TË FUNDIT

“Opozita e kontrolluar, qeveria e mbrojtur”, njohësit flasin për rolin e ‘fshehtë’ të SHBA-së dhe BE-së

Proceset politike në Kosovë janë karakterizuar nga dinamika të shumta dhe komplekse, sfida institucionale dhe nevoja për reforma të vazhdueshme.

Zgjedhjet dhe formimi i qeverive shpesh pasqyrojnë tensionet ndërmjet partive politike, konkurrencën për pushtet dhe nevojën për koalicione funksionale, duke ndikuar drejtpërdrejt në stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.

Në këtë kontekst, roli i aktorëve ndërkombëtarë, si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ka qenë gjithmonë i pranishëm dhe shpesh ndikues. Përmes mbështetjes financiare, vëzhgimit të zgjedhjeve, dialogut diplomatik dhe mesazheve publike e të fshehta, këta aktorë ndikojnë në mënyrën se si partitë politike të Kosovës ndërveprojnë dhe marrin vendime strategjike.

Si e tillë, ndërkombëtarët jo rrallëherë kanë dhënë mendimet dhe propozimet e tyre në lidhje me situata dhe zhvillime të caktuara në Kosovë.

Rrjedhimisht, tash pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme me 28 dhjetor, nuk dihet se a do intereferojnë ndërkombëtarët.

E në lidhje me rolin e SHBA, BE në politikën në Kosovë dhe ndikimin që mund ta kenë në zgjedhjet e dhjetorit, folën njohësit e çështjeve politike.

Bukuroca: Ndikimi ndërkombëtar mbi Qeverinë është i kufizuar, ndërsa mbi opozitën pothuajse total

Fillimisht, për këtë temë, për “Bota sot” ka folur publicisti Lis Bukuroca.

Së pari, ai tha se ndërkombëtarët kanë ndikim të kufizuar mbi qeverinë, por ndikim total mbi opozitën.

Megjithatë, ai vlerësoi se ndonëse në radhë të parë duket se SHBA dhe BE janë të distancuara, në prapavijë ato janë shumë aktive politikisht.

Krahas kësaj, foli edhe për rolin që kanë ndërkombëtarët.

“Ndikimi ndërkombëtar mbi Qeverinë është i kufizuar, ndërsa mbi opozitën pothuajse total. Opozita ndodhet në një kaos mendor, me disonancë konjitive të theksuar: proteston kundër vetvetes dhe kundër vendimeve që vetë i ka marrë, ose që nuk ka pasur guxim t’i marrë

Është e vështirë të thuhet diçka që i reziston kohës, në këtë epokë të pasigurt globale. Por ajo që shihet në sipërfaqe është se SHBA-ja dhe, veçanërisht, BE-ja, janë të distancuara publikisht, por shumë aktive në prapavijë.

Roli i tyre është i ndjeshëm, por jo gjithmonë i dukshëm. Ambasadorët e vendeve të Quint-it sillen si dikur UNMIK-u: edhe kur nuk flasin, dëgjohen larg. Heshtja e tyre flet për koordinim me opozitën. Distancimi kategorik i opozitës nga Kurti duket si një urdhër që e zbatoi opozita”, deklaroi publicisti.

Gjithashtu, Bukuroca komentoi edhe atë se si po pozicionohen ambasadorët dhe a po japin mesazhe indirekte politike.

Ai u kthye pas në kohë dhe përmendi disa bashkëpunime dhe koordinime të politikanëve në të kaluarën më ambasadorët e huaj.

“Në fillim, Kosova ishte një protektorat. Më vonë, politikanët tanë, për të siguruar mbështetje në karrierë, nisën “koordinimet” me ambasadorët dhe deklaronin krenarë se kishin marrë këshilla prej tyre. Në atë proces ka pasur edhe diplomatë pro-serbë.

Prandaj Kosova mori vendime kundër interesave të veta: Gjykata Speciale, Çakorri, Asociacioni, kufiri me Maqedoninë, e të tjera. Ata shkuan aq larg në nënshtrim sa themeluan prokurori, gjykatë dhe burg për vetveten; madje jashtë vendit!

Me presion, me mburrje, pa kontestuar shpifjet e Dik Martit në Gjykatë, e burgosën vetveten, krenarë”.

Tutje, publicisti vlerëson se partitë opozitare kanë pasur presion nga ndërkombëtarët që të mos bëjnë koalicion me Kurtin.

Madje, tha se kjo mund të konfirmohet nëse edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit refuzojnë koalicionin me LVV-në.

“Po të mos kishte pasur ndërhyrje nga bashkësia ndërkombëtare, partitë si PDK, LDK dhe AAK — të etura për pushtet— do të kishin pranuar me kënaqësi të qeverisnin me Kurtin. Por refuzuan me arrogancë dhe qëndrim armiqësor, gjë që sugjeron se kishin koordinim me ambasadorët.

Ambasadori gjerman, në një periudhë, u shndërrua në një lloj opozitari, duke shkelur të gjitha parimet që ambasadorët janë të obliguar t’i respektojnë.

Pas zgjedhjeve, nëse refuzohet koalicioni me Kurtin, mund të lexohet si rekomandim, madje si urdhër i Quint-it për të mos bashkëpunuar me të. Duhet të zgjidhen problemet me Serbinë. Partitë opozitare janë të nënshtrueshme dhe të gatshme të nënshkruajnë çdo gjë që u kërkohet nga aleatët, për sa kohë sigurojnë mbështetje për pozita dhe karrierë. Dhe, si gjithmonë, do të thonë: ‘Jemi parti institucionale, dhe po e kërkojnë aleatët…”, shtjelloi ai.

Ndër të tjera, ai Bukuroca vlerësoi “që ata që dikur na ndihmuan, sot nuk janë më; ndërsa të tanishmit shikojnë interesat e veta”.

“Fatkeqësisht, me koordinime të orkestruara, u ndërtua një shtet që nuk di të qeverisë vetveten, por dinte të jetë shumë i dëgjueshëm. Me pushtetin disproporcional të pakicave, shumica humbi kuptimin e vet dhe u shndërrua në një pakicë konfliktuoze. Ata që dikur na ndihmuan, sot nuk janë më; ndërsa të tanishmit shikojnë interesat e veta. Serbia, pas luftës, luftonte Kosovën në mënyra të ndryshme; elita kosovare, në mënyra po aq të ndryshme, luftonte për pushtet, pasuri, pozita dhe karrierë. Rezultati shihet sot. Edhe pasojat”, përfundoi Lis Bukuroca,

Zogaj: Zgjedhje e 28 dhjetorit janë risku i fundit që nuk guxojmë ta humbasim

Ndërsa, publicisti tjetër, Skënder Zogaj tha se roli i ndërkombëtareve në Kosovë është i madh dhe se shteti ynë duhet të bashkëpunojë ngushtë me SHBA dhe BE-në.

“Kosova nuk e ka luksin të luaj me vetveten! Kosova nuk guxon të harroj misionin historik që iu ka ofruar nga bashkësia ndërkombëtare me përkrahjen e së cilës është çliruar dhe është shpallur e pavarur! Kjo “dhuratë” në fakt është ofruar për ta sprovuar të vërtetën e meritës së lirisë që llogaritet nga shkalla e përgjegjësisë për ta realizuar shtetësinë!

Dhe, ja ku jemi: të pa aftë për t’u vetëqeverisur! Të padenjë për ta gëzuar lirinë duke e arsyetuar sakrificën shekullore për mposhtjen e robërisë! Prandaj, përvoja 25 vjeçare e Kosovës është dëshpëruese për bashkësia ndërkombëtare, e veçanërisht për SHBA-t, që janë në hall të madh me ne! Janë në hall BE-ja dhe SHBA-ja sepse tashmë nuk janë duke e kuptuar, se çka në të vërtetë duam!” – nënvizoi ai për “Bota sot”.

Krahas kësaj, Zogaj vlerëson se besimi i partnerëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës është luhatur dhe nuk është në nivelin më të mirë të mundshëm.

Megjithatë, ai theksoi nevojën që zgjedhjet e dhjetorit të jenë të lira dhe të mosndikohen nga ndërkombëtarët.

“Unë mendoj se jemi në vijën e kuqe – dhe nëse nuk e ndryshojmë qëndrimin do ta kemi keq, sepse do të humbasim besimin e partnerëve ndërkombëtar, e kjo do të thotë se na pret rreziku i madh!

Zgjedhje e 28 dhjetorit janë risku i fundit që nuk guxojmë ta humbasim. Zgjedhje kësaj radhe do të lihen të lira dhe plotësisht në përgjegjësinë e Kosovës, pra nuk do të ketë influencë ndërkombëtare!

Këtë po e dëshmojnë mesazhet fragile të ambasadave dhe zyrave ndërkombëtare, që në mënyrë indirekte po thonë: bëni atë që po e dëshironi, sepse atë që po e dëshironi, sepse ne nuk jemi duke e kuptuar se çka po dëshironi! Pra po na thonë: përtypeni bukën mirë, se ka rrezik t’ju mbes në fyt!” – përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *