OPINIONTË FUNDIT

“Kritikat ndaj Kurtit janë frikë nga ndryshimi”, Agusholli paralajmëron: Fitorja e LVV më 28 dhjetor do të jetë e thellë!

Ish deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, në një intervistë për “Bota sot” ka folur për zhvillimet e fundit politike, rolin e partisë së tij në ruajtjen e stabilitetit të vendit, mundësinë e zgjedhjeve të reja si dhe prioritetet për një mandat të ardhshëm.

Po ashtu, ai ka folur edhe për kritikat ndaj Qeverisë Kurti, qëndrimet e opozitës dhe vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndaj Kosovës, duke theksuar se puna konkrete dhe interesat e qytetarëve mbeten në qendër të veprimit politik.

Intervista e plotë

Bota sot: Si e vlerësoni situatën aktuale politike në Kosovë? Cili mendoni se është roli i Lëvizjes Vetëvendosje në ruajtjen e stabilitetit të vendit?

Gramos Agusholli: Sot politika ka shumë zhurmë e polarizim, por ne qëndrojmë në punë për qytetarët. Lëvizja Vetëvendosje ka rolin me mbajt vendin në këmbë, me vendime që japin rezultat dhe jo me fjalë boshe.

Bota sot: Mendoni se vendi ka nevojë për zgjedhje të reja, apo një marrëveshje politike do të ishte zgjidhja më e mirë në këtë moment?

Gramos Agusholli: Në fund të ditës, vendimet duhet të jenë për qytetarët. Marrëveshjet funksionojnë vetëm kur ka besim real, përndryshe zgjedhjet janë mënyra më e drejtë që qytetari të vendosë vetë.

Bota sot: Cili mendoni se do të jetë rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit?

Gramos Agusholli: Jam i bindur që do të kemi fitore edhe më të thellë se ajo e 9 shkurtit!

Bota sot: Nëse fitoni një mandat tjetër, cilat janë tri prioritetet tuaja kryesore që dëshironi të realizoni për qytetarët dhe vendin?

Gramos Agusholli: Tri prioritetet kryesore në rast të mandatit tjetër janë:

Mirëqenia e qytetarëve.

Ruajtja e moralit – politika në të mirën e vlerave tona si shoqëri, me familjen në radhë të parë.

Bota sot: Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë qenë shpesh subjekt i kritikave dhe sulmeve politike. Si i komentoni këto sulme dhe pse po ndodhin?

Gramos Agusholli: Kritikat shpesh nuk kanë lidhje me punën reale, por me frikën nga ndryshimi. Për çdo ditë po dëshmohet, dhe do të dëshmohet edhe më tej, se sa të pabaza kanë qenë dhe janë.

Bota sot: Po ashtu, edhe ju keni qenë objekt i sulmeve të ngjashme. Si i përgjigjeni atyre që tentojnë t’iu njollosin emrin?

Gramos Agusholli: Sa për ata që tentojnë të më njollosin, unë shpesh them: sulmet janë si moti – vijnë e shkojnë. Jam mësuar tashmë.

Bota sot: Si i vlerësoni deklarimet e LDK-së dhe mosvotimin e buxhetit? Mendoni se ishte një strategji e tyre për të përgatitur terrenin për fushatën zgjedhore?

Gramos Agusholli: Mosvotimi i buxhetit nga LDK është një lojë elektorale e pastër. Ata menduan më shumë për fushatën e tyre sesa për qytetarët. Për ne, prioritet mbetet puna konkrete dhe mirëqenia e njerëzve.

Bota sot: A vazhdoni të keni vija të kuqe për PDK-në apo subjektet tjera sa i përket koalicionit paszgjedhor, nëse paraqitet nevoja për të me rezultatin e zgjedhjeve?

Gramos Agusholli: Ne kemi standardet tona të qarta. Ata vetë kanë vendosur vijat e kuqe dhe e kanë bërë të qartë që nuk janë për qytetarët, por për llogaritje politike. Ne nuk do t’i ndryshojmë parimet tona për lojëra të tilla.

Bota sot: Si e komentoni vendimin e BE-së për heqjen e masave ndaj Kosovës? Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?

Gramos Agusholli: Ky vendim tregon se institucionet e Kosovës kanë punuar drejt dhe me përgjegjësi. Masat kanë qenë të padrejta që nga fillimi dhe heqja e tyre është sinjal se po ecim në rrugën e duhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *