OPINIONTË FUNDIT

Eksperti jep paralajmërimin e keq për Kosovën: Mund të rikthehet bllokada

“Hyrja e Kosovës në fazën zgjedhore nuk ishte befasi, por epilogu i natyrshëm i një procesi të zgjatur politik. Vendimi i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit vetëm sa e formalizoi një realitet tashmë të njohur. Por sfida kryesore nuk qëndron te zgjedhjet si akt procedural; sfida qëndron te rezultati i tyre dhe aftësia për të prodhuar një shumicë funksionale”.

Kështu vlerëson për “Bota sot” eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Dr. Mirsad Voca.

“Me të nënshkruar dekretin nga Presidentja, Kosova ka hyrë zyrtarisht në logjikën zgjedhore”, thotë Voca, duke shtuar se ky zhvillim ishte “epilogu institucional i pritshëm pas skadimit të afatit kushtetues të mandatimit të Qeverisë nga Glauk Konjufca”.

Por për Vocën, çështja themelore nuk është thjesht data e zgjedhjeve.

“Zgjedhjet në vetvete nuk janë problem, por problemi është cilësia e shumicës që do të dalë prej tyre”, thekson ai.

Sipas tij, rreziku më i madh është përsëritja e fragmentimit aktual.

“Nëse rezultati i ardhshëm mbetet po aq i fragmentuar sa ky i tanishmi, Kosova rrezikon të kthehet sërish në ciklin e bllokadave, pazareve të detyruara dhe pamundësisë për të ndërtuar një qeveri funksionale. Zgjedhjet do t’i sjellin vendit stabilitet vetëm nëse shndërrohen, në praktikë, në një lloj ‘balotazhi politik’ mes Vetëvendosjes dhe spektrit e partive të tjera, duke i dhënë qytetarit mundësinë të qartësojë drejtimin e shumicës”, shprehet Voca.

ImageMirsad VocaFoto galeri
Ai e sheh procesin e ardhshëm votues si një test politik që, në praktikë, mund të shndërrohet në “një lloj balotazhi politik” mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe spektrit të partive të tjera.

“Vetëm kështu qytetari e ka më të qartë se në çfarë drejtimi lëviz shumica e re politike”, nënvizon Voca.

Në analizën e tij, ai parashikon se Vetëvendosje mund të ketë rritje, “sidomos për shkak të mbështetjes së konsoliduar në diasporë”, ndërsa opozita do të përpiqet të shfaqet si alternativë e bashkuar.

“Pritjet janë se Lëvizja Vetëvendosje mund të ketë rritje, veçanërisht për shkak të mbështetjes së fortë në diasporë, ndërsa opozita do të përpiqet të konsolidojë një front më koherent. Por pa një mandat më të qartë, Kosova rrezikon ta përsërisë skenarin e deritashëm, pra me një qeveri që nuk mund të formohet, një parlament të fragmentuar dhe një vit të humbur për proceset e brendshme dhe evropiane”, shton Voca.

Sa i përket efektit ndërkombëtar, Voca është i matur dhe i qartë.

“Në planin ndërkombëtar, Kosova nuk pritet të ketë pasoja të drejtpërdrejta, për sa kohë procesi zgjedhor është demokratik dhe institucionet vazhdojnë të funksionojnë. Megjithatë, çdo vonesë në krijimin e qeverisë së re dhe në miratimin e buxhetit e ngadalëson agjendën evropiane dhe reformuese të vendit”, përfundon eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Dr. Mirsad Voca.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *