Kur rrënimi moral shitet si simite në pazarin kriminal të Drenicës
Ka momente në jetën publike kur mbetesh pa fjalë – jo sepse nuk di çfarë të thuash, por sepse e vërteta para teje është aq e zhveshur nga dinjiteti, saqë të duket sikur po të shikon drejt në sy dhe po të pyet: “A po më sheh tani?”
Në një moment të tillë, Nuredin Drenica, një “patriot me bateri të Beogradit”, guxon t’i flasë Rifat Jasharit me gjuhën e turpit, duke tentuar t’ia imponojë shijen e tij budallaqe përmes pyetjes :
“Si nuk të vjen marre o burrë ta përqafosh si motër Donika Gërvalla-Schwarz, bijën e Jusuf Gërvalles, që ka depozituar kaq shumë shpifje në Gjykatën Speciale kundër UÇK-së?” – ndërkohë që ai paraprakisht e ka hashmizuar UÇK-në, me direktiven e falsifikatorëve të historisë, duke e përjashtuar plotësisht Adem Jasharin, nga roli i Kryekomandantit.
Siç thotë populli: “Kur mushka çon ujë te mulliri i huaj, mos prisni të dalë miell i bardhë.”
E mielli që del nga mulliri i këtij pismileti është helm, jo bukë.
Ky nuk është një incident i rastësishëm.
Jo, jo !
Është një simptomë e një plage që ka kohë që qelbët.
Është një rrënim i thellë moral, të cilin shoqëria jonë e ka lejuar të rritet si ferra rreth pemës së shëndetshme.
Dhe ja ku jemi sot:
Mashtrimi shitet si simite në pazarin e Mamushës, dhe njerëzit rrinë në radhë, për ta blerë, për ta kafshuar – e disa madje edhe për ta pëlqyer.
“Budallallëku,” thotë urtaku i moçëm, “nuk vjen vetëm – vjen me shokë.”
Dhe shokët e tij janë 1,300 pëlqime.
Çudia më e madhe?
Një gënjeshtër, kur përsëritet njëqind herë, merr petkun e së vërtetës dhe fillon të jetojë si krijesë e vetvetishme.
Dhe pikërisht ashtu janë mbjellë dhe kanë jetuar e lulëzuar “veteranët” e rremë për vite me radhë – ata që luftën e panë vetëm në televizorin e markes EI të Nishit, ndërkohë që luftëtarët e vërtetë e derdhnin gjakun e tyre në çdo cep të atdheut.
Populli thotë: “Ai që s’e ka përjetuar diellin e shkretëtirës, nuk e di se sa djeg.”
Dhe këta që nuk e kanë prekur as pluhurin e luftës, sot i bërtasin brezit të Jasharajve se si duhet të sillen.
Por më e dhimbshme dhe më e rëndë se çdo fyerje, është e vërteta e hidhur:
Një pjesë e madhe e atyre që pëlqejnë postime të tilla janë ose veteranë të rremë, ose familjarë të tyre, që janë mësuar të mbrojnë privilegje të padrejta si ujku që ruan prenë.
Por faji nuk është vetëm i tyre
Faji më i madh bie mbi ata që i kanë krijuar:
E i kanë krijuar liderët e partive-banda, që për vota dhe para shkelën mbi nderin e veteranëve të vërtetë dhe mbollën farën e këtij mashtrimi kombëtar.
“Ku ka tym, ka edhe zjarr,” thotë populli.
E zjarri i këtij mashtrimi u ndez pikërisht nga kryebanditët që sot dalin në studiot televizive dhe flasin përmes gojës së Lirim Mehmetajt, Berat Buzhales dhe Baton Haxhiut për patriotizmin e vërtetë, ndërkohë që në hije i shantazhojnë familjet e veteranëve të rremë për t’i risjellë në pushtet.
Po t’ua hiqje këto 40,000 hije të zeza nga listat, siç tregon çdo raport i besueshëm, partitë e tyre banda do të binin me këmbët përpjetë në humnerë, brenda një nate të vetme.
Ky është realiteti ynë:
Një politikë që ia ka shpëlarë trurin njerëzve me sapunin propagandistik të Stara Pazoves, sepse jemi një shoqëri që i harrojmë shpejt sakrificat e heronjve të vërtetë:
Dhe siç thotë populli:
“Ai që rri me të verbërin, mësohet të qeshë pa parë asgjë me syrin e trurit.”
Por mbetet një dritë shprese – ajo që populli e quan “syri i dritës në fund të tunelit.”
Shpresa që e vërteta, edhe kur shtypet, ngrihet; që nderi, edhe kur baltoset, shkëlqen; që populli, edhe kur vonon, zgjohet.
Kjo ese nuk është mallkim, as britmë.
Është thirrja ime që të mos i lejojmë të na shesin simite të mykura si bukë të ngrohtë.
Të mos lejojmë që njerëzit që s’kanë lidhje me sakrificën ta zotërojnë narrativën e saj.
Të mos harrojmë se “e vërteta, edhe nëse ia vesh dhjetë petka të gënjeshtrës, prapë e gjen rrugën për të dalë në dritë.”
Dhe unë, Lirim Gashi, e them me bindje të plotë:
Nderi do të kthehet.
Mashtrimi do të zbulohet.
Veteranët e vërtetë do të ngrihen mbi hijet e zeza, që ua kanë zënë dritën.
Sepse kështu ka qenë gjithmonë:
E vërteta ka rënkuar, por kurrë nuk ka vdekur.
