Shqiptarët në 28 Nëntor: Të bashkuar në festë, të ndarë në institucione?
Shqipëria sot feston 113-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, një ngjarje që më 28 Nëntor 1912 u vulos në Vlorë, kur Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar dhe shpalli Shqipërinë shtet sovran e të pavarur. Për shqiptarët kudo që ndodhen, kjo datë është e njohur si Dita e Flamurit, ditë që kujton themelin e shtetit shqiptar dhe vullnetin e popullit për liri.
Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një moment kyç në historinë e kombit shqiptar. Ai ishte rezultat i përpjekjeve dhe luftërave shekullore për mbrojtjen e trojeve dhe për krijimin e shtetit të pavarur. Vendimi i Kuvendit të Vlorës i dha kombit shqiptar të drejtën e mohuar për shekuj: të qenë i lirë dhe të ecur përkrah popujve të tjerë të Evropës.
Data 28 Nëntor 1912 shënoi një kthesë historike, sepse me të mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane dhe u hapën rrugë të reja politike për kapërcimin e prapambetjes dhe për zhvillimin ekonomik, shoqëror e kulturor të vendit. Në të njëjtën kohë, shpallja e pavarësisë ishte fitore edhe kundër politikave antishqiptare të monarkive ballkanike, të cilat synonin copëtimin e plotë të Shqipërisë. Kjo ngjarje historike mbetet simbol i qëndresës dhe i vendosmërisë së shqiptarëve për të mbrojtur identitetin e tyre kombëtar dhe për të ndërtuar shtetin e tyre të lirë.
Në këtë përvjetor të pavarësisë, krerët e Kosovës kanë uruar Shqipërinë, por mungon një mbledhje e përbashkët e qeverive Kosovë- Shqipëri.
Mbledhje të tilla u ndalën që nga viti 2022, madje shihet edhe një ftohje mes të dyja vendeve.
Shqipëria në krye me kryeministrin Edi Rama, shihet e afërt me Italinë, Greqinë, madje edhe Serbinë, ndërsa afërsia me Kosovën lë për të dëshiruar.
Nuk qëndron problem te afërsia, shqiptarët nuk janë të ndarë
Publicisti Fadil Lepaja, thotë se nuk ka kurrfarë problemi se me kë afrohet qeveria shqiptare apo ajo kosovare, përderisa është ruajtur orientimi strategjik drejt BE-së dhe NATO-s.
Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria kanë thelluar bashkëpunimin ndërshtetëror dhe po e thellojnë edhe më tej në unifikimin e politikave kombëtare.
ImageFadil LepajaFoto galeri
“Shqiptarët në Ballkan, konsideroj se janë rreshtuar me idenë se bashkimi kulturor, ekonomik dhe politik i shqiptarëve do të bëhet përmes rrugës integruese në BE, ku Shqipëria ka bërë përparime serioze dhe në aspektin e sigurisë, janë rreshtuar të gjithë në anën e NATO-s dhe ky është faktor po ashtu unifikues, duke përfshirë edhe qindra mijëra e mbase miliona shqiptar, që ende ndihen të tillë në vendet e NATO-s. Se shtetet shqiptare, politika shqiptare në rajon dhe kudo që është, mbanë marrëdhënie edhe me vende të ndryshme, të cilat në njërin apo tjetrin rast, mund të mos jenë pozitivisht të orientuara nga ne, kjo nuk duhet pare vetvetiu si qasje e kundërt, aq më pak armiqësore. Nuk ka kurrfarë problemi se me kë afrohet qeveria shqiptare apo ajo kosovare, përderisa është ruajtur orientimi strategjik drejt BE dhe NATO-s. . Më e rëndësishme është për çka angazhohen në këto marrëdhënie. Kosova dhe Shqipëria kanë thelluar bashkëpunimin ndërshtetëror dhe po e thellojnë edhe më tej në unifikimin e politikave kombëtare”, deklaron Lepaja.
Ai thotë se marrëdhëniet e mira të Shqipërisë me Serbinë duhet të zbusin mosmarrëveshjet.
28 Nëntori dhe 17 Shkurti, sipas Lepajës, janë ditë reflektimi dhe vizioni.
“Marrëdhëniet e mira të Shqipërisë me vendet me të cilat Kosova nuk ka marrëdhënie të mira për arsye të njohura, nuk duhet të shihen si problematike. Përkundrazi, ato mund të shërbejnë si ura për tejkalimin e barrierave dhe për zbutjen e energjive negative në rajon. Ajo që sot mund të duket si deklaratë apo sjellje problematike, ndoshta, nesër mund të dali të jetë e dizajnuar për qëllime krejt të pranueshme. Pavarësisht konfrontimeve për pushtet, në rrafshin gjithëshqiptar dhe në vijën e rrugës euroatlantike nuk ka përçarje. Nuk ka konfrontime të thella, përveç atyre që na imponon konjuktura globale dhe të gjithë ne jemi pjesë e këtij vorbulli nga i cili nuk dalim dot, por duhet shfrytëzuar energjinë e tij në përmbushjen e objektivave tona nacionale e qytetëruese. Shqiptarët janë të orientuar drejt integrimit dhe bashkëpunimit rajonal, dhe kjo është një vlerë që duhet ruajtur pavarësisht destruksioneve të Serbisë zyrtare, apo qarqeve kleronacionaliste serbe. Marrëdhëniet e mira të Shqipërisë me Serbinë duhet të zbusin mosmarrëveshjet dhe të kontribuojnë që edhe Serbia të modernizohet, të evropianizohet dhe të afrohet me NATO-n në rrafshin e sigurisë. Ne nuk duhet ta shohim me shqetësim këtë afrim, por duhet parë si një mundësi për ndërtimin e një rruge të përbashkët të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Shqipëria mund të luajë një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces. 28 Nëntori, por edhe 17 shkurti, janë ditë reflektimi dhe vizioni”, shprehet analisti.
Ai konsideron se shqiptarët nuk janë të ndarë dhe se nëse do të ishin në të njëjtin shtet do të ishin më të ndarë.
“Shqiptarët nuk janë të ndarë, përderisa ata janë të orientuar drejt një qëllimi të përbashkët: paqe, zhvillim dhe dinjitet në rajon, orientim strategjik drejt BE dhe NATO-s. Shumë më të ndarë do të ishim nëse do të jetonim brenda një shteti por do të kishim orientime të ndryshme, diametralisht të kundërta, me çka do ta zhbënim edhe vet shtetin. Kështu, të bashkuar në qëllim dhe vlera, konsideroj se jemi më afër se kurrë, atë të heqjes së çfarëdo kufiri mes nesh dhe të hapen të gjitha rrugët e zhvillimit ekonomik e social të paparë ndonjëherë ndër ne”, përfundon Lepaja.
Përçarja, tradhtia dhe nevoja për figura të reja
Ndërsa, politologu Adnan Qaka, mendon ndryshe duke thënë se shqiptarët janë të përçarë.
ImageAdnan QakaFoto galeri
Sipas tij, përgjegjësia më e madhe bie mbi elitën politike në Tiranë.
“28 Nëntori, që duhej të ishte dita e unitetit kombëtar dhe e vetëdijes historike, sot na paraqet më shumë se festë — na paraqet bilancin e dhimbshëm të dobësive tona si komb. Edhe pse shqiptarët jetojnë në dy shtete të pavarura dhe në disa shtete fqinje ku përbëjnë popullatë autoktone, realiteti është se fronti ynë kombëtar është i përçarë, institucionet janë të pakoordinuara dhe vizioni strategjik mungon pothuajse tërësisht. Depopullimi masiv, varfëria strukturore, dobësia shtetërore, rënia e ndjenjës së identitetit kombëtar dhe humbja e besimit në shtet shfaqen si simptoma të një krize të thellë kombëtare. Kjo situatë nuk është rastësi: ajo është pasojë e vendimeve të gabuara, të mosveprimit të qëllimshëm dhe të mungesës së lidershipit strategjik ndër vite. Në këtë panoramë, përgjegjësia më e madhe bie mbi elitën politike në Tiranë, e cila, sipas vlerësimit tim, shpesh ka vepruar jo vetëm larg interesit kombëtar, por në disa raste edhe kundër tij. Sidomos gjatë qeverisjes së Edi Ramës, është krijuar bindja e thellë — dhe unë e ndaj këtë bindje — se qasja e Shqipërisë ndaj Kosovës ka qenë e dëmshme, e njëanshme dhe e orientuar drejt lëshimeve që cenojnë pozicionin e shqiptarëve në gjithë Ballkanin. Në vend që Tirana të luante rolin e shtetit amë, të mbrojtësit të të drejtave të shqiptarëve dhe të faktor stabilizues, shpesh ka mbajtur qëndrime të ftohta, presionuese dhe të pashpjegueshme ndaj institucioneve të Kosovës”, deklaron Qaka.
Trajtimi i akteve terroriste të organizatave terroriste ortodokse serbe në Kosovë, nga ana e Shqipërisë, sipas Qakës, janë dështimet më të mëdha.
Ai qasjen e Ramës e sheh si formë tradhtime politike dhe strategjike ndaj interesit kombëtar.
“Një ndër dështimet më të mëdha, në vlerësimin tim te Republikës se Shqipërisë, është mënyra se si janë trajtuar aktet terroriste të organizatave terroriste ortodokse serbe në Kosovë . Sulme të armatosura, provokime të rënda, akte të planifikuara destabilizimi nuk u cilësuan qartësisht si akte terroriste nga Republika e Shqipërisë, ashtu siç meritonin. Mospërdorimi i këtij termi nuk është çështje semantike, por politike: në momentin kur një shtet nuk e quan terrorizmin me emrin e vet, ai zvogëlon dramën e viktimës, normalizon sjelljen e agresorit dhe dërgon sinjal të gabuar në arenën ndërkombëtare. Në sytë e shqiptarëve të Kosovës, kjo heshtje interpretohet si mungesë e solidaritetit, si tolerim i dhunës dhe si një braktisje morale. Një qasje e tillë dobëson pozitën e Kosovës në planin ndërkombëtar, sepse Kosova mbetet pa zërin e fuqishëm që Shqipëria duhet të kishte në NATO, në arenat bilaterale dhe në proceset euroatlantike. Kjo heshtje krijon perceptimin se Shqipëria zyrtare nuk ka qenë në krah të Prishtinës në momentet kyçe, duke e lënë Kosovën të ekspozuar ndaj presioneve politike dhe gjeopolitike”.
“Në këtë kontekst, unë e shoh qasjen e Edi Ramës si një formë tradhtie politike dhe strategjike ndaj interesit kombëtar, sepse çdo sjellje që dëmton Kosovën, automatikisht dëmton edhe pozitën e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve në rajon. Ky është vlerësimi im i drejtpërdrejtë: marrëdhëniet e njëanshme me Beogradin, qasjet e buta ndaj provokimeve, presionet ndaj institucioneve kosovare dhe mungesa e reagimit ndaj akteve të dhunshme kanë prodhuar pasoja të rënda, që sot i shohim të materializuara në dobësimin e faktorit shqiptar në Ballkan. Si dhe hartimi i draft statusit për të ashtuquajturat komunat serbe ne Kosove nga Edi Rama paraqet një bosnizim për Kosovën , si dhe përfshirja e tij në projketin për ndarjen e Kosovës paraqet qartë një tradhti për interesin e shqiptarëve në Ballkan sidomos për interesin kombëtare të Republikës se Kosovës”.
Një qasje dështimi sipas Qakës, është edhe në Luginën e Preshevës dhe afrimi i pakushtëzuar me Athinën, ai e sheh si gatishmëri për lëshime të pashpjeguara.
“E njëjta qasje dështimi shihet edhe në raport me Luginën e Preshevës , ku shqiptarët përballen me segregacion, apartheid, pasivizim të dhunshëm të adresave dhe forma të vazhdueshme të spastrimit etnik. Po ashtu pothuajse të njëjtën gjendje e kemi dhe me shqiptarët në Maqedoni të veriut, por nuk është e kënaqshme as gjendja e shqiptarëve ne Malin e zi. Aty ku Beogradi ka ushtruar presion institucional, dhunë të sistematizuar dhe diskriminim të hapur, Shqipëria ka heshtur. Mos ngritja e kësaj çështjeje në forume ndërkombëtare, mungesa e diplomacisë aktive dhe injorimi i dramës së shqiptarëve në Luginë dhe ne Maqedoni përbëjnë, sipas meje, një dështim moral dhe politik.
Për më tepër, afrimi i pakushtëzuar me Athinën — ndërkohë që ligji i luftës mbetet në fuqi, çështja çame është e pazgjidhur dhe debati mbi kufirin detar ka prodhuar pasiguri — e ka përforcuar perceptimin se Tirana është e gatshme për lëshime të pashpjeguara, shpesh pa transparencë dhe pa përfitime reciproke”, pohon Qaka.
Për dalje nga kjo gjendje, ai kërkon një vizion të ri kombëtar.
“Nëse 28 Nëntori sot nuk na gjen me një organizim të përbashkët mbarëkombëtar, arsyeja është e thjeshtë: mungon uniteti politik, mungon vullneti shtetëror dhe mungon guximi për të vepruar si një komb i vetëm. Nuk është se shqiptarët nuk kanë energji kombëtare; është se udhëheqja politike nuk ka interes ta kanalizojë atë energji drejt një platforme të përbashkët shtetërore dhe diplomatike.
Prandaj, sipas vlerësimit tim, kjo gjendje është pasojë e tradhtimit të interesit kombëtar nga ana e qeverisjes aktuale në Tiranë. Kur një udhëheqës nuk mbron Kosovën, nuk mbron Preshevën as shqiptarët në Maqedoni, nuk mbron interesat historike të kombit , nuk interesohet fare për çështjen Qame dhe i jep prioritet marrëdhënieve të njëanshme me Beogradin e Athinën, atëherë ai ka tradhtuar rolin e shtetit amë dhe interesin e shqiptarëve në të gjithë Ballkanin.
Për të dalë nga kjo gjendje, duhet një vizion i ri kombëtar: një strategji e përbashkët Tiranë–Prishtinë; një politikë e jashtme që i quan aktet terroriste me emrin e tyre; një diplomaci që nuk pranon segregacionin dhe spastrimin etnik ndaj shqiptarëve; një udhëheqje politike që e vendos interesin kombëtar përpara interesit të çdo partie. Derisa kjo të ndodhë, 28 Nëntori do të mbetet një ditë simbolike, por jo një ditë e forcës reale të kombit”, shton politologu.
Në fund ai shton se Kosovës dhe Shqipërisë i duhen figura të reja politike, lidership të ri, vizionar dhe me vlera të qarta kombëtare.
“Arsyeja pse sot nuk po zhvillohen më mbledhje të përbashkëta mes dy qeverive lidhet me acarimin e raporteve politike ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës. Siç dihet, kryeministri Edi Rama ka pasur qasje të ashpër dhe shpesh arrogante ndaj udhëheqësve të Kosovës ndër vite. Për më tepër, mbledhjet e përbashkëta të qeverive kanë qenë më shumë simbolike sesa efikase, pasi shumë nga marrëveshjet dhe memorandume të nënshkruara nuk janë zbatuar nga pala shqiptare. Këto tensione u bënë edhe më të dukshme gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt, kur Rama ushtronte presion për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe, mbështeste idenë e ashtuquajtur të “korrigjimit të kufijve të Kosovës “që ne fakt ishte copëtim i Kosovës por i kamufluar si kinse” korrigjim i kufijve” si dhe kërkonte me ngulm formimin e Gjykatës Speciale. Kjo krijoi përplasje të mëdha ndërmjet dy qeverive dhe dëmtoi dukshëm besimin reciprok. Në këtë kontekst, mendoj se me lidershipin aktual – si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë – çdo organizim i madh përbashkët, qoftë për 28 Nëntorin apo 17 Shkurtin, mbetet i pakuptimtë dhe pa rezultat konkret. Shqipërisë dhe Kosovës u duhen figura të reja politike, lidership i ri, vizionar dhe me vlera të qarta kombëtare, që punon në funksion të interesave të shqiptarëve në rajon. Vetëm me një qasje të tillë mund të rikthehen bashkëpunimet e sinqerta dhe të frytshme ndërmjet dy shteteve”, përfundon Qaka.
