TË FUNDIT

Mbledhja e Qeverisë në detyrë, krejt çka deklaroi Kurti

Në mbledhjen e 280-të të Qeverisë, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka adresuar çështje të rëndësishme kombëtare dhe rajonale, duke përfshirë vendimet e Bashkimit Evropian, sigurinë në veri të vendit, dhe progresin e Kosovës në fushën e tregtisë dhe arsimit.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri ka theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit, bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe angazhimin e vazhdueshëm për integrimin evropian, përcjell “Bota sot”.

Ai gjithashtu ka njoftuar për hapa konkretë në kuadër të CEFTA-s, për memorializimin e Familjes Jashari në Itali, si dhe për shpërndarjen e bursave për studentë në Programin e Mobilitetit.

Adresimi i Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e 280-të të Qeverisë

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,

Të nderuar punonjës të kryeministrisë dhe të medieve,

Të dashur qytetarë,

Ne e mirëpresim vendimin e Bashkimit Evropian për të hequr masat, që i ishin vendosur Kosovës. Ato ishin të padrejta që në ditën e parë. Sepse, së pari, institucionet e Republikës së Kosovës nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat në veri të vendit tonë dhe së dyti, sepse deeskalimi i situatës ishte pikërisht meritë e institucioneve të Republikës së Kosovës. Ndërkohë, Republika e Kosovës dhe institucionet e saj u bënë cak i sulmeve terroriste, prej të cilave dy me pasoja të rënda: ai në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, heroi ynë, Afrim Bunjaku, dhe tjetri në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut më 29 nëntor 2024, që synonte dëmtimin e pariparueshëm të infrastrukturës kritike. Për të dy këto sulme, tashmë ka aktakuza të ngritura.

Për rastin e Banjskës, të gjitha provat dëshmojnë për një plan të përgatitur me përfshirjen dhe financimin e shtetit të Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës përmes strukturave paramilitare pas një konflikti që do të zgjerohej. Po të mos ishin vendimet në kohë dhe reagimi i shpejtë e profesional i njësive tona speciale të Policisë, mëngjesi i 24 shtatorit të vitit 2023 do të na zbardhte një realitet krejtësisht tjetër në terren. Ndërkaq, për sulmin mbi kanalin Ibër-Lepenc, provat e grumbulluara dhe informacionet rreth të arrestuarve gjithashtu konfirmojnë përfshirjen e strukturave ilegale të Serbisë dhe vetë shtetit të Serbisë.

Në retrospektivë, çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit do të ishte fatal për Republikën e Kosovës. Situata e qetë, lëvizja e lirshme dhe funksionimi i institucioneve të shtetit në veriun e Kosovës, është pikërisht, sepse ka triumfuar sundimi i ligjit dhe rendi publik.

E megjithkëto, gjatë gjithë kësaj kohe, nuk kemi qenë asnjëherë të hidhëruar me Bashkimin Evropian. Kemi mbetur plotësisht të përkushtuar ndaj integrimit evropian, për përmbushjen e kritereve për anëtarësim dhe për të vazhduar si aleatë dhe kampionë të vlerave demokratike.

Por, më duhet të them edhe diçka: Republika e Kosovës, masat më të mëdha financiare, nuk i ka vuajtur nga Bashkimi Evropian, por nga opozita parlamentare. Në muajin e kaluar, përkundër insistimit tonë, Kuvendi i Republikës u shpërnda pa u votuar Plani i Rritjes së BE-së në vlerë prej 880 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro, pra mbi 1 miliard euro gjithsej, në mungesë të vullnetit dhe të votës së opozitës. Andaj, uroj dhe shpresoj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit, edhe opozita e tanishme t’ia heqë masat Kosovës.

Si pikë e parë të rendit të ditës për sot, kemi propozimin për konfirmimin e obligimit të zbatimit të vendimeve të CEFTA-s dhe të protokolleve të saj.

Në fund të vitit të kaluar, 16 vjet pas shpalljes së pavarësisë, shënuam një arritje historike në CEFTA, duke larguar UNMIK-un e duke siguruar përfaqësim të plotë e direkt të vendit tonë. Ky hap forcoi zërin e Kosovës në vendimmarrjen rajonale dhe mundësoi udhëheqje aktive në CEFTA 2025, përfshirë zgjedhjen për herë të parë të një drejtoreje shqiptare në krye të Sekretariatit.

Këtë vit, nën udhëheqjen e Kosovës, morëm 12 vendime. Sot, për vendimmarrje të qeverisë, kemi vendimet që janë aprovuar në Komitetin e Përbashkët të CEFTA-s, sikurse: tregtinë elektronike dhe bashkëpunimin digjital; barna më të sigurta dhe qasje më e shpejtë në to; mbështetje për bizneset përmes uljes së kostove doganore dhe të përshpejtimit të procedurave doganore; njohje e nënshkrimeve elektronike dhe qasje më e barabartë në shërbime digjitale pa geoblocking; si dhe konkurrencë e drejtë, që sjell zgjedhje më të gjera e çmime më të mira.

Të gjitha këto vendime do të zgjerojnë dhe thellojnë tregtinë mes Kosovës dhe rajonit, si dhe qasjen graduale në tregun unik të Bashkimit Evropian. Arritje këto, që përkthehen, sigurisht, në më shumë vende pune, shërbime më cilësore dhe një Kosovë në përgjithësi më të sigurt e më prosperuese.

Dy pika tjera me rëndësi sot te të ndryshmet janë: vendimi në lidhje me Memorialin e Familjes Jashari dhe Epopenë e UÇK-së në Bashkinë Hora e Arbëreshëve në Itali dhe ndarja e mjeteve për Bursën e Mobilitet për Studentë.

Para një muaji e kam mirëpritur në kryeministri, Kryetarin e Bashkisë Hora e Arbëreshëve, z. Rosario Petta. Ndër temat që kishim diskutuar dhe për të cilat ishim pajtuar, ishte edhe memorializimi i veprës dhe kujtimit të heroizmit të kryekomandantit tonë Adem Jashari dhe familjes së tij epike në këtë komunë arbëreshe në Itali. Sot do të themelojmë Komisionin Profesional për përzgjedhjen e artistit apo grupit të artistëve për ngritjen e Memorialit për Familjen Jashari dhe Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hora e Arbëreshëve. Memoriali do të jetë donacion i Qeverisë së Republikës së Kosovës për arbëreshët në Itali.

Gjithashtu, po ndajmë 1.65 milionë euro për grupin e parë të studentëve përfituesve, rreth 10 mijë prej tyre, të Programit të Bursës së Mobilitetit për Studentë. Siç kemi njoftuar më parë, vlera e bursave ndryshon varësisht nga distancës prej vendit ku jetojnë dhe vendi ku studiojnë studentët. Kjo bursë synon që të zvogëlojë pabarazitë dhe të krijojë mundësi edhe për ata studentë, që vijnë nga zonat e largëta e që për ta studimet do të ishin më të kushtueshme. Me këtë, është përmbushur qysh tash njëri nga premtimet e Qeverisë sonë për mandatin e ardhshëm. Duke qenë Qeveri në detyrë tashmë po kryejmë edhe detyra të së ardhmes.

Dhe për fund, para se t’ia nisim mbledhjes, nga këtu u urojmë mirëseardhje në vendlindje bashkatdhetarëve tanë, që kanë nisur të vijnë dhe do të vijnë edhe më shumë gjatë javës tjetër. Atyre që tashmë kanë ardhur, urojmë që po kalojnë momente e kohë të këndshme me familjet dhe miqtë e tyre, ndërkaq, atyre që do të udhëtojnë ditëve në vijim, u urojmë rrugë të mbarë. Institucionet e shtetit, duke nisur nga policët kufitarë, do të jenë në dispozicion dhe në krye të detyrës për një mikpritje sa më të mirë.

Ju faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *