OPINIONTË FUNDIT

Ish- opozita po shkon e ndarë drejt 28 dhjetorit – Voca paralajmëron humbje të votave dhe përçarje

23 subjekte politike, prej të cilave tri koalicione, 17 parti politike, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur, kanë plotësuar online formularin e certifikimit për pjesëmarrje në garën zgjedhore të 28 dhjetorit.

“Lëvizja Vetëvendosje!”, është futur në zgjedhje me një koalicion me 3 partitë politike të tjera që janë: GUXO, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK).

Nga ana tjetër, LDK, PDK, AAK e Nisma Socialdemokrate kanë vendosur që të garojnë të vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Koalicioni i shumëpërfolur i LDK-së me Nismën Socialdemokrate nuk ndodhi, derisa bashkimi i PSHDK-së së Zef Morinës me LVV, GUXO e Alternativa mund të konsiderohet si befasia e kësaj gare.

Vendimin e ish partive opozitare për të garuar veç e veç e ka komentuar për gazetën “Bota sot”, analisti politik Mirsad Voca.

ImageMirsad VocaFoto galeri
Sipas tij, vendimi i ish-opozitës që të garojë e ndarë në zgjedhjet e 28 tetorit lidhet më shumë me zhvillimet e brendshme të partive sesa me ndonjë plan të përbashkët politik.

“Vendimi i ish-opozitës për te garuar veçmas në zgjedhjet e 28 tetorit flet më shumë për dinamikat e brendshme partiake sesa për një strategji të përbashkët politike. Ky veprim duket si përpjekje për të ruajtur identitetet individuale, për t’i ofruar elektoratit lista « të pastra », dhe për të mbajtur hapur opsionet e negociatave paszgjedhore. Në këtë kuptim, llogaria është e kuptueshme, sidomos ne traditën politike të Kosovës ku fleksibiliteti pas zgjedhjeve ka pasur gjithnjë peshë”, u shpreh ai për “Bota sot”.

Analisti Voca thekson se një qasje e tillë bart edhe rreziqe serioze. Sipas tij, partitë më të vogla, duke hyrë të vetme në garë, rrezikojnë të mos e kalojnë pragun, gjë që do të sillte humbje të votave opozitare.

“Megjithatë, kjo qasje bart rreziqe të dukshme. Partitë e vogla, duke garuar të vetme, mund të mos e kalojnë pragun, duke prodhuar humbje të votave opozitare. Edhe subjektet më të mëdha rrezikojnë të përfundojnë me rezultate të ngjashme me ciklet e shkuara, pa krijuar ndryshim real në raportet e forcës. Prandaj, ky vendim nuk është vetëm strategji por është rrezik për fragmentimin e mëtejshëm të opozitës”, tha Voca.

Voca potencoi se në një klimë të polarizuar, ku sfidimi i pushtetit kërkon kohezion, do të kishte qenë politikisht më e shëndoshë që opozita të paraqitej më e unifikuar, së paku në parime dhe vizion.

“Një front i përbashkët do të mund të kanalizonte më mirë pakënaqësinë qytetare dhe të krijonte një alternativë të qartë qeverisëse. Garimi i ndarë e lë elektoratin para shumë opsioneve, por jo domosdoshmërisht para më shumë stabiliteti.

Disa parti synojnë të ruajnë lirinë për të hyrë në çdo koalicion paszgjedhor por kjo liri teknike nuk zëvendëson mungesën e vizionit të përbashkët dhe përgjegjësisë politike para vendit. Fragmentimi mund të krijojë kombinime të reja, por rrallë prodhon ndryshime të mëdha. Përkundrazi, shpesh e forcon status quo-në.

Në thelb, ky vendim pasqyron një kulturë politike që ende nuk ka arritur maturinë e bashkërendimit strategjik. Nëse kjo qasje do ta forcojë apo dobësojë opozitën, mbetet në dorë të votuesve por përvoja politike tregon se opozitat e ndara rrallëherë prodhojnë fitore të mëdha dhe shpesh përfundojnë të pafuqishme përballë sfidave qeverisëse”, përfundoi Voca.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *