TË FUNDIT

“Mos lësho pe” – mesazhi që po shqetëson disa – Slogani i VV-së: Identitet, rezistencë dhe refuzim i kompromisit të dëmshëm

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit ende nuk ka nisur zyrtarisht.

Subjektet politike kanë prezantuar sloganet me të cilat do të garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit. Fushata zgjedhore do të nisë më 17 dhjetor dhe do të përfundojë më 27 dhjetor.

Lëvizja Vetëvendosje do të hyjë në garë me sloganin “Siguri dhe begati. Mos lësho pe!”.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zgjedhur sloganin “Bashkë përpara”, i shoqëruar me mesazhin shtesë “për të gjithë qytetarët. Për Kosovën”.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të garojë me sloganin “Zgjidh shpresën. Zgjidh punën. Zgjidh LDK-në.”

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka prezantuar sloganin “Krah teje”, ndërsa Nisma Socialdemokrate do të marrë pjesë në zgjedhje me sloganin “Me Fatmir Limaj”.

Ajo çfarë po u pengon disa akterëve e analistëve politikë është slogani i Lëvizjes Vetëvendosje.

Madje, ka zëra se slogani i VV-së, “Mos lësho pe”, do të thotë që kjo parti do të vazhdojë avazin e vjetër politik.

Rexhepi: “Mos lësho pe” është një slogan i qartë, identifikues dhe me mesazh të fortë politik

Anëtari i listës “Guxo”, Agim Rexhepi në një përgjigje për “Bota sot”, thekson se slogani i VV-së “Mos lësho pe” përfaqëson qëndrueshmëri morale dhe politike kundër padrejtësive, korrupsionit dhe pazareve politike, jo ngurtësi apo mungesë dialogu.

Ai është kundër “avazit të vjetër” që ka prodhuar privatizime të dëmshme, institucione të kapura dhe varfërim të qytetarëve.

“Slogani i Lëvizjes Vetëvendosje “Mos lësho pe” nuk mund dhe nuk duhet të interpretohet si vazhdimësi e ndonjë “avazi të vjetër politik”, por si konfirmim i një parimi themelor politik dhe moral që kjo lëvizje ka përfaqësuar që nga themelimi i saj: qëndrueshmërinë përballë padrejtësive, kompromisit të dëmshëm dhe presioneve të brendshme e të jashtme që cenojnë interesin publik.

Pretendimet e disa ish-deputetëve të LDK-së se ky slogan nënkupton ngurtësi apo mungesë reformimi janë më shumë lexime politike të interesuara, sesa analiza objektive. “Mos lësho pe” nuk do të thotë refuzim i dialogut apo bashkëpunimit, por refuzim i pazareve politike, i korrupsionit, i kapjes së shtetit dhe i politikave që për dekada e kanë mbajtur Kosovën peng të elitave të vjetra.

Në fakt, ky slogan është në kontrast të plotë me avazin e vjetër politik, sepse ai i drejtohet pikërisht asaj kulture të lëshimeve të vazhdueshme që kanë prodhuar:

-Privatizime të dëmshme,

-Institucione të kapura,

-Mungesë llogaridhënieje,

-dhe varfërim të qytetarëve”, thotë ai.

Rexhepi, nënvizon se slogani “Mos lësho pe” dallon nga sloganet e përgjithshme të partive të tjera, pasi ka mesazh të qartë politik dhe simbolizon vazhdimësinë e reformave, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit.

Sipas tij, koherenca mes sloganit dhe veprimeve qeverisëse e bën atë të besueshëm dhe shenjë të këmbënguljes për ndryshim real, jo stagnim.

“Kur krahasohet me sloganet e partive të tjera, të cilat shpesh janë të përgjithshme, pa përmbajtje konkrete dhe të përsëritura në çdo fushatë (“zhvillim”, “integrim”, “stabilitet”), “Mos lësho pe” është një slogan i qartë, identifikues dhe me mesazh të fortë politik. Ai përçon idenë e vazhdimësisë së reformave, të luftës kundër korrupsionit dhe të mbrojtjes së sovranitetit institucional.

Sa i përket interpretimit publik, është e vërtetë që mënyra se si lexohet një slogan ndikon në perceptimin e një partie. Por në rastin e Vetëvendosjes, slogani përputhet me veprimet konkrete të qeverisjes: rritje të rendit dhe ligjit, forcim të shtetit, politika sociale më të drejta dhe distancim nga interesat e ngushta politike. Kjo koherencë mes fjalës dhe veprës e bën sloganin të besueshëm për shumicën e qytetarëve”.

Në përfundim, “Mos lësho pe” nuk është shenjë e stagnimit, por e këmbënguljes për ndryshim real. Është mesazh se Vetëvendosje nuk do të kthehet te kompromiset e vjetra që e kanë dëmtuar Kosovën, por do të vazhdojë rrugën e reformave në interes të qytetarëve dhe shtetit” – deklaron ai.

Ramabaja: Politikisht, “Mos lësho pe!” sinjalizon: refuzim të kompromisit asimetrik; mospranim të presionit ndërkombëtar; vijë të kuqe në dialogun me Serbinë

Analisti politik, Sadri Ramabaja, deklaron se sllogani politik në demokracitë liberale është një përmbledhje simbolike e ideologjisë, që shërben kryesisht për mobilizim dhe identifikim politik, e jo për shpjegim të programeve qeverisëse.

Çfarë është sllogani politik në demokracitë liberale?

“Në rrafshin politik, sllogani është një akt kondensimi ideologjik, që e përkthen një projekt kompleks qeverisës në një shenjë të thjeshtë komunikimi publik.

Ai nuk është program, por zëvendësim simbolik i programit në kushtet e mbingarkesës informative, apatisë politike dhe konkurrencës mediatike.

Në demokracitë liberale – përfshirë Kosovën – sllogani funksionon në radhë të parë si instrument mobilizimi, jo deliberimi; si mekanizëm identifikimi, jo sqarimi politikash”, thotë ai.

Sipas Ramabajës, sllogani i VV-së “Mos lësho pe!” vepron si aktivizues psikologjik dhe identitar: ul ankthin kolektiv, forcon ndjenjën e përkatësisë dhe vetëvlerësimin shoqëror.

Ramabaja thotë se ai është sllogan rezistencial, sovranitar dhe mobilizues, me formë imperativi moral që refuzon kompromisin, sinjalizon vijë të kuqe politike dhe përkohësisht zëvendëson logjikën liberale të kompromisit me etikën e rezistencës dhe mbrojtjes së sovranitetit.

“Slloganin e Lëvizjes Vetëvendosje duhet parë edhe në dimensionin psikologjik meqë ai shërben si aktivizues emocional. Psikologjikisht, sllogani synon të reduktojë ankthin politik në shoqëri, duke garantuar siguri ekonomike, përballje të dinjitetshme me traumën kolektive rreth të ardhmes së Republikës, sidomos kur kihet parasysh kontestimi permanent I shtetësisë nga ana e Serbisë.

Në këtë rast sllogani funksionon si mekanizëm qetësimi simbolik; ai kijojë identitet të thjeshtuar duke ndatë korpusin politik dhe elektoral në “ne” dhe “ata”, me çka elektoratit i ofron përkatësi të shpejtë emocionale.

Kjo shpjegon pse slloganet më efektive janë: të shkurtra, imperativë, moralisht të ngarkuara.

Tek sllogani i VV “Mos lësho pe” kemi të bëjmë në mënyrë eksplicite me tipin e slloganit identitar; ai i drejtohet dinjitetit, sovranitetit; ndërkaq psikologjikisht forcon vetëvlerësimin kolektiv.

Sllogani i Lëvizjes Vetëvendosje “Mos lësho pe!” është një rast shumë i pastër analitik, sepse ai përmbledh në dy fjalë strategji politike, psikologji kolektive dhe pozicionim gjeopolitik.

Tipologjikisht sllogani “Mos lësho pe!” i përket një kombinimi të tre kategorive:

Sllogan rezistencial

Sllogan sovranitar

Sllogan mobilizues konfliktual

Ai nuk është as teknokratik, as programatik e as pajtues

Është normativ dhe imperativ.

Këtu më poshtë po bëjë një analizë të shkurtër semantike që të kuptojmë qartë se çfarë thotë realisht sllogani.

a) Forma gjuhësore

• Imperativ negativ: mos + lësho

• Subjekt i nënkuptuar: ti (qytetari / populli)

• Veprim i ndaluar: kompromisi

Kjo e bën slloganin të tingëlloj si një urdhër moral, jo ftesë politike.

b. Dimensioni politik: Pozicionim ndaj pushtetit dhe negociatave

Politikisht, “Mos lësho pe!” sinjalizon: refuzim të kompromisit asimetrik; mospranim të presionit ndërkombëtar; vijë të kuqe në dialogun me Serbinë.

Pra, është sllogan i politikës së kufirit, jo i menaxhimit të përditshëm.

Në këtë kontekst sllogani ka një shkëputje me thelbin e demokracive liberale: kompromisin. Në demokracitë liberale klasike, kompromisi është virtyt.

Ky sllogan e pezullon përkohësisht logjikën liberale, duke e zëvendësuar me logjikë rezistence, etikë të sovranitetit të rrezikuar”, shpjegon ai.

Në përmbyllje, analisti vlerëson se opozita, veçanërisht LDK-ja, nuk e kupton paradigmën e re politike të VV-së dhe mbetet pa pozicionim ideologjik të qartë, çka e detyron VV-në të mbulojë edhe rolin e opozitës. Sllogani “Mos lësho pe!” paraqitet si thirrje për siguri dhe vetëdije qytetare ndaj rrezikut të rikthimit të status quo-së së vjetër.

Ai thekson se rëndësia kryesore nuk qëndron te sllogani si tekst, por te interpretimi publik i tij, i cili formëson emocionet dhe perceptimin e partisë, sidomos kur ajo është në pushtet.

“Deputetët e LDK dhe pothuajse shumica e deputetëve opozitar, janë larg të të kupuarit të kësaj paradigme politike të re që po ushtron Vetëvendosja. Ata duket se nuk e kanë të qartë kohën që po jetojmë, ndeshtratshat që na presin me këtë lloj të rikthimit të gjeopolitiks, por as konceptin politik edhe atë ideolofgjik të slloganit.

Најлош непријател на болката во зглобовите. Прочитајте!
Nautubone
Në këto rrethana kur opozita nuk është as peshk e as mish, kur nuk ka pozicionim të qartë ideologjik; kur më së paku si tërësi paraqesin spektër real të djathtë, VV-së, për fat të keq, po i duhet të bëjë njëkohsisht edhe punën e opozitës, respektivisht të të djathtës reale.

Në esencën e slloganit të saj ajo sjellë sigurinë: Mos lësho pe! Që nënkupton një thirrje që do të duhej të godiste ndërgjegjen dhe vetëdijen qytetare për rrezikun që mund t’na pres, në rast të riciklimit të establishmentit të vjetër. Bëhet fjalë, siç e ka pohuar vet nënkryetarja e LDK, z. Hikmete Bajrami, për mundësinë e rikthim në statusquonë të Kosovës në pozicionin para vitit 2021, kur diskutohej për ndarjen e Kosoëvs. Ky fakt për 16% të territorit të Republikës është kërcnim real, rrezik për humbjen e kësaj pjese jetike Atdheut dhe gjeografisë së Kombit.

E vjetra në këtë rast është pikërisht LDK-ja dhe pozicionimi i saj.

Tani më lejoni të përqëndrohem te pjesa e fundit e pyetjes suaj – tek rëndësia që ka mënyra se si interpretohet një sllogan politik në perceptimin publik të një partie.

Rëndësia është thelbësore. Në shumë raste, interpretimi i slloganit ka më shumë peshë se vetë qëllimi i autorëve të tij. Në perceptimin publik, sllogani nuk është tekst i mbyllur, por objekt interpretimi kolektiv.

Në demokracitë liberale qytetarët nuk reagojnë ndaj mesazhit “siç është”, por ndaj mesazhit “siç e kuptojnë”.

sllogani prandaj funksionon si shenjë e hapur (open signifier), e që mbushet me kuptime nga: media, kundërshtarët politikë, përvoja personale e votuesve…

Ndërkaq interpretimi formëson emocionin; ai mund të mobilizojë shpresë → tek një grup; të prodhojë frikë → tek një tjetër; ose të ngjallë rezistencë → ose refuzim.

Kur një parti është në pushtet sllogani nuk lexohet më si premtim, por si paralajmërim i stilit të qeverisjes. Kështu, në rastin konkret tek VV-ja sllogani “Mos lësho pe!” I bën thirrje emocionale elektoratit të vet që të bëjë rezistencë legjitime – të mbajë pushtetin tutje; “Mos lësho pe!” në pushtet → rrezik i infleksibilitetit.

Siç shihet interpretimi e zhvendos kuptimin pa ndryshuar tekstin.

Në kët rast, siç pohuam më lart, sllogani është më shumë politik e emocional. Prandaj si i tillë ai nuk përcakton vetë imazhin e partisë, madje do të thosha se interpretimi publik i tij e bën këtë” – përfundon ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *