OPINIONTË FUNDIT

Kurti: Bashkëpunimi Kosovë – Shqipëri ka marrë formën e një përkushtimi të thellë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë me rastin e shënim të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ka thënë se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë tani ka marrë formën e një përkushtimi të thellë, që sipas tij, nuk matet vetëm me dokumente apo statistika, “por me mënyrën se si përmirësohet jeta e qytetarëve”.

“58 marrëveshje të nënshkruara vetëm në katër vjetët e fundit nga 184 gjithsej dhe qindra mijëra qytetarë që çdo ditë e prekin këtë afrim në jetën e tyre, janë tregues se vizioni i përbashkët nuk është vetëm fjalë: është tregti që rritet me qindra milionë euro, energji që qarkullon pa pengesa, janë Lojërat Mesdhetare 2030, studentë që gëzojnë mundësi të barabarta, janë 26 vendkalime kufitare të reja e deri te projekti gjigant hekurudha Prishtinë–Durrës”, citohet të këtë thënë Kurti.

Ai thuhet se ka përmendur edhe hapjen e zyrave doganore, heqjen e vulës apostile, njohjen e pensioneve dhe sigurimeve si dhe njësimin e diplomave dhe lëvizjen pa kontrolle kufitare.

“Në arsim e kulturë, janë abetarja unike, enciklopedia shqiptare dhe projektet kulturore mbarëkombëtare. Ndërsa në siguri, turizëm, bujqësi e drejtësi, procedurat e unifikuara dhe bashkëpunimi teknik po i bëjnë dy shtetet më funksionale dhe më të afërta se kurrë ”, citohet Kurti në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *