Idriz Zeqiraj: Premtimet e politikanëve lëkunden mes dëshirës dhe mashtrimit; sllogani i Kurtit është alarm për mobilizim
Publicisti Idriz Zeqiraj ka komentuar zhvillimet politike dhe premtimet zgjedhore të partive politike në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, duke i quajtur ato shpesh të pambuluara dhe joreale.
Sipas tij, zakonisht premtimet e politikanëve janë në mes të dëshirës dhe mashtrimit, më saktë, gënjeshtrës. Ai thotë se kur premtimet nuk kanë bazë materiale dhe logjike, ato shndërrohen në gënjeshtra të qëllimshme.
“Si reaksion ndaj makro-premtimeve të parealizueshme, ka lindur me të drejtë edhe shprehja ‘hajvana’”, theksoi Zeqiraj.
Duke folur për koalicionin PAN (PDK, AAK, Nisma), Zeqiraj i cilësoi premtimet e tyre si “enorme e havadyze, sipas fjalorit popullor”, duke shtuar se të njëjtit po rikthehen sërish me lojën e pensioneve dhe të veteranëve, ndonëse 45 mijë e 500 prej tyre janë të rrejshëm.
ImageIdriz ZeqirajFoto galeri
“Në fushatën zgjedhore të 9 shkurtit 2025 subjektet politike PDK, AKK, NISMA, të koalicionuara në PAN, krerët partiakë të tyre bënë premtime enorrme, “havadyze”, -siç thotë populli, ashtu siç kanë filluar edhe tani për “lojën” e pensioneve dhe të veteranëve edhe pse 45.500 janë të rrejshëm”.
Në anën tjetër, Zeqiraj thotë se LDK ka dhënë burime konkrete për mbulimin e premtimeve, ndërsa për LVV-në thekson se në zgjedhjet e vitit 2025 nuk ka dhënë premtime të reja, pasi ka qenë duke i përfunduar ato të lëna përgjysmë nga PAN-i.
“Ndërsa LDK-ja për premtimet e bëra, ka dhënë burimet që mbulojnë premtimet. Kurse LVV në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk ka dhënë asnjë premtim, sepse i ka pasur ende të papërfunduara, ato që i ka lënë në gjysmë PAN-I”, thotë ai.
Sa i përket slloganit elektoral të Albin Kurtit, “fitore edhe më të madhe”, Zeqiraj e përkufizon atë si një mesazh të dyfishtë.
“Sllogani i Kurtit është thirrje mobilizuese për elektoratin, por njëkohësisht edhe tregues frike nga rënia e mbështetjes. Është një SOS politik për mobilizim urgjent. Kjo qasje tregon maturi dhe realizëm, pasi fitorja ose humbja varen tërësisht nga elektorati”, thekson ai.
Publicisti vlerëson se Kurti, së bashku me LVV-në, GUXO-n, Alternativën dhe tani edhe Partinë Demokristiane, ka treguar parimësi duke refuzuar bashkëqeverisjen me subjektet e PAN-it.
“Kurti nuk ka asnjë obligim t’i rehabilitojë të kriminalizuarit. Ky është një tregues i epërsisë morale ndaj opozitës, e cila për të arritur qëllimet nuk po zgjedh mjete,” deklaroi Zeqiraj.
Në fund, publicisti thekson se përballja e LVV-së me një front të bashkuar të partive tjera e bën mobilizimin e elektoratit akoma më vendimtar.
“Kur të gjithë bashkohen kundër njëshit – LVV-së – mbështetja bëhet më akute, madje vendimtare,” përfundoi ai.
