Populli para përgjegjësisë historike – 28 dhjetori, dita “D” për popullin e Dardanisë
Krahasuar me Thaçin, “Albini absolutisht nuk ka bërë asgjë”, por ja që ky nuk fali territore si Kulla dhe Çakorri dhe nuk e ndau Dardaninë. Ky nuk bashkëpunoi me shërbimin inteligjent francez DGSE, anëtar i të cilit u zgjodh për të siguruar ndarjen e pjesës veriore. Ky u takua “rastësisht” me Putinin sipas regjisë së Vuçiqit dhe Edi Ramës. Ky nuk u deklarua kurrë, sikurse Thaçi dhe Vuçiqi, “we are nice guys”, por Kurti asnjëherë nuk ia zgjati dorën, përderisa Thaçi zgërdhihej me të, duke i dëgjuar urdhrat e tij që mos të fliste asgjë rreth asaj për të cilën ishin marrë vesh.
Pse Serbia po e kërkon Thaçin të kthehet në pushtet dhe po e lufton Kurtin? Ky i fundit e çveshi atë para popullit serb, të cilin e mashtroi se veriun do ta kthente nën Serbi sipas marrëveshjes me Thaçin. Tani, ju po doni ta shpallni larg qoftë edhe hero, i cili bashkë me Edi Ramën punuan shumë zellshëm për ta ndarë veriun dhe për ta formuar Ballkanin e Hapur.
Aktivisti serb dhe opozitari i Millosheviqit e Vuçiqit, Nenad Çanak, deklaroi se Vuçiqi ka shpenzuar 1 miliard e 600 milionë dollarë për të penguar kthimin e Kurtit në pushtet – gjë që po del e vërtetë, sepse shumica e mjeteve të informimit, posaçërisht televizionet hibride, nëpër të cilat kanë defiluar të ashtuquajtur analistë të paguar me paratë e Serbisë për t’ua dedikuar partive politike, kanë përzgjedhur njerëzit e tyre për t’i mbrojtur e lobuar për Serbinë – gjë që po vërehet edhe gjatë aderimeve të tyre nëpër partitë politike.
Është çmenduri ajo që po ndodh në momentet më kritike për vendin: luftohet njeriu që e çliroi veriun, e shtriu sovranitetin dhe nga pjesa veriore e përzuri Serbinë me bisht ndër shalë, përderisa partitë opozitare s’po bëjnë asgjë për të rikthyer listën serbo-shqipfolëse në pushtet në pjesën veriore.
Refuzimi i certifikimit të kësaj liste terroristo-çetnike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fatkeqësisht, i trazoi ambasadat, por ato kurrë nuk u morën me përbërjen e saj dhe nuk kërkuan që ajo të pastrohet nga ata që kanë organizuar dhe marrë pjesë që nga bllokadat e rrugëve, sulmet ndaj forcave të KFOR-it, e deri te sulmet terroriste në Banjë dhe ato në kanalin Ibër–Lepenc.
Askush nuk e konteston pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje për të përfaqësuar komunitetin serb, por jo me të njëjtit individë të cilët ende nuk e njohin shtetin në të cilin jetojnë – me logjikën e tyre, me kokën në Serbi e trupin në Dardani.
Nuk e kuptoj kur disa burokratë të DASH-it deklarojnë nën presionin e lobimit serb, në bashkëpunim me disa shqipfolës, jo vetëm në Dardani, por edhe në SHBA, të cilët hapur lobojnë kundër vetes, duke propaguar dhe paguar para të majme të sponsorizuara nga Serbia. Nuk përjashtohen as burokratët e korruptuar të nominuar, por jo të zgjedhurit e popullit, të cilët dalin kundër Kurtit, i cili asgjë më tepër nuk po bën, veçse po e shtrin sovranitetin në tërë territorin e vendit. Siç pati deklaruar Vogel: “Kurti nuk urdhërohet si Thaçi, prandaj nuk e duan në Washington e Bruksel.” Ngjashëm deklarojnë Janusz Bugajski, Eliot Engel, etj.
Prandaj, populli, nëse nuk tregohet i kujdesshëm, vigjilent dhe i vendosur ndaj kësaj ndërmarrjeje politike me pasoja tragjike për të ardhmen e vendit, askënd nuk mund të akuzojmë pos veten. Do të na gjykojë historia. Por shpresojmë se populli nuk dëshiron të lejojë kthimin nën kthetrat e Serbisë, me përkrahjen e shqipfolësve për para e pushtet.
Opozita, nën presionin psikik për atë që i ka sjellë vendit përmes hajnisë ndaj popullit e shtetit gjatë 20 viteve në pushtet, krimeve ende të pazbuluara e të padënuara, dhe frikës se nën udhëheqjen e Kurtit do të zbatohet ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, janë në gjendje të bëjnë koncesione ndaj kujtdo që ua kërkon. Për interesat e tyre dhe përgjegjësitë që mbajnë mbi supe, nuk mendojnë për dëmet që i sjellin shtetit, deri në sakrifikimin e sovranitetit të plotë.
Apeli gjithëshqiptar në atdhe dhe diasporë është: ju lutem, mos lejoni kthimin prapa, duke zgjedhur njerëz të Serbisë; mos bini pre e lobimeve ilegale përmes disa figurave politike pa pushtet, qoftë edhe në SHBA, kryesisht miq e lobues legalë të paguar nga Serbia, si Richard Grenell, i cili kërkesat e Serbisë i ka marrë përsipër bashkë me disa shqipfolës, tashmë të njohur për opinionin e gjerë shqiptaro-amerikan. Nuk duhet e as që do të heshtim në interes të vendit.
Sovrani e ka dhe duhet ta ketë fatin e Dardanisë në dorë, duke mos shkelur mbi heronjtë dhe luftëtarët e UÇK-së, të cilën Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në krye me Joe dhe Shirley DioGuardin dhe Bordin Ekzekutiv, e ka njohur, afirmuar, ndihmuar dhe mbrojtur nga kërcënimet për ta futur në listën e organizatave terroriste, siç ishte rasti me ambasadorin Richard Gelbard, i cili ra pre e propagandës serbe. Shumë familje i kanë falur bijtë e bijat e tyre, që nga familja heroike Jashari si shembull unikal në botë, e cila u flijua si një batalion i tërë i armatosur, nën sulmet nga ajri e toka.
Por sakrifica për liri dhe shtet të pavarur e sovran e arsyeton flijimin për atdhe, prandaj nuk lejohet kurrsesi kthimi prapa.
Verdiktin e sovranit – popullit – nuk mund ta ndalë as Evropa e as Amerika.
Publicist dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të LQSHA
