“Ligji i Trumpit i ndërtuar mbi parimet e Albin Kurtit”, publicisti zbërthen prapaskenat
Së fundi, Presidenti Donald Trump ka nënshkruar Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili autorizon mbi 901 miliardë dollarë për programet e mbrojtjes dhe në të cilin është përfshirë edhe Kosova.
Ky ligj, ka marrë vëmendje të madhe, për faktin se është cilësuar si një garanci politike dhe strategjike se integriteti territorial, sovraniteti dhe orientimi pro-perëndimor i shtetit tonë mbeten të mbrojtura nga aleati ynë më i madh.
E për këtë temë, për “Bota sot” foli publicisti Lis Bukuroca.
Si fillim, ai u shpreh se ky ligj duket se është bërë mbi parimet e Kurtit, pasi ai tash e sa vite gjithmonë ka qendë kundër ndryshimit të kufijve, për dallim nga partitë e tjera politike.
Krahas kësaj, ai e vlerëson si lajm shumë të mirë për Kosovën.
“Jo vetëm ky ligj, por edhe propozimi që i është dorëzuar Senatit, i cili sipas raportimeve pritet të firmoset, duket se janë ndërtuar mbi parimet e Albin Kurtit.
Kurti ishte kundër ndryshimit të kufijve, ndryshe nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja. Të gjithë e dimë se në çastin e fundit kjo u pengua nga BE-ja. Thaçi nuk e dëshironte “korrigjimin” për Luginën, por shpresonte se, duke e shpërblyer Serbinë, do ta zhbënte Gjykatën e Posaçme, të cilën e kishte krijuar vetë bashkë me LDK-në dhe AAK-në. Në fakt, fillimisht e kërkoi me pasion; por kur kuptoi se do të akuzohej edhe ai, shfaqi pendesë dhe ndërmori nismën e dështuar për ta zhbërë.
Sidoqoftë, lajmi është i mrekullueshëm dhe drejtësia po rikthehet, sepse ish-presidenti Biden ishte i orientuar kokë e këmbë nga Serbia, ashtu si edhe Edi Rama. Pasuan Escobar, Lajçak dhe Borrell. Tani këta janë ndërruar dhe, për këtë arsye, Albin Kurti u “shpërblye” me anulimin e pjesshëm të masave ndaj Kosovës para zgjedhjeve”, deklaroi ai.
ImageLis BukurocaFoto galeri
Po ashtu, duke parë atë se çka ka vendosur senati amerikan, Bukuroca vlerëson se qeveria Trump po punon për mënjanimin e Vuçiqit dhe Ramës, si dhe politikanëve të tjerë të korruptuar.
“Kurti kërkonte vetëm drejtësi, asgjë më tepër. Tani, ajo që i është dërguar Senatit parashikon luftimin e korrupsionit në të gjitha fushat: nga qeveritarët, te gjykatat dhe prokuroritë, deri te karteli shtesë i të korruptuarve, që në Kosovë janë shumë, e në Serbi dhe Shqipëri edhe më shumë. Aty parashikohen edhe sanksione konkrete.
Bazuar në këto dy fakte, mund të thuhet se qeveria e Trumpit, në paraprijë, po punon për mënjanimin e Vuçiqit dhe Ramës, por edhe të të tjerëve të korruptuar në Ballkanin Perëndimor. Për Vuçiqin kjo u pa në Florida, në mosftesën për darkë në Nju Jork dhe në heqjen dorë nga investimi në Beograd. Ndërsa se Edi Rama do ta ketë radhën, kjo lexohet te Balluku”, shtjelloi ai.
Në fund, ai shtoi se lajme më të mira, Kosova nuk ka pasur për një kohë të gjatë.
Madje, tha se anëtarësimi në NATO zgjidh problemet me Serbinë.
“Domethënë, ligji tregon se qeveria e Trumpit po i kthehet Kosovës mbi ato parime që Kurti i kërkon tash e dhjetë vjet. Integrimi në NATO zgjidh të gjitha problemet me Serbinë.
Lajme më të mira nuk kemi pasur prej një kohe të gjatë”, përfundoi Lis Bukuroca për “Bota sot”.
