Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës: korrigjim politik apo kthesë drejt integrimit?
Bashkimi Evropian ka vendosur të heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit janar 2026, duke i hapur rrugë zhbllokimit të miliona eurove ndihmë financiare. Vendimi vjen pas vlerësimit pozitiv të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, veçanërisht pas kalimit paqësor të pushtetit lokal në zonat e banuara me shumicë serbe.
Masat ndëshkuese ishin vendosur në vitin 2023, si pasojë e tensioneve në veri të vendit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte e para që njoftoi për vendimin e BE-së, pas përfundimit të Samitit BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur në Bruksel.
“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës. Një pjesë e madhe hiqet sot, ndërsa pjesa tjetër në fund të janarit. Rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen – një pjesë shumë e madhe menjëherë, e pjesa tjetër në fund të janarit”, deklaroi Osmani.
Vendimin e konfirmoi edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një postimi në platformën X. Ajo theksoi se heqja e masave lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin paqësor të procesit të tranzicionit të pushtetit lokal në veri.
“Jam e lumtur të njoftoj se po ecim përpara për të hequr masat ndaj Kosovës. Po programojmë 216 milionë euro ndihmë financiare dhe kemi ndërmend të lëshojmë 205 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm”, shkroi von der Leyen.
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca, thotë se heqja graduale e masave të BE-së përbën një sinjal politik të rëndësishë,.
Sipas tij, masat ishin instrument presioni politik dhe jo vendime jurdike.
“Heqja graduale e masave te Bashkimit Evropian ndaj Kosovës përbën një sinjal politik të rëndësishëm, por jo domosdoshmërisht një kthesë strategjike në marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së. Këto masa ishin instrument presioni politik dhe jo vendime juridike, ndaj largimi i tyre duhet parë kryesisht si përpjekje e BE-së për të rikthyer normalitetin institucional dhe per të shmangur perceptimin e një qasjeje ndëshkuese ndaj Kosovës në një moment delikat rajonal.
Megjithatë, vetë vendosja e këtyre masave përfaqësonte një keqorientim politik të Bashkimit Evropian. Ato u aplikuan ne një periudhë kur institucionet e Kosovës po ndërmerrnin hapa për të shtrirë sundimin e ligjit në të gjithë territorin e vendit dhe për të luftuar format e konsoliduara të kriminalitetit. Në këtë kuptim, masat binin në kundërshtim me parimet themelore që vetë BE-ja promovon ndaj vendeve potenciale për integrim, pra forcimin e autoritetit institucional, sundimin e ligjit dhe funksionalitetin e shtetit. Në vend që të inkurajonin konsistencë reformuese, ato krijuan një disonancë normative mes diskursit evropian dhe praktikës politike”, deklaron Voca.
ImageMirsad VocaFoto galeri
Duke penalizuar Kosovën, BE dërgoi një sinjal të paqartë në raport me aktorët destabilizues në Ballkan, thotë Voca.
“Ky keqorientim pati edhe pasoja më të gjera rajonale. Duke penalizuar Kosovën, BE-ja dërgoi një sinjal të paqartë në raport me aktorët destabilizues në Ballkan. Në praktikë, kjo kontribuoi në inkurajimin e Serbisë për të vazhduar një qasje agresive dhe konfrontuese ndaj fqinjëve dhe një qëndrim mosbindës ndaj procesit të normalizimit. Kur masat ndëshkuese aplikohen ndaj palës që vepron për shtrirjen e rendit ligjor, ndërsa agresiviteti politik trajtohet me kujdes diplomatik, atëherë krijohet një asimetri që minon kredibilitetin e vet politikës evropiane në rajon”, shprehet doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare.
I pyetur nëse heqja e masave mund të konsiderohet hap drejt integrimit evropian të Kosovës, Voca, shprehet se integrimi nuk matet me heqjen e masave, por me progres të qëndrueshëm në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve dhe aftësinë për të menaxhuar dialogun me Serbinë në mënyrë konstruktive dhe strategjike..
“Vendimi aktual për heqjen e masave tregon se Brukseli e konsideron të përmbushur minimumin e kushteve për de/përshkallëzim dhe dëshiron të riaktivizojë komunikimin me Prishtinën. Megjithatë, ai nuk përfaqëson automatikisht një hap konkret drejt integrimit evropian. Integrimi nuk matet me heqjen e masave, por me progres të qëndrueshëm në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve dhe aftësinë për të menaxhuar dialogun me Serbinë në mënyrë konstruktive dhe strategjike. Në këtë kuptim, Kosova po kthehet më shumë në pikën e nisjes sesa po avancon drejt një faze të re integruese. Në raport me dialogun Kosovë/Serbi, ndikimi i këtij vendimi pritet të jetë i tërthortë. Heqja e masave ia largon Kosovës një barrë politike dhe e forcon argumentin se ka vepruar në frymën e de/përshkallëzimit, por nuk e ndryshon natyrën strukturore të një dialogu që vazhdon të jetë i paqartë në qëllim dhe i kushtëzuar nga dinamika të brendshme në Serbi dhe kalkulime gjeopolitike të vetë Bashkimit Evropian”, thekson Voca.
Sipas tij, pas heqjes së masave BE-ja do ta vëzhgojë jo retorikën politike, por performancën reale institucionale.
Në fund, ai shton se heqja e masave është korrigjim i nevojshëm politik, por jo një shpërblim dhe as një garanci për integrim të përshpejtuar.
“Tani, pas heqjes së masave, institucionet e Kosovës hyjnë në një fazë pa justifikime. BE-ja do ta vëzhgojë jo retorikën politike, por performancën reale institucionale që ka të bëjë me funksionimin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe konsistencën në zbatimin e reformave. Paralelisht, Kosova duhet të dalë nga qasja reaktive dhe të investojë më shumë në diplomaci aktive brenda BE-se, në ndërtimin e aleancave dhe në artikulimin e qartë të interesave të saj strategjike. Heqja e masave është, pra, një korrigjim i nevojshëm politik, por jo një shpërblim dhe as një garanci për integrim të përshpejtuar. Ajo e rikthen Kosovën në tryezën evropiane, por mënyra se si kjo mundësi do të shfrytëzohet varet nga aftesia për ta kthyer këtë moment në progres real dhe të qëndrueshëm, si për Kosovën ashtu edhe për kredibilitetin e vet Bashkimit Evropian në Ballkan”, përfundon Voca.
Kujtojmë se sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara (GAP), masat ndëshkuese i kanë shkaktuar Kosovës humbje financiare në vlerë rreth 613.4 milionë euro, për shkak të projekteve të pezulluara ose të shtyra për një afat të pacaktuar.
Për shkak të kalimit të afateve, rreth 7.1 milionë euro janë humbur përfundimisht.
