Parashikimi për 28 dhjetorin: Merr fund shantazhi i Listës serbe – Kurti fiton mbi 45%, Osmani drejt mandatit të dytë nëse LDK…
Bytyçi: Nëse do të ketë një koalicion qeverisës, unë besoj se këtu do të hynte Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është kritikuar ashpër edhe nga anëtarët e simpatizantët e saj për bojkotin që i bëri kërkesës për koalicion pas zgjedhjeve të 9 shkurtit
Profesori dhe analisti politik Dr. Enver Bytyçi ka vlerësuar se zgjedhjet e së dielës së ardhshme përbëjnë një moment historik dhe vendimtar për Kosovën, duke paralajmëruar një kthesë të rëndësishme në formimin e institucioneve.
Në një deklaratë për “Bota sot”, Bytyçi shprehet i bindur se qytetarët do t’i japin fund praktikës së deritanishme, ku roli përcaktues në krijimin e institucioneve i ishte lënë Listës Srpska, duke hapur rrugë për një shumicë të re parlamentare dhe vazhdimësi të qeverisjes së Albin Kurtit.
“Dita e dielë e ardhshme është një ditë vendimtare dhe kthese në historinë e Kosovës. Jam i bindur se qytetarët do të votojnë për t‘i dhënë fund praktikës së kaluar, kur formimin e institucioneve e kishte përcaktuar Lista Srpska. Në fakt ky ka qenë edhe një lloj kurthi i planifikuar nga Beogradi dhe i përkrahur nga ndërkombëtarët. Pra që krijimi i institucioneve të kushtëzohej nga subjektet politike të pakicës serbe në Kosovë. Dhe këtë fakt e patën pranuar të gjithë kryeministrat para Albin Kurtit. Madje dua të them se presioni mbi partitë shqiptare, që ato të mos formonin një koalicion qeverisës me Vetëvendosjen dhe Guxo, kishte për qëllim që ta detyronte Albin Kurtin t’i drejtohej për koalicion Listës Srpska. Kjo nuk ndodhi. Tani jemi pak ditë para votimeve të reja për të zgjedhur një parlament të ri”, ka thënë Bytyçi për “Bota sot”.
ImageProf. Dr. Enver BytyçiFoto galeri
Kështu, profesori ka thënë se shumica parlamentare në zgjedhjet e 28 dhjetorit do të krijohet nga koalicioni LVV-GUXO-Alternativa dhe demokristianët, ndërsa sipas tij, Nisma e Fatmir Limajt nuk do të arrijë ta kalojë pragun.
“Çfarë mund të sjellin këto zgjedhje që do të bëhen të dielën e ardhshme, më 28 dhjetor? Besoj se do të kemi një shumicë, të cilën do ta krijojë koalicioni i Vetëvendosjes plus Guxo, Alternativa dhe demokristianët me deputetët e pakicave jo serbe dhe të ndonjë deputeti të pakicës serbe që nuk bën pjesë në Listën Srpska. E sigurt është se Fatmir Limaj nuk do të vijë më vërdallë me shitmendje sikur ai të kishte në dorë çelësin e pandorës. Sepse Fatmiri nuk do të jetë deputet, pasi partia e tij nuk e kalon pragun. Për këtë duhen falënderuar drejtuesit e Partisë Demokratike. Nëse do të ketë një shumicë për krijimin e qeverisë dhe kryesisë së kuvendit, atëherë do të thotë se sërishmi zoti Kurti do të jetë kryeministër”, ka nënvizuar ai.
Ai ka theksuar se arritjet e Kosovës së fundi, si heqja e masave nga BE, ligji amerikan që mbron territorin dhe njohjet e reja, do të ndikojnë edhe më tepër që qytetarët të binden se Kurti nuk ka konflikt me Evropën e Amerikën.
Për rrjedhojë, profesori parashikon që koalicioni i LVV-së do të marr mbi 45% të votave të qytetarëve ku padyshim do të ndikojë edhe faktori diasporë.
“E vërteta është se këtë e bën të mundur heqja e masave nga ana e Bashkimit Europian, njohjet e reja që kanë ardhur për Kosovën, ligji amerikan që mbron territorin dhe kufijtë e Kosovës dhe e garanton pranimin e saj në NATO etj. Këta faktorë do të shërbejnë si shembuj me të cilët qytetarët do të binden se „Kurti nuk ka konflikt me Europën dhe Amerikën“ dhe se „Kurti kishte të drejtë në masat që mori pesë vitet e fundit kundër pranisë serbe në territorin e Kosovës, sidomos në veri. Por ka edhe një faktor tjetër. Është faktori diasporë. Ndaj pres që koalicioni i Vetëvendosjes të marrë 45-47 përqind të votave të përgjithshme, çka e rrit numrin e deputetëve të saj me 3-4 krahasuar me numrin e deputetëve që kishte në zgjedhjet e 9 shkurtit”, është shprehur ai.
Faktet e sipërpërmendura sipas profesorit do të ndikojnë edhe në zgjedhjen e presidentit/es, ku sipas tij do të mjaftojë vetëm prezenca e subjekteve opozitare në Kuvend për ta shtyr procesin përpara.
“Nëse ndodh kjo që përmenda më lart, atëherë do të duhet që për zgjedhjen e presidentit gjatë votimit të fundit të ishin në sallë 80 deputetë dhe të votonin 61 prej tyre. Pra krijimi i një mazhorance absolute e lehtëson procesin e zgjedhjes së presidentit. Që do të thotë nuk e detyron asnjë parti opozitare që të votojë për presidentin, por thjeshtë të jetë e pranishme në sallë gjatë votimit të tij/saj. A do të jetë Vjosa Osmani kandidatura e vetme për president në një mandate të dytë? Këtë do ta shohim pas zgjedhjeve. Por në variantin që dhashë më lart, duket se të gjitha gjasat që ajo të votohet sërishmi për postin e kreut të shtetit”, nënvizon profesori.
Po çfarë ndodh nëse koalicioni i VV nuk siguron atë numër deputetësh?
Profesori ka rikujtuar se Bedri Hamza nga PDK ka deklaruar se nuk ka vija të kuqe sa i përket koalicioneve paszgjedhore, andaj sipas tij një koalicion eventual me Kurtin do të bënte që kandidatura e presidentes Osmani për rizgjedhje të bie.
Megjithatë ai nuk ka përjashtuar as mundësinë që LDK-ja të hyjë në një koalicion me Kurtin, nëse reflekton për “bojkotin” pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Nëse ndodh që VV dhe koalicioni i saj të mos kenë 61 deputetë, atëherë nuk besoj se partitë ish-opozitare, PDK dhe LDK të refuzojnë bashkëpunimin në një koalicion qeverisës. Bedri Hamza ka deklaruar se nuk ka vija të kuqe për bashkëpunim. Por nëse PDK bën koalicion qeverisës me Kurtin, ndoshta Albini do të duhet që vendin e presidentit t’ia jape kësaj partie. E në këtë rast kandidatura e zonjës Osmani bie. Por nëse do të ketë një koalicion qeverisës, unë besoj se këtu do të hynte Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është kritikuar ashpër edhe nga anëtarët e simpatizantët e saj për bojkotin që i bëri kërkesës për koalicion pas zgjedhjeve të 9 shkurtit”, ka potencuar ai.
Një koalicion i mundshëm LDK-LVV sipas profesorit do të sillte një rikandidm të presidentes Osmani për rizgjedhje.
“Dhe nëse LVV dhe LDK bëjnë koalicion, atëherë të gjitha gjasat janë që këta të bien dakord që Vjosa Osmani të rizgjidhet president e vendit. Kjo do të ndodhë për shumë arsye: Së pari dhe kryesore është performanva e presidentes Osmani në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ajo tashmë është një autoritet i padiskutueshëm dhe me integritet të jashtëzakonshëm, aq sa sekretari I Përgjithshëm i NATO-s shprehet se “Vjosa Osmani është presidentja ime e preferuar”! Po ashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendoj se do të jenë plotësisht në krah të kësaj candidature e po ashtu vendet e tjera anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Kjo do të thotë se të gjitha gjasat janë që zonja Osmani të jetë sërishmi edhe një mandate tjetër si kryetare e shtetit. Dhe nëse ndodh kjo, pas Ibrahim Rugovës Vjosa Osmani bëhet e para presidente e Kosovës në dy mandate radhazi!”, ka përfunduar Bytyçi.
