Kosova në prag të NATO-s? Ekspertët flasin për një kthesë strategjike pas agresionit rus
Pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe ndryshimeve të mëdha në arkitekturën e sigurisë evropiane, çështja e anëtarësimit të Kosovës në NATO po rikthehet fuqishëm në qendër të debatit politik dhe strategjik.
Kërkesa për pranimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike tashmë nuk po artikulohet vetëm si aspiratë afatgjatë, por si domosdoshmëri sigurie për vendin dhe rajonin.
E shtyrë nga zhvillimet gjeopolitike, mbështetja e shtuar amerikane dhe roli në rritje i Kosovës në sigurinë rajonale, kjo temë po merr peshë të re në Uashington dhe kryeqendrat vendimmarrëse evropiane.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se zgjerimi i NATO-s me Kosovën do të kontribuonte në forcimin e stabilitetit rajonal.
“Për ne, të jemi në NATO nënkupton të jemi të sigurt. Mendoj se Rusia ka interes afatgjatë për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor, e përmes tij gjithë kontinentin evropian. Dhe nuk do të heqë dorë nga ky synim”, tha Osmani ditë më parë në një intervistë për Politico.
Ndërkaq, Qeveria në detyrë e Kosovës ka konfirmuar se anëtarësimi në aleancën ushtarake të Perëndimit mbetet synim kryesor i Kosovës.
“Gjatë viteve të fundit i kemi rritur ndjeshëm investimet e dedikuara për mbrojtje. Në vitin 2024, Republika e Kosovës, përkatësisht Kuvendi i Kosovës, e ka avancuar statusin e tij në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nga anëtar vëzhgues në anëtar të asociuar. Ndërkaq, tri herë, më 2021, 2023 dhe 2025, kemi qenë vend pjesëmarrës dhe mikpritës i ushtrimeve ushtarake ‘Defender Europe’”, tha zëdhënësi Përparim Kryeziu.
Njohësit e çështjeve të sigurisë vlerësojnë se pas luftës në Ukrainë, anëtarësimi i Kosovës në Aleancën Atlantike nuk është më çështje dëshire politike, por nevojë urgjente gjeostrategjike.
Bytyçi: Pranimi i Kosovës në NATO është imperativ, jo luks politik
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dr. Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se kohët e fundit kërkesa për pranimin e Kosovës në NATO po artikulohet gjithnjë e më qartë në qarqet vendimmarrëse perëndimore.
“Kohët e fundit ka filluar të artikulohet gjithnjë e më shpesh kërkesa për pranimin e Kosovës në NATO. Kjo kërkesë është artikuluar në Uashington dhe qendrat e tjera vendimmarrëse në Evropë nga ana e presidentes së vendit, Vjosa Osmani. Është përmendur edhe nga kryeministri Albin Kurti, si edhe nga politikanë të tjerë në Kosovë”, shprehet Bytyçi.
ImageEnver BytyçiFoto galeri
Ai thekson se qëndrimet e spektrit politik në Kosovë nuk janë të njëjta, por kërkesa mbetet legjitime dhe e pashmangshme.
“Ramush Haradinaj duket se është më i qartë për këtë kërkesë legjitime të Kosovës. Ndërsa Bedri Hamza ka lënë që të flasë për pranimin e Kosovës në NATO në momentin kur ta shohë se procesi është afër këtij pranimi… Ndërsa Lumiri nuk e ka mendjen te pranimi i Kosovës në NATO”, vlerëson ai.
Sipas Bytyçit, diskutimi është bërë aktual sidomos pas miratimit të ligjit amerikan të Kongresit, të nënshkruar nga presidenti Donald Trump.
“Ky dokument ligjor është deri më sot më i rëndësishmi për perspektivën euro-atlantike të Kosovës. Në politikën amerikane sa i përket proceseve anëtarësuese në NATO, peshën kryesore e ka Departamenti i Mbrojtjes”, thekson profesori.
Ai rikujton se Kosova ka pasur bashkëpunim të shkëlqyer me Pentagonin.
“Departamenti Amerikan i Mbrojtjes e certifikoi shndërrimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, pavarësisht pengesave kushtetuese bllokuese të deputetëve serbë”, shton Bytyçi për “Bota sot”.
Profesori e cilëson anëtarësimin e Kosovës në NATO si proces urgjent.
“Nuk duhet pritur që Rusia e Vladimir Putinit të sulmojë edhe një vend tjetër evropian pas Ukrainës e më pas të merret seriozisht pranimi i Kosovës në NATO”, paralajmëron ai.
Bytyçi thotë se Kosova është në rrugë të duhur për përmbushjen e standardeve.
“Zoti Kurti deklaroi se në katër vitet e ardhshme shteti i Kosovës do të shpenzojë për ushtrinë 1 miliard euro… Me këto shpenzime plotësohet kushti i NATO-s për mbrojtjen”, thekson ai.
Në fund, ai nënvizon rëndësinë strategjike të Kosovës për Aleancën.
“NATO ka nevojë për kontribute dhe Kosova është e gatshme dhe e aftë të kontribuojë më shumë se disa vende të tjera anëtare… Evropa do të jetë shumë më e sigurt me Kosovën në NATO”, përfundon Bytyçi.
Meha: Anëtarësimi i Kosovës në NATO është proces natyror pas ndryshimeve globale
E njohësi i çështjeve të sigurisë, Xhevat Meha, vlerëson se diskutimet për anëtarësimin e Kosovës në NATO janë reale dhe të qëndrueshme.
“Kohëve të fundit diskutohet rreth anëtarësimit të Kosovës në NATO. Këto diskutime janë të qëndrueshme dhe është e pritshme që Kosova në një të ardhme jo të largët të bëhet anëtare e NATO-s”, shprehet Meha.
ImageXhevat MehaFoto galeri
Ai thekson se administrata Trump ka sjellë ndryshime të mëdha në arkitekturën e sigurisë evropiane.
“Administrata e Trump solli ndryshime në arkitekturën e sigurisë në Evropë, ku dy janë elementet kryesore: përgjegjësinë për sigurinë përballë Rusisë Evropa e merr vetë dhe këtë përgjegjësi e merr Gjermania si udhëheqëse”, vlerëson ai.
Sipas Mehës, këto zhvillime e kanë afruar Kosovën me aleatët evropianë.
“Ky ndryshim detyroi shtetet e Evropës që të bëhen aleate politike me Kosovën”, thekson ai.
Ai rikujton se shqiptarët historikisht janë përballur me rreziqe të mëdha pa aleanca.
“Shqiptarët si popull kanë mbi 100 vjet përballje me Rusinë pa ndonjë aleancë politike… Tani që jemi në aleancë politike me Evropën në përballje me Rusinë, anëtarësimi rrjedh natyrshëm”, shprehet Meha.
Në fund, ai rikujton se NATO është mbi të gjitha një aleancë politike.
“Le të rikujtojmë se NATO është aleancë politiko-ushtarake”, përfundon Meha për “Bota sot”.
