TË FUNDIT

Vlera historike e 28 Nëntorit dhe reflektimi mbi unitetin kombëtar

Data 28 Nëntor ka një vend të veçantë në historinë e shqiptarëve, pasi shënon shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, një ngjarje që përmbylli shekuj sundimi osman dhe hapi rrugën drejt krijimit të një shteti të pavarur shqiptar.

Pavarësia e shpallur më 28 Nëntor nuk ka qenë vetëm një akt politik, por edhe një shprehje e dëshirës për të afirmuar kulturën, gjuhën dhe traditat e përbashkëta të shqiptarëve. Ajo përkujton sakrificat e shumë brezave dhe përpjekjet e tyre për të ruajtur integritetin dhe dinjitetin e kombit.

Në ditët e sotme, kur shoqëria përballet me sfida të shumta dhe shpesh ndihen ndarjet, 28 Nëntori mbetet një nga momentet e rralla që bashkon shqiptarët për të reflektuar mbi rrënjët e tyre të përbashkëta.

Shpallja e pavarësisë, vepër historike dhe mbarëkombëtare

Xhevat Mustafa, publicist, shkrimtar dhe ish diplomat i karrierës, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se pavarësia nuk ishte vetëm vepër e Ismail Qemalit apo e qytetit të Vlorës, por rezultat i përpjekjeve të të gjithë shqiptarëve, nga Veri në Jug, në fushëbetejë dhe në diplomaci.

Ai ka nënvizuar se kryengritjet e viteve 1908-1912, sidomos ato në Kosovë, Veri dhe Veri-Lindje, të udhëhequra nga Isa Boletini, Idriz Seferi, Dedë Gjo Luli, Bajram Curri e të tjerë, ishin vendimtare për rrugën drejt lirisë.

Sipas tij, betejat e Kaçanikut dhe Ceralevës zënë vend të veçantë në këtë histori.

“Është për të ardhur keqpër të ardhur keq që edhe pas 113 vitesh pavarësi dhe shtet, edhe në mes të jo pak historianëve, vazhdon një tendencë jo shkencore, jo objektive apo shqip e troç fare, e padrejtë. Fjala është për lokalizimin krahinor dhe individualizimin personal të kontributit për arritjen deri më ditën historike të 28 nëntorit 1912. Është fakt historik i pakundërshtueshëm se lirisë dhe pavarësisë ua hapën rrugën dhe ua mundësuan fitoren kryengritjet masive antiosmane, sidomos në Kosovë dhe në krahinat e Shqipërisë së Veriut, dhe asaj veri-lindore, në harkun kohor të viteve 1908-1912. Në Kosovë dhe Kelmend në këtë periudhë kanë pasur jehonë përtej shqiptare e kanë hyrë në histori kryengritjet dhe betejat e drejtuara nga Isa Boletini, Idriz Seferi, Ded Gjo Luli, Bajram Curri… e me mentor, këshilltar e përfaqësues diplomatik atdhetarin Hasan Prishtina. Në historikun e këtyre kryengritjeve kanë zënë një vend të veçantë betejat në Grykat e Kaçanikut dhe të Ceralevës, më 30 prill 1910 e në ditët e para të majit 1910 dhe deri më 28 nëntor 1912, në të cilat patën role kryesorë drejtues prijësat e mëdhenj popullorë dhe bij të shquar të Kosovës heroike dhe martire, Idriz Seferi e Isa Boletini… Fillimi i vitit 1912 shënon një fazë të re në historinë shqiptare, për arsye se patriotët shqiptarë më të shquar e më aktivë vendosën të përgatitnin një kryengritje mbarëshqiptare, për t’i dhënë një herë e mirë fund pushtimit rreth 450 vjeçar turko-osman. Në mbledhjen e mbajtur në Stamboll, Ismail Qemaili u ngarkua që të sigurojë armë dhe mbështetje diplomatiko-politike e financiare nga shtetet evropiane, ndërsa Hasan Prishtina mori detyrë që të shkojë në Kosovë ta organizojë luftën në terren. Kryengritja filloi në prill të vitit 1912 në Malësinë e Gjakovës, më vonë ajo u zgjerua edhe në Pejë, Lumë, Mirditë, e tjerë. Më 21 mars të vitit 1912 në fshatin Junik afër Gjakovës u mbajt një tubim, në të cilën u vendos të fillohet kryengritja e përgjithshme. Tubimi i Junikut me programin e vet pati ndikim të drejtpërdrejtë në përhapjen e kryengritjes edhe në viset tjera. Në korrik kryengritja u zgjerua në territoret nga Mitrovica deri në Çamëri. Pas rindërtimit të pushtetit në Stamboll, qeveria e re osmane u ofroi negociata kryengritësve shqiptarë, të cilët i përfaqësonte Hasan Prishtina, që në të vërtetë e kishte mbështetjen e plotë të shqiptarëve. Me që pushteti osman nuk iu përgjigj kërkesave shqiptare, kryengritësit çliruan me forca ushtarake tërë Vilajetin e Kosovës, ndërsa në jug u çliruan Erseka, Leskoviku, Permeti, Fieri… “, ka treguar ai.

Gjithashtu, Mustafa thekson se në Jug vepruan çetat e Çerçiz dhe Bajo Topullit, Mihal Gramenos, Sali Butkës, Themistokli Gërmenjit e të tjerëve, me Kuvendin e Sinjës (23 korrik 1912) si moment kulmor.

Ai ka theksuar se në Vlorë e Myzeqe munguan çeta aktive, por Ismail Qemali kompensoi këtë boshllëk me veprimtari të gjerë diplomatike, ashtu si Hasan Prishtina në Veri.

Kurse, ai ka vlerësuar se Pavarësia e 1912-s është vepër e përbashkët e gjithë kombit shqiptar, në Veri e Jug, në fushëbetejë dhe në diplomaci.

“Në Jugun e Shqipërisë u krijuan dhe luftuan çeta e Çerçiz e Bajo Topullit dhe Mihal Gramenos, kryesisht në krahinën e Gjirokastrës; çeta e Sali Butkës Fehim Zavalanit, Qamil Panaritit në krahinën e Kolonjës; çeta e Themistokli Germenjit, Spiro Bellkamenit… në krahinën e Korçës; çeta e Kajo Babienit dhe Ismail Derdushës në krahinën e Gorës e të Pogradecit…Mund të theksohet se më 23 korrik 1912 drejtuesit kryesorë të çetave të Jugut u mblodhën në një takim, që ka hyrë në histori me emërtimin Kuvendi i Sinjës, në sanxhakun e Beratit, me shtrirje deri në fshatrat lindorë të Fierit. Në periudhën të cilës i referohemi, pra 1909-1912, mungojnë të dhënat faktike dhe historike të ishte krijuar dhe të vepronte ndonjë çetë në Vlorë e krahinat e saj si dhe në Myzeqe e në Shqipërinë e Mesme… Mund të thuhet se këtë boshllëk të Vlorës e mbushi pjesërisht me veprimtari diplomatike në muajt e parë të vitit 1912 Ismail Qemali. Ai, për Shqipërinë e Jugut dhe Hasan Prishtina për Shqipërinë e Veriut, përfshirë Kosovën, në muajt e fundit 1911 e në muajt e parë të vitit 1912, të ngarkuar dhe financuar nga Klubet Patriotike në Bukuresht, Sofie, Vienë, Kajro, SHBA…, zhvilluan veprimtari intensive diplomatike me autoritete xhonturke si dhe të disa vendeve të interesuar për zhvillimet në Shqipëri, si Italia, Austro-Hungaria, Rumania, Greqia… Pra, shprehet qartë se cilët ishin gjeografikisht dhe me çeta kontribuesit më kryesorë, më aktivë e konkretë për të sjellë në trojet mbarë shqiptare ditën e madhe të 28 Nëntorit 1912. Mesazhi apo konkluzioni është shumë i qartë në SHQIP dhe të gjitha gjuhët kryesore të botës: Çlirimi nga pushtimi rreth 4 shekullor e gjysmë turko-osman, Pavarësia e Shqipërisë janë vepër historike e luftërave, sakrificave, martirëve, gjakut…të gjithë Kombit Shqiptar”, ka shpjeguar Mustafa.

Tutje, Mustafa ka kritikuar interpretimet që e kufizojnë kontributin vetëm te Vlora apo vetëm te Ismail Qemali, duke theksuar se pavarësia është vepër e përbashkët kombëtare.

Mustafa kundërshton shprehjet si “Vlora-djepi i Pavarësisë” ose “Ismail Qemali-babai i Kombit”, pasi deklarata kishte 40 firmëtarë dhe shpallje të Pavarësisë u bënë edhe në Tiranë, Durrës dhe Elbasan më 26–27 nëntor 1912.

Ai përmend edhe burime që flasin për shpalljen e Pavarësisë në Durrës dhe Elbasan, duke kërkuar një qasje më objektive dhe gjithëpërfshirëse në histori.

“Pra krahas figurave me merita të mëdha e të padiskutueshme si Ismail Qemali, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi…nuk duhen harruar edhe BURRAT nga klubet patriotike shqiptare në Ballkan e përtej tij, që ua ngarkuan atë MISION dhe i financuan bujarisht me flori për ta përmbushur! Natyrisht, pa i caktuar Ismail Qemalit si qytet detyrimisht vetëm Vlorën e tij dhe pa e porositur që të mos e priste as edhe një ditë Isa Boletinin me luftëtarët e tij nga Kosova, që, siç u shpreh dhe kuptua nga faktet e lartpërmendura, me kryengritjet antiturke më 1909- 1912 i hapën rrugën lirisë dhe shpalljes së Pavarësisë!!! Edhe këta BURRA meritojnë monumente, buste dhe nderime në forma të tjera, jo vetëm në vendlindjet e tyre, por edhe në mes të Vlorës, Tiranës, Prishtinës…! Sipas këtij vizioni, analizimi dhe interpretimi, mbështetur në një fond të pasur faktesh e të vërtetash, përfshirë edhe dokumentet se pavarësia është shpallur më parë në Tiranë, nga disa atdhetarë vendas më 26 nëntor e në Durrës më 27 nëntor 1912, dalin logjikisht të pasakta, të padrejta, shprehje subjektivizmi, lokalizmi dhe krahinarizmi, thëniet e shpeshta edhe në media, “Vlora-djepi i Pavarësisë“, Ismail Qemali-babai i Pavarësisë”, “babai i Kombit”, “themeluesi i Shtetit Shqiptar”, kur dihet se firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë ishin 40 vetë…Se sa i digjej në të vërtetë zemra Enver Hoxhës për pavarësinë, lirinë, zhvillimin modern dhe prosperitetin e Shqipërisë, e shpreh edhe fakti se disa prej tyre u burgosën dhe vranë gjatë diktaturës enveriane!? Gjykoj se historianët do t’i ndihmonte shumë për të arritur tek e vërteta e plotë edhe deklarata e publiçistit dhe ish ambasadorit të mirënjohur e të ndjerë, Shaban Murati, të cilës i është referuar edhe historiani i shquar, Prof.Dr. Eqerem Zenelaj në librin e tij “Diplomacia e Ismail Kemal Bej Vlorës”, Prishtinë, 2013, f.325. Sipas të dyve “Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë në Durrës në 26 Nëntor 1912 mban firmat e Ismail Qemalit dhe të djalit të tij Musa Qemalit, të përfaqësuesve të parisë së Durrësit dhe të përfaqësuesve të tre konfesioneve fetare”. Po më 26 nëntor, në Elbasan është bërë shpallja e Pavarësisë nga Aqif Pashë Elbasani dhe atdhetarë të tjerë elbasanas…”, është shprehur ai.

Po ashtu, Mustafa ka theksuar se regjimi i Enver Hoxhës dhe historiografia e tij mbivlerësuan qëllimisht rolin e Ismail Qemalit dhe të Vlorës, duke minimizuar kontributet e qyteteve të tjera, sidomos të Shqipërisë së Mesme, Veriut dhe Kosovës.

Sipas tij, kjo u bërë për arsye propagandistike dhe politike, për ta lidhur Vlorën me “të majtën” dhe për ta përdorur si bastion elektoral.

“Prej dekadash është lakuriqësuar e kuptuar se Enver Hoxha dhe historiografia e tij, sidomos gjatë festimeve pompoze në Vlorë të 50 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë e më pas, në vijim, deri më sot, në përvjetorë të tjerë, mbivlerësuan apo mitizuan rolin dhe kontributin e Ismail Qemalit, (ndërsa disa familjarë të tij u persekutuan politikisht) e të Vlorës si dhe fshehën meritat e qyteteve të tjerë, sidomos të Shqipërisë së Mesme e të Veriut, sidomos të Kosovës. Kjo u bë me qëllimin e mbrapshtë apo tinëzar të futjes në borxhe ndaj tij të Vlorës, të majtizimit apo komunistifikimit të saj, deri në fanatizëm dhe “harresë” të interesave dhe kërkesave njerëzore, familjare, qytetare, sociale, mbarëvendore…Gjithashtu, edhe për t’i bërë plot vlonjatë edhe më shumë gropë gjokset prej goditjeve vetëmburrëse, tek disa edhe me doza euforie dehëse, për trimëri, patriotizëm, merita historike…E fryrë nga propaganda enveriano- edramjane, Vlora, si “kryeqyteti” i ish Zonës së Parë Operative të LANÇL, u bë dhe vazhdon të jetë për 81 vjet bastion i PKSH- PPSH- PSSH- së! Njëherazi, edhe mbështetëse e “së majtës” në të gjitha zgjedhjet allashqiptare për “fitorjet” e saj e për ta mbajtur Shqipërinë sa më gjatë “robinjë” të saj…!!!???Paradoksi, demagogjia, pa sinqeriteti, ligësia, mosmirënjohja… zhvishen lakuriq, kur dihet se në këta 81 vjet edhe shumica e vlonjatëve, në qytet e fshatra, kanë jetuar e jetojnë njësoj si shumica e shqiptarëve. Domethënë, me po ato nivele pagash, pensionesh, mbështetjeje sociale apo kushtesh strehimi, punësimi, arsimimi, shërbimi shendetsor, mirëqenieje…!!!???”, ka vlerësuar ai.

Më tej, Mustafa ka theksuar se një tjetër arsye pse shqiptarët nuk e ndjejnë plotësisht festën e 28 Nëntorit është fakti se vendi, edhe pas 113 vitesh, mbetet ndër më të pazhvilluarit në Europë: me paga, pensione, shërbime dhe mirëqenie të ulët.

Ai ka argumentuar se përgjegjësia lidhet me partitë që kanë sunduar për 81 vjet, duke e çuar vendin drejt korrupsionit, papërgjegjshmërisë dhe emigracionit masiv.

Në fund, ai ka uruar të gjithë shqiptarët për 28 Nëntorin, duke sqaruar se qëndrimet e tij nuk burojnë nga krahinarizmi.

“Shqetësimi i tretë, që nuk na lejon apo mundëson të ndjejmë me zemra plotësisht FESTË është se jemi si vend e si popull po aty ku kemi qenë më 28 nëntor 1912! Domethënë, të fundit në Europë për nivelet e zhvillimit, pagave, pensioneve, mbështetjes sociale, mirëqenies, demokratizimit, shtetit ligjor funksional…!!! Zyrtarisht, më 28 dhe 29 nëntor kemi dy festa, por shumica ose saktësisht rreth 41% e popullit në qytete dhe fshatra nuk i ndjejnë dhe përjetojnë me zemra e në tavolina! Shkaqet, shkaktarët, përgjegjësit, fajtorët…, shumica jo pa dashje e nga “verbëria”, mund të kërkohen dhe gjenden tek partia që ka “mbretëruar” juridikisht në Shqipërinë e pas pavarësisë 67 vjet, por de facto 81 vjet, sepse edhe gjatë 13 viteve të qeverisjes nga PD, qysh para 22 marsit 1992, kishte rrëmbyer pushtetin ekonomik!!! Mallkime e përbuzje dhe mbulim me kritika, akuza, turpe…për ata që e kanë lënë këtë vend të bekuar nga perendia, me pasuri apo resurse shumë të mëdha nën e mbitokësore, me rreth 270 ditë me diell, me dy detra e plot liqene e lumenj, në këtë gjendje mjerane, me emigracion masiv e të pandalshëm të moshave të reja drejt vendeve të Perendimit! Edhe më shqip e më fort, sa të dëgjohet deri në majë të Korabit e të Tomorrit: Shqipëria e sotme, në këtë gjendje dhe në vendin e fundit në klasifikimet evropiane, është më së tepërmi jo nga padituria apo paaftësia e ekipeve partiake, politike dhe qeverisëse, por më shumë nga ligësia, korrupsioni i pafre, papërgjegjshmëria, pashpirtësia, mercenarizmi, antishqiptarizmi i plot prej tyre…!

Në mbyllje, duke dëshiruar dhe besuar të mos jem keqkuptuar për krahinarizëm me këtë opinion, i uroj të gjithë shqiptarët, kudo ku janë: Gëzuar 28 Nëntorin, 113 vjetorin e Ditës së Pavarësisë, të Flamurit e të kombit shqiptar!”, ka përmbyllur Mustafa.

Leon Duhanaj: 28 Nëntori, festa më e madhe e shqiptarëve dhe simbol i unitetit kombëtar

Ndërkaq, analisti politik, Leon Duhanaj, Duhanaj ka thënë se 28 Nëntori është festa më e madhe e shqiptarëve, pasi shënon Flamurin e Kastriotit, simbol të gjakut, gjuhës dhe identitetit kombëtar.

Sipas tij, mungon uniteti, kompromisi dhe gatishmëria për të vendosur interesin kombëtar mbi interesat personale dhe grupore.

“28 nëntori është festa më e madhe e shqiptarëve, sepse është festa e Flamurit të Kastriotit, flamurit kombëtarë.

Flamurit i cili përveç gjakut dhe gjuhës, është simboli që na bashkon në identitetin tonë kombëtarë.

Për fat të keq, neve si shqiptarë, megjithatë duket të mos na bashkojë sa duhet.

Jo rrallë herë dhe jo pak njerëz, festen e flamurit si dhe dashurinë për të, e kanë veç se për t’u dukur në publik, si FB apo rrjete e mjete tjera të informimit, por jo edhe ta kenë të vulosur në zemrat e tyre.

Neve na mungon uniteti për hir të flamurit dhe kombit.

Neve na mungon kompromisi për hir të interesit kombëtarë

Neve na mungon gatishmëria, që për hir të flamurit dhe interesit të përbashkët kombëtarë, të heqim dorë nga interesat e ngushta personale e grupore, qoftë ato biznesore politike apo çfarëdolloj tjetër”, ka theksuar ai.

Duhanaj ka shtuar se në trojet shqiptare po rritet numri i atyre që jo vetëm nuk ndjejnë respekt për flamurin, por edhe e urrejnë atë dhe identitetin kombëtar.

Ai ka potencuar këtë si një fatkeqësi unike, duke theksuar se shumë pak kombe e mohojnë identitetin e tyre në këtë mënyrë

“Çka është edhe me e keqja, në trojet shqiptare, dita ditës rritet numri i atyre që jo vetëm nuk ndjejnë dashuri e respekt për flamurin, por edhe e urrejnë atë dhe identitetin që i lidh me të.

Kjo është fatkeqësi e llojit të vetë, sepse nuk besoj që e gjejmë edhe një komb shembull që e mohon dhe saboton identitetin dhe qenien e tij siç e bëjmë ne shqiptarë.

Fatmirësisht siç në kohërat tjera, kishim çdoherë edhe anën e kundërt të medaljes, pra edhe njerëëz që e duan flamurin dhe kombin me zemër, edhe pse janë më pak, besoj që edhe kësaj radhe do të qëndrojnë mbi sfidat e kohës dhe se dita e Flamurit kombëtarë shqiptarë, do të festohet brez pas brezi”, ka përfunduar Duhanaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *