OPINIONTË FUNDIT

Mos i mëshoni narrativës së bojkotit të zgjedhjeve, por pjesëmarrjes masive më 28 dhjetor!

Sociologu i shquar i politikës së shekullit XX, Max Weber, ka lënë një trashëgimi të pasur për mënyrën se si duhet të jenë politikanët. Në këtë kuptim mbetet lapidare klasifikimi i tij në dy kategori: politikanë që vijnë në pushtet për t’u shërbyer interesave të vendit dhe qytetarëve, si dhe politikanë që vijnë në pushtet për interesat e tyre personale dhe për prestigj. Ndërkohë, ne shqiptarët njohim edhe politikanë që luftojnë gjoja për atdheun dhe, kur vijnë në pushtet, ndajnë “tortën e fitores” mes vete. Kjo ka ndodhur në vitin 1944 në Shqipëri dhe, fatkeqësisht, në një farë mase ndodhi edhe në vitet 1999–2000 në Kosovë.

Sot Shqipëria dhe Kosova vuajnë, ndër të tjera, edhe këtë lloj simptome, sipas së cilës: “Unë që kam sakrifikuar për lirinë e Shqipërisë apo të Kosovës, ndaj meriton të kem edhe pasuritë e këtyre dy shteteve”. Madje shkohet edhe më tej, kur kërcënohet se: “Nëse ju nuk na i jepni, ne i marrim me zor”!

Ky është shkaku pse diskutimi mediatik dominohet nga interesi dhe jo ndjenja patriotike. Të shtunën e kaluar ishim në RTK bashkë me dy opinionistë nga Shqipëria. Njëri prej tyre hodhi narrativën sipas së cilës në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë do të ketë më pak votues sesa në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti. “Partia e indiferentëve, – tha ai, – do të rritet.” Ishte kjo një hipotezë krejt pa vend, pa asnjë lloj indicie. Ndoshta e huazuar nga thirrjet e Edi Ramës në zgjedhjet e 11 majit të shkuar, kur u thoshte votuesve: “Nëse nuk e votoni Partinë Socialiste, mos shkoni të votoni”! Por ishte e trishtë ta dëgjoje këtë në ekranin e Radio Televizionit të Kosovës.

Narrativa sipas së cilës qytetarët e Kosovës do ta ndëshkojnë politikën për ngërçin e krijuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit është pa logjikë, pa vend dhe e sajuar. Përkundrazi, zgjedhësit në Kosovë janë e do të jenë më të motivuar se kurrë më parë për të dhënë votën e për të mundësuar zgjidhjen e atij ngërçi artificial që krijuan partitë, sidomos ato të ish-opozitës.

Pse vë theksin te PDK, LDK, AAK dhe Nisma? Sepse këto parti bojkotuan përpjekjet për të krijuar qeverinë dhe institucionet e shtetit. Mund të mos arrinin marrëveshje me VV, por duhej të diskutonin. Bojkoti i tyre shkaktoi ngërçin. Albin Kurti i bëri thirrje disa herë Lumir Abdixhikut për të bashkëqeverisur. Abdixhiku, nga ana e tij, nuk pranoi të ulej në bisedime. Refuzimi i bisedimeve ishte dhe mbetet bojkot.

Në të gjithë botën demokratike, në raste të tilla ndëshkohen bojkotuesit. Duhet thënë se kreu i LDK-së e refuzoi diskutimin për koalicion qeverisës me VV, sepse ai e dinte që oferta e Kurtit do të ishte aq bujare, sa refuzimi i saj do ta vinte LDK-në para përgjegjësisë. Për këtë arsye nuk pranoi dialog. Ky bojkot është i paprecedentë në vendet e demokracive perëndimore. Nuk ndodh që partia që ka të drejtë të formojë qeverinë të bëjë ftesë për bashkëqeverisje, dhe partitë e tjera më të vogla të refuzojnë edhe diskutimin. Ndodh që të mos pranohet oferta. Ndodh që të mos përputhen programet e projektet. Ndodh që minoranca të ndihet e pakënaqur me përfaqësimin. Por nuk mund të refuzohet kërkesa për dialog. Në Kosovë refuzuan pikërisht ata që akuzojnë Kurtin se ka bllokuar dialogun me Serbinë.

Kolegu im nga Tirana, në diskutimin televiziv të së premtes së kaluar, mbrojti bojkotin, ndërkohë që bojkotin e opozitës në Shqipëri e ka kritikuar ashpër. Diskutimet me axhendë të paracaktuar janë të sajuara dhe të dëmshme. Aq i dëmshëm është nxitja e bojkotit për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë, sa rrezikon vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Alibia e “indiferentëve” nuk vlen për Kosovën.

Sepse në Kosovë nuk grabiten votat me dhunë, me patronazhistë, me mobilizimin dhe kërcënimin e administratës shtetërore si në Shqipëri. Sepse në Kosovë nuk i zgjedh liderët mafia dhe krimi i organizuar, siç ndodh rëndom në Shqipëri. Sepse Kosova nuk është Shqipëri – dhe nëse në Shqipëri vazhdojmë të ikim e ta zhbëjmë kombin për interesat kriminale të kastës në pushtet, atëherë uroj që Kosova kurrë mos u bëftë Shqipëri!

Predikimi dhe thirrja që duhet të bëhet në të gjitha ekranet televizive, në mediat e tjera dhe në rrjetet sociale duhet të jetë vetëm një:

Më 28 dhjetor sa më shumë votues në qendrat e votimit! Sa më shumë vota për stabilitetin e Kosovës dhe institucioneve të saj! Sa më shumë përgjegjësi për fatin e shtetit dhe sa më pak vëmendje për interesat personale të votuesit dhe politikanit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *