Qeveria e Kosovës: Serbia kërkoi ndryshimin e tekstit të propozimit franko-gjerman, për këtë shkak s’u nënshkrua
Qeveria e Kosovës: Serbia kërkoi ndryshimin e tekstit të propozimit franko-gjerman, për këtë shkak s’u nënshkrua
Qeveria e Kosovës është deklaruar në lidhje me zhvillimin e djeshëm në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuciq, takim ky i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Nga Qeveria e Kosovës u tha se para fillimit të takimit zyrtar me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrell, Kurti realizoi një takim me zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Me të bisedoi për pritjet nga takimi i sotshëm. Kryeministri e falënderoi emisarin Escobar për mbështetjen dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut.
Gjatë ditës, pas takimit bilateral me Përfaqësuesin e Lartë, Borrell, dhe emisarin e BE-së Miroslav Lajçak, u zhvillua takimi trilateral.
“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç është propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, pala serbe e refuzoi nënshkrimin. Në takimin trilateral, u dakordua që teksti i Propozimit të BE-së të mbetet i pandryshuar, edhe pse Serbia ende nuk është treguar e gatshme për ta nënshkruar. Palët do të fillojnë bisedimet për planin e zbatimit. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar”,thuhet në njoftimin për media.
Po ashtu u tha se marrëveshja e arritur mbrëmë është mes palëve që e njohin njëra-tjetrën si të barabarta, dhe është arritur mbi bazën e respektimit të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre. Marrëveshja, mes tjerash siguron edhe njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe simboleve shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, vendosjen e misioneve të përhershme si dhe garanton se asnjëra palë nuk e përfaqëson apo vepron në emrin e tjetrës në sferën ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Serbia po ashtu obligohet të mos pengojë apo kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare.
Teksti i plotë i marrëveshjes është i publikuar në tërësi në ueb faqen zyrtare të Shërbimit të Jashtëm të BE-së. Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars./Lajmi.net/