Morina tregon pse PSHDK braktisi koalicionin me LDK-në dhe iu bashkua LVV-së
Kryetari i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK), Zef Morina, ka komentuar arsyet pas koalicionit parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
Ai tha se demokristianët, ndonëse parti aktive prej 35 vitesh, që nga viti 2010 nuk kanë qenë të përfaqësuar as në Kuvend e as në qeveri, gjë që sipas tij duhet të ndryshojë.
“Ne po presim të futemi në Kuvend, pasi PSHDK ka kontribuar në shtetndërtim dhe mbetja jashtë për shkak të pragut ishte e papranueshme”, u shpreh Morina në Debat Plus.
Ai theksoi se partia e tij ka gjetur pikë konvergence me Vetëvendosjen, prandaj edhe ka vendosur të bashkohet me të.
Duke folur për raportet me partnerët e dikurshëm, Morina tha se në katër palë zgjedhje PSHDK kishte qenë aleate e LDK-së, por, sipas tij, ajo nuk i kishte ndihmuar për të siguruar përfaqësim institucional.
“Në katër palë zgjedhje kemi qenë aleatë të LDK-së dhe ata nuk na ndihmuan të futemi në Kuvend e qeveri. Kësaj radhe organet e partisë vendosën të jemi me LVV-në, në mënyrë që të dëgjohet zëri i PSHDK-së dhe të jemi pjesë e institucioneve”, tha ai, duke shtuar se demokristianët synojnë të kontribuojnë në proceset euroatlantike të vendit.
Moderatori Ermal Panduri e sfidoi ashpër Morinën sa i përket qëndrimit të PSHDK-së ndaj Kodit Civil, në rast se partia arrin të sigurojë ulëse në Kuvend.
Panduri e pyeti drejtpërdrejt nëse PSHDK “do ta çojë dorën për Kodin Civil”, duke vënë në dukje se dikur partia deklaronte hapur kundërshtimin ndaj tij.
Morina pranoi se PSHDK ende nuk e ka lexuar Kodin Civil.
“Ne më së pari Kodin Civil nuk e kemi pa, nuk e kemi lexuar dhe nuk e dimë si është”, deklaroi ai. Panduri e kritikoi ashpër këtë deklaratë, duke thënë se është e pakuptueshme që një parti me histori kaq të gjatë politike nuk ka shqyrtuar një dokument të tillë kyç.
I vënë nën presion, Morina sqaroi se kundërshtimi i mëhershëm lidhej me frikën se dokumenti mund të përmbante nene që hapnin rrugë për martesat e gjinisë së njëjtë.
“Nëse nuk parashihet në Kod Civil hapja e martesave të gjinisë së njëjtë, ne natyrisht që nuk marrim pjesë në votim kundër. Por martesat me gjini të njëjtë ne nuk i pranojmë”, deklaroi ai.
