Hebibi nga diaspora: Sivjet interesimi i mërgatës për të votuar është dukshëm më i madh se herët e tjera
Ph.D. Dashnim Hebibi, president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, në një prononcim për ‘Bota sot’ ka folur se sa janë mobilizuar qytetarët shqiptarë në diasporë për të votuar në zgjedhjet se së dielës.
Ai thekson se kanë mbetur edhe pak orë deri në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
“Këto zgjedhje po zhvillohen në një moment të ndjeshëm politik dhe shoqëror, por ajo që bie më së shumti në sy është mobilizimi i jashtëzakonshëm i qytetarëve shqiptarë të diasporës për të ushtruar të drejtën e tyre demokratike të votes”, thotë ai.
Ai konfirmon se tashmë, shumica e mërgatës ka mbërritur në Kosovë.
“Pamjet e ditëve të fundit flasin vetë: kolona të gjata veturash dhe autobusësh, pritje prej 8 deri në 12 orë në pikat kufitare, lodhje fizike dhe emocionale, por edhe vendosmëri e palëkundur. Ata që kanë udhëtuar me aeroplan janë përballur me çmime stratosferike të biletave, duke sakrifikuar financiarisht vetëm për të qenë prezent në ditën e votimit.
Pavarësisht të gjitha këtyre vështirësive, diaspora edhe një herë dëshmon se është me atdheun në çdo situate, ashtu siç ka qenë gjithmonë në momentet më të vështira të historisë sonë kombëtare”, thotë Hebibi.
Sipas tij, nga ajo që kemi parë dhe përjetuar këto ditë, sivjet interesimi i mërgatës për të votuar është dukshëm më i madh se herët e tjera. Ky mobilizim masiv nuk është vetëm një akt qytetar, por edhe një mesazh i fortë për bashkëkombësit në Kosovë.
“Ne kemi ardhur nga mijëra kilometra larg – është detyrë morale dhe qytetare që të dalim masovikisht dhe të vendosim për të ardhmen tonë të përbashkët. Shpresojmë dhe besojmë që edhe moti të jetë i favorshëm, në mënyrë që qytetarët të mos presin në të ftohtë dhe procesi zgjedhor të zhvillohet në kushte dinjitoze”, tha ai.
Sipas tij, nga vëzhgimet në terren, shihet se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë pasur aktivitet më të dukshëm, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shfaqur më pak. Megjithatë, për mërgatën, më e rëndësishme se emrat e partive është drejtimi që do të marrë Kosova pas zgjedhjeve.
“Diaspora ka ardhur për t’i dhënë votën të ardhmes – me shpresën e sinqertë që qeveria e re nuk do ta harrojë mërgatën, sidomos brezin e ri që po rritet dhe po edukohet jashtë atdheut, por që ruan gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar. Përkundër zhgënjimeve të së kaluarës – seanca parlamentare të vonuara, debate të zbrazëta dhe mungesë efikasiteti – interesimi i mërgatës nuk është zbehur. Përkundrazi, është rritur. Kjo tregon pjekuri qytetare dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie kombëtare”, tha ai.
Hebibi thekson tutje se, mërgata shqiptare është arteria kryesore që e mban gjallë trupin kombëtar. Ajo pret zgjedhje të qeta, të drejta dhe demokratike. Kësaj here, shumëkush beson se vota e mërgimtarit do të jetë vendimtare për përbërjen e Kuvendit dhe për drejtimin e ardhshëm të Kosovës – një drejtim me punë, unitet dhe pa humbje kohe.
“Diaspora dëshiron që pas zgjedhjeve të ketë festë në Kosovë, sepse në fund të fundit, fituesi i vetëm duhet të jetë Kosova. Prej dekadash, diaspora shqiptare ka qenë forca më e qëndrueshme dhe më e sinqertë e kombit. Megjithatë, ajo vazhdon të mbetet në periferi të vëmendjes së institucioneve shtetërore. Në fushata zgjedhore dëgjojmë fjalë të mëdha dhe premtime patriotike, por patriotizmi nuk matet me deklarata – matet me politika konkrete, strategji afatgjata dhe angazhim të vazhdueshëm.
Sot, kur gjenerata e katërt e diasporës po rritet duke folur shqip, duke kënduar për flamurin dhe duke nderuar dëshmorët, ne nuk kemi të drejtë t’i lëmë këta fëmijë vetëm në përkushtimin e prindërve të tyre. Ata meritojnë mbështetje institucionale, të organizuar dhe të qëndrueshme”, vlerëson Hebibi.
“Ne kemi dy shtete shqiptare, dy qendra politike, por vetëm një komb dhe një të ardhme. Shqipëria dhe Kosova duhet të veprojnë me vetëdije historike dhe vizion strategjik, duke e parë diasporën si pjesë organike të zhvillimit kombëtar – si investim në identitet, kulturë, ekonomi dhe diplomaci.
Integrimi i të rinjve tanë në shoqëritë ku jetojnë nuk është pengesë, por një pasuri. Kjo kërkon politika të mençura dhe bashkërenduese, sepse forca e një kombi matet edhe nga mënyra se si i ruan dhe i kultivon fëmijët e vet, kudo që ata ndodhen”, thotë ai.
