
Jo nga morali i pastër, por nga xhelozia e maskuar si drejtësi.
Në këtë letër, Grabovci nuk përdor aluzione poetike. Ai liston.
Ai numëron. Ai inventarizon.
Dhe kjo listë është thelbësore për ta kuptuar sasinë e pasurisë që Ramushi kishte grumbulluar deri në vitin 2009 – sipas një bashkëudhëtari të pushtetit të asaj kohe.
Sipas letrës së Grabovcit, Haradinaj tashmë kishte:
një shtëpi disa milionëshe në Prishtinë,
një banesë dykatëshe në Prishtinë,
një banesë në Prizren,
një banesë në Tiranë,
një banesë në Durrës,
vila në Durrës dhe Brezovicë,
prona disa milionëshe në Dukagjin,
toka në Miradi,
një kullë disa milionëshe në Glloxhan,
dy vila jashtë shtetit: në Monte Carlo dhe Dubai.
Por lista nuk mbaron këtu:
Grabovci e akuzonte drejtpërdrejt Ramushin për:
uzurpim prone “në emër të luftës”, për
kontroll mbi lojërat e fatit dhe kazinove, për reketim dhe zhvatje biznesesh, për kontrabandë mallrash, përfshirë ato nga Serbia, për keqpërdorim të fondeve “për mbrojtje”,
dhe për blerje private të tokave me çmime qesharake.
Kjo nuk është analizë opozitare. Është dëshmi nga brenda.
Është rrëfimi i një Karamazovi për vëllanë e tij – ku mëkati i njërit shërben për ta fshehur mëkatin që tjetri ende nuk e ka kryer… por po e përgatit.
Ironia dostojevskiane këtu është e pamëshirshme:
Njeriu që në vitin 2009 dukej i varfër, moralist dhe i revoltuar nga pasuria e tjetrit, më vonë u bë pasqyra perfekte e asaj që pretendonte se e urrente.
Grabovci, që atëherë deklaronte vetëm një banesë 76 m² dhe një trashëgimi modeste familjare, u pasurua më vonë në mënyrë marramendëse – përmes grabitjes së pronës publike dhe buxhetit të shtetit.
Kjo e zhvesh letrën e tij nga çdo iluzion humanist.
Sepse akuza e tij nuk ishte britmë për barazi, drejtësi apo dinjitet; ishte ankesë e një grabitqari që kishte mbetur jashtë tryezës.
Nuk ishte zëri i një njeriu që thoshte: “Kjo është e padrejtë”,
por zëri i dikujt që pyeste: “Pse ti e ke, dhe unë jo?”
Këtu qëndron thelbi që populli duhet ta kuptojë:
Problemi nuk ishte që Ramushi kishte grumbulluar shumë pasuri në vitin 2009.
Problemi ishte që Adem Grabovci ende nuk kishte pasur mundësinë të vidhte po aq.
Kur e fitoi këtë mundësi, shtetin e trajtoi si plaçkë të vonuar lufte.
Prandaj, këta dy nuk janë kundërshtarë moralë.
Janë vëllezër të së njëjtës sëmundje.
Gara e tyre nuk ishte kush ndërton shtetin, por kush e shpronëson më shpejt.
Ishte një garë për ta kthyer sakrificën kolektive në kapital privat.
Pse nuk duhet lejuar rikthimi i tyre në pushtet?
Sepse rikthimi i tyre nuk është kthim individësh, por rikthim i logjikës së plaçkës.
Sepse ata kanë dëshmuar se pushteti për ta është mjet pasurimi, jo shërbim publik.
Sepse një shoqëri që i fal këta hajna të pamëshirshëm e legalizon hajninë si biografi politike.
Sepse çdo votë për ta është fshirje e kujtesës dhe ripërtëritje e krimit.
Dostojevski do të thoshte:
Tragjedia nuk është se ekzistojnë kriminelët, por se popujt lodhen së kujtuari.
Prandaj detyra jonë është të mos lodhemi.
Ta lexojmë dokumentin.
Ta mbajmë mend listën.
Dhe të mos ua dorëzojmë më çelësat e shtetit atyre që e kanë parë atë vetëm si kasafortë personale.
