A po ndërhyn Serbia në zgjedhjet në Kosovë? Reagime pas tubimit të Listës Serbe
Më 17 dhjetor është hapur zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.
Subjekti politik Lista Serbe e nisi fushatën e saj me një tubim në sallën e sportit në veri të Mitrovicës.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe qytetarë të ardhur me autobusë nga Beogradi, gjë që ka nxitur reagime dhe debate në opinionin publik lidhur me mundësinë e ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë.
Me këtë rast a po ndërhyn Serbia në zgjedhjet në Kosovë?
Burjani: Kjo është e palejushme, e rrezikshme për eskalim të gjendjes në veri
ImageBlerim BurjaniFoto galeri
Juristi Blerim Bujrani në një përgjigje për “Bota sot”, ka vlerësuar se prania e shtetasve të Serbisë në tubime politike në veri të vendi është e paligjshme dhe e rrezikshme për eskalim të situatës.
Ai theksoi se, organet e rendit duhet të jenë vigjilente, ndërsa fushatat politike duhet të respektojnë ligjet e Kosovës, përndryshe do të pasojnë gjoba.
Sipas tij, institucionet e Kosovës dhe Policia kanë informacione të mjaftueshme dhe janë të gatshme të reagojnë për të mos lejuar daljen e situatës jashtë kontrollit.
“Kjo është e palejushme, e rrezikshme për eskalim të gjendjes në veri, shtetas të Serbisë nuk kanë çka kërkojnë në veri, ata nuk janë qytetarë të Kosovës, ose janë qytetarë me dyshtetësi. Organet e rendit duhet të jenë vigjilente, të kujdeshme, asgjë nuk duhet të befasoj Kosovën, fushatat e tyre duhet të respektojnë shtetin dhe ligjet e Kosovës në të kundërtën do të gjobitet Lista Serbe. Besoj se institucionet e Kosovës do të jenë të gatshme në rast të eskalimit të gjendjes, me rëndësi se policia e Kosovës ka informacione të bollshme dhe janë të gatshme që situata mos të dalë jashtë kontrolli”, u shpreh ai.
Kelmendi: Tubimet parazgjedhore në Kosovë janë publike
ImageMuhamet KelmendiFoto galeri
Kurse, profesori Muhamet Kelmendi thekson se fushatat parazgjedhore në Kosovë janë të lejuara me ligj dhe duhet të zhvillohen në frymë demokratike.
Sipas tij, tubimet janë të lira për qytetarët, por monitorohen nga KQZ dhe institucionet e sigurisë, të cilat vëzhgojnë veprimet dhe deklarimet politike.
Ai shton se Lista Serbe është nën monitorim të vazhdueshëm dhe ndaj saj mund të merren masa ligjore në varësi të veprimeve të ndërmarra.
“Fushatat parazgjedhore dhe zgjedhore në Kosovë janë të lejuara me ligj dhe domosdoshmërisht duhet të jenë demokratike dhe liridashëse. Arritja dhe pjesëmarrja në tubime është e lirë për qytetarët.
Natyrisht, tubimet kontrollohen dhe monitorohen nga organet kompetente. Në to, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe institucionet e sigurisë vëzhgojnë deklarimet politike, qëndrimet dhe veprimet pro apo kundër shtetit.
Në veçanti, subjekti politik Lista Serbe mbahet nën monitorim të vazhdueshëm dhe, varësisht nga veprimet e ndërmarra, merren edhe masa ligjore përkatëse”, thotë ai.
Më tej, thotë se, pjesëmarrja e qytetarëve serbë nga Serbia në tubime në veri të Kosovës lejohet vetëm nëse posedojnë dokumente të rregullta udhëtimi dhe në përputhje me ligjin.
Sipas tij, tubimet mund të lejohen ose të ndërpriten në rast të veprimeve antishtetërore, ndërsa KQZ dhe organet e sigurisë kanë përgjegjësi të plota për veprim para, gjatë dhe pas mbajtjes së tyre, me vendimmarrje që u takon institucioneve kompetente.
“Pjesëmarrja në tubime në Mitrovicën e Veriut e qytetarëve serbë të sjellë me autobusë nga Serbia, në parim, lejohet, por jo edhe e personave që nuk posedojnë dokumente zyrtare udhëtimi. Vizitat ditore nuk ndalohen, por gjithmonë në përputhje me ligjin.
Këtu kërkohet zbatimi i plotë i ligjit. Tubimi mund të lejohet ose të ndërpritet, varësisht nga veprimet eventuale antishtetërore.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organet kompetente të sigurisë kanë të drejta dhe përgjegjësi brenda kompetencave të tyre. Ato duhet të veprojnë para, gjatë dhe pas mbajtjes së tubimeve.
Vendimmarrja u takon institucioneve përgjegjëse”, përfundon ai.
