OPINIONTË FUNDIT

Zgjedhjet e 28 dhjetorit, ja çfarë po paralajmëron politologu i njohur

Me 28 dhjetor, qytetarët do të kthehen përsëri në kutitë e votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, duke sjellë shpresën e një rifreskimi në skenën politike.

Politologu Fahredin Majkovci, në një prononcim për “Bota sot” ka vlerësuar se zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit mund të sjellin një kapitull të ri politik, për shkak të përfshirjes së emrave të rinj në lista.

Megjithatë, ai thekson se kandidaturat për kryeministër pritet të jenë të njëjtat, gjë që kufizon transformimin e plotë të skenës politike.

“Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, të dytat brenda këtij viti, pritet të hapin domosdoshmërisht një kapitull të ri politik në vend, i cili në rrjedhojë do të duhej të prodhonte qeveri të re. Një nga premisat kryesore që ushqen pritjet për ndryshim është përfshirja e emrave të rinj në listat zgjedhore.

Megjithatë, një element që e ngurtëson këtë pritje është fakti se kandidaturat për kryeministër pritet të mbeten të njëjtat personalitete të politikës, duke kufizuar në një masë të caktuar mundësinë për transformim të plotë të skenës politike”, ka thënë ai.

ImagePolitologu Fahredin MajkovciFoto galeri
Gjithashtu, Majkovci ka theksuar se përfshirja e emrave të rinj në lista është e domosdoshme në çdo zgjedhje, pasi kombinon strukturat partiake me personalitete të reja që kanë peshë në shoqëri.

“Kjo është një domosdoshmëri në çdo palë zgjedhje. Listat zgjedhore përfaqësojnë një kombinim mes strukturave partiake dhe personaliteteve të reja jashtë tyre, të cilat gëzojnë peshë në jetën sociale të vendit. Edhe në këto zgjedhje, përfshirja e emrave të rinj është e pashmangshme, sepse shumë prej kandidatëve të zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk rezultuan të suksesshëm dhe është krejtësisht natyrshme që një pjesë e tyre të zëvendësohen”, ka vlerësuar ai.

Ai ka kritikuar partitë për pasivitet pas zgjedhjeve, mungesë angazhimi të opozitës dhe premtime joreale gjatë fushatës, duke theksuar se partitë duhet të funksionojnë mbi programe dhe platforma afatgjata për të fituar besimin e qytetarëve.

“Fitimi i besimit qytetar është një proces i gjatë dhe mjaft kompleks. Ai ndërtohet me kohë, me përkushtim të vazhdueshëm. Një nga anomalitë kryesore të partive politike në vend është se sapo përfundojnë zgjedhjet, shumica e tyre e pasivizojnë aktivitetin politik, për të mos thënë që e ndërpresin pothuajse krejtësisht.

Partitë që fitojnë pushtetin shpesh krijojnë distancë dhe tregojnë indiferencë ndaj qytetarëve që i votuan, ndërsa ato që mbeten në opozitë rrallë arrijnë ta ruajnë një angazhim konsekuent dhe të prodhojnë kundër-alternativa serioze ndaj pozitës.

Një element tjetër i rëndësishëm që është vënë në pah vitet e fundit është mungesa e konsistencës në premtimet e fushatës. Premtohet shumë, shpesh duke u shkëputur nga realiteti dhe nga kapacitetet reale të zbatimit.

Prandaj, partitë politike duhet të insistojnë të funksionojnë mbi baza programore dhe platforma afatgjata, për të cilat duhet të jenë të vetëdijshme dhe të përkushtuara. Sepse, në fund të fundit: “Besimi qytetar nuk kërkohet; ai ndërtohet çdo ditë, me vepra, përgjegjësi dhe transparencë””, ka përfunduar Majkovci

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *