Amaneti i Pavarësisë: Zëri i Pasardhësit të Ismail Qemalit në Ditën e Flamurit
„Pasardhësit e familjes Vlora sot jetojnë si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj. Koha e turbullt, që fatkeqësisht kaloi shteti shqiptar, bëri që shumë pinjollë të saj, ashtu si edhe shumë shqiptarë të tjerë, të zgjidhnin rrugën e mërgimit. Fatmirësisht, kuptohet jo të gjithë, ne jemi në kontakte me njëri-tjetrin dhe shpesh takohemi. Mbase një ditë mund edhe të lindi një ide, nga ana jonë, për një promovim të historisë së familjes, duke ofruar ato çka ruajmë në kujtesën familjar“, na tha ndër të tjera z. Vlora.
Milano, 28 Nëntor, 2025 – Në prag të 28 Nëntorit – ditës më të shenjtë të kombit shqiptar – patëm privilegjin të zhvillonim një intervistë ekskluzive për helveticALforum.ch me pasardhësin e Ismail Qemal Vlorës, themeluesit të shtetit shqiptar. Ai është një studiues i mirënjohur që prej gati tri dekadash jeton e vepron në Itali, një figurë e dashur dhe e respektuar në diasporë e më gjerë.
Pavarësisht angazhimeve të shumta akademike e profesionale, ai na priti me modesti fisnike në Itali– me buzëqeshje, buke e ujë, si mik i vërtetë dhe si vëlla. Biseda që pasoi ishte e ngrohtë, e thellë dhe prekëse; një rikthim tek rrënjët, te kujtesa historike, te vlerat kombëtare dhe te trashëgimia që ai mban mbi supe si një amanet i shenjtë.
Z.Vlora, është një nder i madh që ju kemi në këtë muaj të shenjtë për shqiptarët. Ju jetoni e veproni në Milano. Si pasardhës i Ismail Qemalit, si e përjetoni këtë periudhë të 28 Nëntorit?
Fillimisht dëshiroj t’ju shpreh kënaqësinë time për këtë bisedë. Siç e shprehët edhe ju, unë jetoj në Milano, tashmë prej gati 30 vitesh, bashkë me familjen time.
Muaji i nëntorit është vërtet një muaj i shenjtë për shqiptarët. Ai lidhet me 28 Nëntorin e vitit 1912, ku Shqipëria, pas Kuvendit të Vlorës, mbajtur nën kryesinë e Ismail Qemal bej Vlorës, u shpall e pavarur duke shënuar kështu lindjen e shtetit të ri shqiptar. Njëkohësisht, po në këtë datë, kemi edhe 28 Nëntorin e vitit 1443 të Heroit tonë Kombëtar, kur Flamuri kuq e zi u valvit në kalanë e Krujës. E jo vetëm kaq. Më 28 nëntor 1997, në fshatin Llaushë të Skënderajt, gjatë varrimit të mësuesit Halit Geci, i vrarë nga policia serbe, pjestarë të UÇK-së dalin për herë të parë përpara publikut dhe, po ashtu, për një koiçidencë të bukur, pikërisht më 28 Nëntor ka lindur edhe Heroi Kombëtar i Kosovës, Adem Jashari.
28 Nëntori, quajtur nga mbarë shqiptarët Dita e Flamurit, ka shërbyer, që nga viti 1912, si një ditë uniteti kombëtar. Shqiptarët, e kudondodhur, brenda kufijve të shtetit të cunguar shqiptar, në trojet e mbetura padrejtësisht jashtë shtetit mëmë apo në diasporë, e kanë festuar me krenari Ditën e Flamurit, duke mbushur sheshet me Flamurin Kombëtar kuq e zi.
Për mua, personalisht, muaji i nëntorit është gjithmonë i veçantë pasi më sjell në mendje edhe bisedat familjare, gjatë fëmijërisë sime, kur im atë na tregonte gjithë rrugëtimin e gjyshit të tij për të ardhur nga Stambolli në Vlorë, midis shumë përpjekjeve diplomatike e peripecish të rrezikshme, që lidheshin me atë periudhë aq delikate për fatet e kombit tonë.
Cili është urimi juaj për të gjithë shqiptarët në këtë 113-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë?
Urimi im, siç ka qenë gjithmonë, shpesh i menduar e shpesh i deklaruar, është që shqiptarët një ditë të jenë një shtet, ashtu siç janë një komb; që të punojnë e mendojnë gjithmonë, duke u bazuar në vlerat e tyre më të mira, për ta çuar përpara kombin tonë, përkrah vendeve të zhvilluara të familjes europiane, pjesë e së cilës kanë qenë gjithmonë, që në lashtësi.
Ju na treguat një kartvizitë të rrallë të stërgjyshit tuaj, Ismail Qemalit. Ku e keni siguruar dhe çfarë ndjesie ju përcjell ajo relike e çmuar?
Ajo kartvizitë bën pjesë në ato “sende” që kanë mbetur trashëgim nëpër familjarë të ndryshëm, pasardhës të Ismail Qemal beut. Fatmirësisht ka qenë gjithmonë në familje dhe, prej shumë vitesh, me shumë kujdes, unë e mbaj në portofolin tim, si një lloj “hajmalie”, por edhe si një mënyrë për ta patur Atë gjithmonë me vete. Ajo i përket periudhës kur Ismail Qemal beu ishte përfaqësuesi i Beratit (ku bënte pjesë edhe Vlora) në Parlamentin e Perandorisë Osmane, në kohën kur ajo Perandori lejoi shpalljen e Kushtetutës ku, teorikisht, të gjithë popujt që përbënin atë duhet të kishin të drejta të barabarta. Duke qenë se xhon-turqit, në atë kohë në pozitë, nuk i mbajtën premtimet e tyre, pra filluan duke përdorur një politikë ultranacionaliste dhe duke mos njohur të drejtat e kombeve të tjerë, Ismail Qemal beu, si një politikan me ide liberale, u rreshtua në krahun e opozitës, si udhëheqës i saj, dhe mbrojti hapur të drejtat e kombit shqiptar, duke hyrë në konflikt me xhon-turqit e duke rrezikuar edhe vetë jetën e tij. Duke patur të qartë këtë panoramë të vështirë të atyre viteve, pikërisht kur Ai përfaqësonte vendin e tij, ajo kartvizitë, në të cilën shënohet “Ismail Kémal Bey – Député Valona”, bëhet akoma më e dashur dhe e shtrenjtë për mua…
A do ta vizitoni së afërmi Luginën e Preshevës dhe si e shihni rolin e diasporës shqiptare në mbështetjen e kësaj treve?
Sigurisht do ishte një kenaqësi e veçantë që të mund të vizitoja Luginën e Preshevës, ashtu siç kamë kënaqësi të vizitoj çdo trevë ku jetojnë shqiptarë, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve tanë. Roli i diasporës shqiptare në mbështetje të kësaj treve është vërtet i rëndësishëm. Unë kam patur kënaqësinë të njoh drejtues dhe anëtarë të Shoqatës Humanitare “Medvegja”, me seli në Zvicër, midis të cilëve kalova edhe një mbrëmje të bukur dhe të paharruar, në festimin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Kontributi i tyre, në mbështetje të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, është vërtet i madh, sidomos në mbështetje të ruajtjes së mësimit të gjuhës shqipe.
Si e vlerësoni situatën politike aktuale në trojet shqiptare – Shqipëri, Kosovë dhe viset e tjera ku jetojnë shqiptarë?
Politika është larg mendimeve të mia por, sigurisht, duke qenë ajo pjesë e kohës sonë, më vjen mirë që pavarësisht problemeve të shumta të brendshme që mund të kenë të dy vendet tona, ne po shkojmë të sigurtë drejt familjes Europiane, ku gjeografisht bëjmë pjesë dhe kemi kërkuar gjithmonë, që në fillesat e shtetit shqiptar, që të jemi një element ekuilibri në rajon. Për këtë arsye kemi vuajtur mbi kurriz padrejtësi të shumta dhe kemi “pranuar” përkohësisht flijime, siç ishte ai i vitit 1913, kur kufijtë tanë u cunguan, por kemi mbajtur gjithmonë të pashuar patriotizmin tonë dhe kemi shpresuar e kërkuar gjithmonë që të drejtat tona të njihen. Pavarësia e Kosovës ka qenë pikërisht rasti kur Europa, duke e njohur dhe mbështetur atë, pranoi padrejtësinë e madhe që kishte kryer në kurriz të kombit shqiptar. Nga ana tjetër ka akoma shumë për të bërë, pasi një pjesë e mirë e popullsisë autoktone shqiptare jeton akoma jashtë kufijve zyrtar të dy shteteve tona.
Sipas jush, a ekziston meritokracia tek ne shqiptarët, apo vijon të mbizotërojë lidhja personale dhe partiake në vend të aftësisë?
Meritokracia nga një anë dhe lidhjet partiake nga ana tjetër janë vërtet dy fenomene paksa delikate, jo vetëm në politikën qeverisëse të dy shteteve tona. Sigurisht shtetet e civilizuara, ose më mirë ato shtete që kanë një krijim shumë herë më të vjetër se ne, i kanë ndeshur prej kohësh këto probleme, duke i dhënë sot më shumë vlerë meritokracisë sesa lidhjeve partiake. Tek ne, me aq sa mund të gjykoj unë personalisht, pavarësisht se meritokracia ka filluar të zërë një vend në aparatin drejtues shtetëror, lidhjet partiake vazhdojnë të dominojnë akoma, duke qenë kështu larg standarteve europiane.
Si është ndjesia e të qenit një nga pinjollët e familjes së Ismail Qemalit? A ndjeni peshën e historisë në jetën tuaj të përditshme?
Të jesh pasardhës i një figure të shquar historike nuk është aspak një meritë personale. E ka dashur fati që unë, personalisht, të jem një nga pasardhësit e Njeriut që Shpalli Shqipërinë të pavarur, që krijoi shtetin shqiptar, që ngriti i pari, me duart e tij, pas 5 shekujsh pushtimi osman, Flamurin Kombëtar të Gjergj Kastriotit. Fati e desh që edhe Kuvendi i Vlorës dhe ngritja e Flamurit të ndodhte në Vlorë, në Sarajet e familjes Vlora, aty ku kishin jetuar të parët e mi. Për këtë arsye, më tepër se krenari, e kam ndjerë veten me fat që në dejet e mia është gjaku i Tij dhe që i përkas asaj familje, që dha aq shumë për Shqipërinë. Pikërisht për këtë arsye jam munduar, brenda mundësive të mia, që ta meritoj këtë prejardhje duke u përpjekur që, të paktën, mos cënoj aspak trashëgiminë e madhe që Ai dhe pjestarët e shquar të familjes Vlora kanë lënë pas. Kjo gjë, sigurisht e ndjerë dhe e parë në këndvështrimin tim personal, është një peshë e madhe, ose e rëndë, por që mua nuk më lodh, përkundrazi.
Si është rritur një trashëgimtar i një figure kaq të madhe? Çfarë vendi zinte historia e kombit në familjen tuaj gjatë fëmijërisë?
Nëse flas për veten time, për fëmijërinë që kalova në Shqipëri, për vëllezërit e motrat e mia, për prindërit dhe historinë e tyre, më duhet të ndalem gjatë, shumë gjatë aq sa do duhej një libër më vete, për të shpjeguar gjithshka. Unë linda dhe u rrita në një kohë kur historia në Shqipëri shkruhej dhe tregohej ndryshe. Kur gjithshka dukej se fillonte në vitin 1944. Historia përpara këtij viti prekej shumë pak, shkarazi. Në të kundërt, në familjen time, aq sa mund ta lejote koha dhe mundësia, flitej gjithmonë për sakrificat dhe luftën që kishin bërë të parët tanë për të fituar lirinë e vitit 1912.
Padyshim që një vend më të madh në tregimet familjare zinte gjyshi i babait tim, Ismail Qemal bej Vlora. Në familje unë dëgjoja gjithshka ndryshe nga ajo që shkruhej në librat shkollorë apo që mohoheshin krejtësisht. Nga ana tjetër, pavarësisht lidhjes familjare me shtetformuesin shqiptar, familja ime, shihej si kundërshtare e regjimit komunist dhe si e tillë u luftua. Në atë kohë vetëm dy djem dhe dy vajza të Ismail beut jetonin ende. Njëri nga djemtë, i cili kishte qenë edhe krahë i djathtë i të Atit në gjithë rrugëtimin e gjatë të para dhe pas pavarësisë, Qazim bej Vlora, u largua nga Shqipëria dhe jetoi në Strugë të Maqedonisë, ku edhe mbylli jetën, larg atdheut për të cilin vetë ai kishte bërë aq shumë. Djali tjetër, Qamil bej Vlora, i cili është edhe gjyshi im, u burgos për “armëmbajtje pa leje”, si “sabotator i pushtetit”.
Edhe vajzat, nipërit e mbesat e Ismail beut, kaluan një periudhë mjaft të vështirë në Shqipërinë komuniste. Megjithatë, pavarësisht të gjitha këtyre, unë jam ndjerë gjithmonë i lumtur që në ato momente kur flitej në familje, kam dëgjuar kujtime nga më të bukurat dhe interesantet për paraardhësit e mi dhe ndoshta, ato tregime, e kanë bërë më të lehtë periudhën e vështirë në të cilën kemi kaluar pasi, në vetvete, e ndjenim se një ditë ajo do mbaronte, se gjithë ajo sakrificë që kishin bërë të parët e mi e gjithë ata burra e gra nuk do shkonte dëm. Fati e desh që ajo periudhë e veshtirë diktatoriale të mbaronte edhe pse pasojat e saj, në forma të ndryshme, ndjehen akoma edhe sot.
Në cilin moment e keni kuptuar plotësisht se jeni pasardhës i Ismail Qemalit dhe si ka ndikuar kjo në formimin tuaj personal?
Që në vegjëli, siç e thashë edhe më sipër, unë jam rritur me tregimet mbi jetën dhe veprën e shtetformuesit shqiptar. Në apartamentin tonë të vogël e modest në Tiranë në mur qëndronte një portret i bukur i Ismail Qemal beut, realizuar në Vjenë, gjatë udhëtimit të tij si Kryeministër i shtetit të ri shqiptar. Pranë tij qëndronte një tjetër foto ku Ismail Qemal beu kishte dalë në Napoli, gjatë vitit 1909, me djemtë e tij dhe një grup patriotësh shqiptarë, që kishin shkuar enkas për ta takuar. Shpesh e pyesja babain të më tregonte mbi historinë e atyre burrave që rrethonin gjyshin e tij, patriotë të shquar, bashkëpuntorë e besnik të tij. E ai më tregonte me kënaqësi për ta, për Namik bej Delvinën, që ishte ulur pranë gjyshit të tij, për Ymer Radhimën, Qazim Koculin, Xhafer Xhuvelin, Sadik Shytin, Qazim Kokoshin, Ahmet Dyrmishin, Hamza Ismain, Yzeir Muçon, Nazif Hadërin e Alem Tragjasin. Sot më jep kënaqësi kur këto foto e shikoj të vendosur në muret e disa prej zyrave shtetërore shqiptare. Shpesh merrja kutinë ku im atë ruante fotot familjare.
Aty ishin foto të ndryshme të Ismail Qemal beut, dalë me Isa Boletinin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, etj. Të gjitha këto kanë bërë që figurën e Tij ta adhuroja që në fëmijëri. Sot, falë kërkimeve të shumta personale që kam bërë nëpër arkiva e biblioteka, ku jam ndeshur me vlerësime të jashtëzakonshme ndaj veprës së Tij, si nga bashkëkombasit ashtu edhe nga peronalitete të ndryshëm jo shqiptarë, figura e Tij më shpaloset akoma më madhështore, aq sa, edhe nëse nuk do kisha këtë lidhje familjare, do ta adhuroja, në mos më shumë, njësoj si atëherë kur isha i vogël.
Në 100-vjetorin e Pavarësisë familja juaj mori pjesë në ceremonitë zyrtare, ndërsa në 50-vjetor jo. Si e shpjegoni këtë diferencë historike?
Në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, bashkë me mjaft pinjollë të tjerë të familjes, ishim prezent dhe u aktivizuam në shumë evente të atyre ditëve, duke patur edhe ftesa zyrtare, gjë e cila na dha një kënaqësi të veçantë. Sigurisht që nga rënia e diktaturës komuniste qëndrimi qeveritar ndaj familjes Vlora kishte ndryshuar. Ajo që ishte e paimagjinueshme gjatë diktaturës, pra mospërfshirja e pinjollëve të familjes nëpër ceremonitë zyrtare të përvjetorëve të pavarësisë, siç ishte edhe ai i vitit 1962, tashmë kishte ndryshuar. Personalisht, aq sa më kanë lejuar edhe mundësitë, kam qenë thuajse gjithmonë prezent në festimet e përvjetorit të Ditës së Flamurit, ashtu siç do jem edhe këtë vit dhe uroj edhe më pas.
Si e shihni mënyrën si trajtohen sot figurat historike në Shqipëri dhe a mendoni se kemi bërë aq sa duhet për të nderuar veprën e Ismail Qemalit?
Trajtimi i figurave historike, në çdo kohë, meriton një kujdes të veçantë. Mendoj se në vendin tonë figurat historike akoma nuk trajtohen siç duhet. Ka raste kur figura që meritojnë një vëmendje të veçantë, për kontributin e madh të tyre, lihen disi në harresë, siç ka edhe raste që mbivlerësohen figura të tjera. Këto veprime herë bëhen pa dashje por, fatkeqësisht, shpesh janë edhe të qëllimshme.
Në rastin konkret unë mendoj se të bësh aq sa duhet për të nderuar figurën e Ismail Qemal bej Vlorës është paksa e vështirë, pasi Ai është një figurë madhore dhe mjaft e rëndësishme në historinë tonë kombëtare. Mirëpo, nga ana tjetër, unë shikoj se për të është bërë shumë pak, e këtu i referohem institucioneve përkatëse që duhet të merren me historinë tonë kombëtare. Megjithatë, atë që mund të them se nuk e kanë bërë siç duhet institucionet përkatëse, e ka bërë populli i thjeshtë dhe patriotët e vërtetë shqiptar, që e kanë vlerësuar gjithmonë veprën e Tij, që nga koha kur Ai punoi për Shqipërinë e deri në ditët tona.
Të lexosh çfarë kanë shkruar bashkëkohësit e Tij, ata që e kanë njohur e që kanë punuar bashkë me të, kupton kush ishte Ai, kupton madhështinë e Tij në realizimin e një vepre që i rezistoi kohës, një vepre që solli në jetë një shtet që gëzojmë sot. Ndoshta është poeti i madh shqiptar Ali Asllani, i cili e kishte njohur Atë nga afër dhe kishte punuar pranë Tij që, si rrallëkush, mendoj se ka dhënë përkufizimin më të drejtë të Veprës së Ismail Qemal bej Vlorës. Në vjershën e tij “Ismail Qemali” (shkruar dhe kënduar ditën që trupi i pajetë i Tij erdhi në Vlorë), në ato pak vargje, Ali Asllani përshkruan jetën dhe veprën e Heroit të Pavarësisë, Atë që ai e quan “Profitë, një plak të bardhë borë, një bajrak me zok në dorë”, e që emrin e vërtetë e kish “Nëntor njëzet’ e tetë”.
Si është historia e shtëpisë ku u ngrit flamuri më 28 nëntor 1912? A mendoni se duhet rindërtuar saktësisht në vendin ku ka qenë?
Shtëpia, apo më saktë Sarajet ku u ngrit flamuri, pasi bëhet fjalë për një kompleks prej dy ndërtesash të madha, të cilat rrethoheshin me një oborr të madh prej rreth 45.000 m2, ishin ndërtuar nga vëllezërit Ismail bej Vlora (gjyshi i Ismail beut) dhe Beqir bej Vlora, në vitet e para të shek.XIX. Ismail bej Vlora u vra më 5 janar 1829, me urdhër të Portës së Lartë pasi, bashkë me prijës të tjerë shqiptarë, ishte ngritur kundër Perandorisë Osmane dhe kërkonte, që në atë kohë, shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria. Në ato Saraje lindi edhe Ismail beu, në janar të vitit 1844 dhe po aty u mbajt Kuvendi Kombëtar i Vlorës, që Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, më 28 nëntor 1912. Sarajet i bleu Bashkia e Vlorës (sipas dëshmive të kohës pasi unë personalisht nuk kam ndeshur në asnjë dokument) dhe u prishën po nga Bashkia rreth vitit 1925, duke e kthyer të gjithë atë hapësirë në lulishte popullore. Sot ajo hapësirë njihet si Sheshi i Flamurit.
Aty gjendet Monumenti i Pavarësisë dhe po aty, në një varr monumental, prehet Heroi i saj. Sigurisht do kishte qenë mjaft e bukur sikur, në atë shesh të ringrihej njëra nga ndërtesat, pikërisht ajo ku u mbajt Kuvendi i Vlorës dhe të kthehej në një muze. Ndoshta një ditë edhe mund të realizohet, pse jo.
Përveç kartvizitës që më treguatr, Ju më përmendët një Kuran të vjetër që i përkiste familjes Vlora. Çfarë relikesh apo dokumentesh origjinale ruan familja juaj nga koha e Ismail Qemalit dhe sa të rëndësishme janë këto objekte për trashëgiminë tonë kombëtare?
Siç u shpreha edhe më sipër, midis “sendeve” që kanë mbetur trashëgim deri në ditët tona është edhe një Kuran i vogël, mjaft i vjetër, që mund të ketë qenë edhe personal i Ismail beut. Ai është i një formati të vogël, gjë që lejon ta mbash me vete. Po ashtu na kanë mbetur trashëgim disa foto personale të Tij, ndonjë dokument, disa artikuj të shtypit europian, disa punime të vetë Atij, etj. Sigurisht që këto “sende”, përveç vlerës familjare, kanë edhe vlerën e tyre historike.
A mendoni se familja Vlora është vlerësuar sa duhet për rolin e saj historik në ndërtimin e shtetit shqiptar?
Familja Vlora, ku Ismail beu ishte një pinjoll i shquar i saj, ka një kontribut shumë të madh e të rëndësishëm në historinë tonë kombëtare, aq sa është e vështirë ta shpjegosh thjesht me një pyetje. Pinjollë të shumtë të saj lidhen me ngjarje të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Të paktën, që nga shek.XVIII e deri në Shpalljen e Pavarësisë, ata i gjejmë gjithmonë në përpjekjet patriotike për shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, apo në përpjekjet për krijimin e identitetit shqiptar nëpërmjet gjuhës shqipe. Ismail bej Vlora (gjyshi i Ismail beut) ishte Kryetar i Kuvendit të Beratit (nëntor 1828), i cili synonte shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane.
Për këtë arsye, siç e përmenda edhe më sipër, ai u vra me urdhër të Portës së Lartë. Djali i tij, e njëkohësisht babai i Ismail beut, Mahmud bej Vlora, bashkë me djalin e xhaxhait të tij, Selim Pashë Vlorën, drejtuan Kryengritjen popullore kundër reformave të Tanzimatit (1847). Pas shtypjes së kryengritjes ata u internuan në Konia, ndërsa familjet e tyre u internuan në Selanik. Kemi më pas Mustafa Pashë Vlorën, i cili ishte ndër udhëheqësit kryesorë të Lidhjes së Prizrenit, apo djalin e tij, Ferid Pashë Vlorën, ndër organizatorët e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip, themeluar në Stamboll më 1879. Vend të rëndësishëm në kontributin e familjes Vlora, në shërbim të vendit, zënë Syrja Bej Vlora dhe djali i tij Eqrem bej Vlora, Xhemil bej Vlora, Nuredin bej Vlora, vëllezërit Et’hem bej Vlora, Qazim bej Vlora, Qamil bej Vlora, djem të Ismail Qemal beut, etj. Pra kontributi i Familjes Vlora në krijimin dhe ndërtimin e shtetit shqiptar është i madh dhe shtrihet në një hark të gjatë kohor. Megjithatë, fatkeqësisht, roli i saj akoma nuk ka gjetur vlerësimin e merituar në faqet e Historisë sonë të shkruar…
Sipas jush, çfarë simbolizon sot figura e Ismail Qemalit për një brez të ri shqiptar, që ndoshta e njeh vetëm si “fotografi në librat e historisë”?
Figura e Ismail Qemal beut është parë gjithmonë e lidhur kryesisht me momentin e ngritjes së Flamurit. Unë mendoj se brezi i ri duhet ta njohë më thellë figurën e Tij e po ashtu edhe figurat e tjera historike, vlerat që ata mbartin në vetvet, sakrificat që ata kanë bërë për të arritur këtu ku jemi sot. Ne duhet të mësojmë prej tyre, prej trashëgimisë që ata na kanë lënë, një trashëgimi që është e lidhur kryesisht me përpjekjet e tyre për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane. Gjithmonë patriotët shqiptarë i kanë patur sytë nga Perëndimi, aty ku ne akoma synojmë të shkojmë.
Si mund të ruhet më mirë kujtesa historike e familjeve patriotike si e juaja, që kanë derdhur pasuri, dije dhe jetë për këtë komb?
Mënyra më e mirë për të ruajtur kujtesën historike të familjeve apo figurave patriotike që kanë punuar, luftuar e sakrifikuar për kombin shqiptar është evidentimi i saj, në forma dhe mënyra nga më të ndryshmet, në radhë të parë duke e përfshirë në përmasat e duhura në tekstet shkollore, në promovime të ndryshme si në ato përkujtimore apo punime akademike. Çdo kush nga ne mund të japë kontributin e tij, sado modest, në këtë drejtim. Edhe puna juaj, si gazetar apo si veprimtar në diasporë, shërben pikërisht që kjo kujtesë mos harrohet, por të dalë në dritë me tërë rëndësinë e saj.
Ku jetojnë sot pasardhësit e familjes Vlora dhe a keni plane për t’u bashkuar në një projekt të përbashkët për promovimin e historisë familjare?
Pasardhësit e familjes Vlora sot jetojnë si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj. Koha e turbullt, që fatkeqësisht kaloi shteti shqiptar, bëri që shumë pinjollë të saj, ashtu si edhe shumë shqiptarë të tjerë, të zgjidhnin rrugën e mërgimit. Fatmirësisht, kuptohet jo të gjithë, ne jemi në kontakte me njëri-tjetrin dhe shpesh takohemi. Mbase një ditë mund edhe të lindi një ide, nga ana jonë, për një promovim të historisë së familjes, duke ofruar ato çka ruajmë në kujtesën familjare.
Cila është mesazhi juaj për brezin e ri shqiptar që shpesh harron sakrificën mbi të cilën u ngrit liria e këtij kombi?
Brezi i ri shqiptar nuk duhet të harrojë kurrsesi historinë plot sakrifica të të parëve, për të sjellë lirinë që gëzojmë sot në dy shtetet shqiptare. Duke qenë se një pjesë e mirë e brezit të ri jeton në diasporë, e rëndësishme është që mos të harrojnë kurrë gjuhën amëtare, atë gjuhë që e mbajti të ndezur, për shekuj, edhe atëherë kur luftohej mësimi i saj, ndjenjën e lirisë, ndjenjën e të qenurit një komb më vete, një komb i bashkuar. Dita e 28 nëntorit, Dita e Flamurit, e dëshmon më së miri, krenarinë që ndjejnë shqiptarët kudo që ndodhen, duke mbushur sheshet me flamurin kuq e zi. Kjo Festë duhet të shërbejë edhe si një reflektim për të njohur më mirë historinë tonë, gabimet dhe vlerat tona, sepse vetëm kështu, duke njohur e kuptuar të kaluarën tonë, ne mund të hecim më të sigurt drejt të ardhmes europiane.
Kjo intervistë nuk është thjesht një bisedë me një pasardhës të Ismail Qemalit. Është një takim me vetë ndërgjegjen historike të kombit. Është një rikthim tek rrënjët që na mbajnë gjallë, tek sakrificat që na dhanë emër, tek flamuri që u ngrit mbi shpatulla burrash që hodhën themelet e shtetit shqiptar.
Në fjalët e Z. Vlora nuk dëgjojmë vetëm zërin e një studiuesi të urtë e të përkushtuar. Dëgjojmë jehonën e një familjeje që dha gjithçka për Shqipërinë. Dëgjojmë amanetin e një populli që kërkoi lirinë në kohët më të errëta. Dëgjojmë vetë frymën e 28 Nëntorit.
Ky është një kujtim i gjallë se historia nuk është fotografi në mur, as datë në kalendar. Historia është përgjegjësi. Është detyrim. Është gjak që flet.
Dhe brezat e sotëm – në Shqipëri, Kosovë e kudo në diasporë – duhet ta mbajnë këtë zë të ndezur, sepse ai na thërret të mos harrojmë kush jemi dhe pse jemi.
Mesazhi i kësaj interviste është një thirrje e qartë:
Shqipëria nuk ndërtohet duke harruar, por duke kujtuar. Nuk ecën përpara duke mohuar, por duke u ngritur mbi vlerat që ndërtuan themelet e saj.
Trashëgimia e Ismail Qemalit nuk kërkon lavdi, por dinjitet. Jo duartrokitje, por punë. Jo përmendore të ngrira, por shqiptarë të gjallë që e kuptojnë se liria është një projekt që vazhdon çdo ditë.
Dhe në këtë projekt, secili prej nesh ka një rol.
Sepse 28 Nëntori nuk është vetëm dita e flamurit – është prova se kur shqiptarët bashkohen rreth vlerave, rreth lirisë dhe rreth identitetit të tyre, ata bëjnë histori.
Ne e kemi trashëgiminë.
Ne e kemi flamurin.
Tashmë na takon neve t’i japim kuptim.
