Hoti: Degradimi i gjuhës politike dhe pasojat e saj në shoqëri
Analisti politik Agron Hoti duke komentuar deklaratat fyese të Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, shpreh shqetësimin e tij për gjendjen e gjuhës politike në vend
“Personalisht jam kundër çdo fyerjeje, pa marrë parasysh kush e bën dhe ku e bën. Por është e vërtetë se gjuha politike ka degraduar në përmasa të padurueshme,” thotë ai.
Hoti thekson se ky degradim ka shumë shkaqe, duke përfshirë polarizimin e thellë politik, politizimin e gjithçkaje dhe mungesën e kulturës së debatit demokratik.
“Shoqëria jonë ka kaluar përmes krizash të vazhdueshme dhe një jetë mbijetese ku mendimi i pavarur pothuajse nuk ka ekzistuar. Kjo ka krijuar mosbesim të lartë ndaj njëri-tjetrit dhe nivele të ulëta vetëbesimi,” shpjegon ai.
Sipas Hotit, rritja e populizmit dhe media që shpesh ushqen konfliktin kanë ashpërsuar edhe më shumë diskursin publik.
“Ndërsa dikur kishim njerëz të mençur si referencë, sot sa më shumë që shan dhe fyen dikush, aq më i përmendur bëhet në rrjetet sociale. Kjo është për të ardhur keq,” vlerëson ai.
Analisti paralajmëron se pa stabilitet politik dhe institucional, tejkalimi i krizës shpirtërore dhe sociale do të jetë i vështirë, në mos i pamundur.
