“Duam targa dhe policët tanë në Preshevë”, deputeti shqiptar “shkund” Parlamentin serb: Lejoni simbolet tona
Është zëri më i fuqishëm shqiptar brenda Parlamentit të Serbisë. Deputeti Shaip Kamberi, gjatë debatit për buxhetin, theksoi edhe njëherë problematikat jetike që hasin njerëzit në Luginën e Preshevës. Ai e pyeti Ministrinë e Brendshme pse nuk i ka kthyer përgjigje në kërkesën e tij që komuna e Preshevës të marrë targën e saj të regjistrimit për automjetet motorike.
Gjithashtu Kamberi pyeti Qeverinë pse janë bllokuar paratë për Këshillin Kombëtar Shqiptar nga fondet e Qeverisë së Kosovës, si dhe çfarë po ndodh me iniciativën për një program për pranimin e personave nga pakicat kombëtare shqiptare dhe boshnjake në shërbimin policor në nivel lokal. Edhe në seancën e kaluar, deputeti shqiptari foli me tone të ashpra në parlamentin serb.
“E dimë se ekziston diskriminim institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. E dimë se ekziston praktika e pasivizimit të adresave, përmes së cilës mijëra njerëzve u hiqet e drejta zgjedhore dhe qytetare”, nënvizoi Kamberi.
Ai shtoi se qeveria serbe nuk zbaton ligjin për përdorimin zyrtar të gjuhëve, nuk njeh diplomat dhe nuk ka vendosur në Preshevë tabelat në gjuhën shqipe. “Kur kërkojmë ndalimin e pasivizimit të adresave, ne nuk kërkojmë mëshirë, por respektim të së drejtës. Kur kërkojmë përdorim zyrtar të gjuhës dhe simboleve, ne nuk kërkojmë privilegje, por trajtim të barabartë”, tha përballë deputetëve serbe, Shaip Kamberi.
